Kërko

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

Liria e shtypit. Guterres (OKB): gazetaria e lirë, aleate kundër lajmeve të rreme

Në Ditën Ndërkombëtare kushtuar Lirisë së Shtypit, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, nënvizon se “gazetaria e lirë dhe e pavarur është aleatja jonë më e madhe në luftën kundër çinformimit dhe lajmeve të rreme”.

R.SH. - Vatikan

“Sfidat globale, me të cilat përballemi gjatë pandemisë Covid-19, nxjerrin në pah rolin kritik, që luan informacioni i besueshëm, i verifikuar dhe i konsultueshëm në gjithë botën, për të shpëtuar jetë e për të krijuar një shoqëri më të fortë dhe më të qëndrueshme. Gjatë pandemisë dhe krizave të tjera, përfshirë krizën e klimës, gazetarët dhe media na kanë ndihmuar të përshkojmë një peizazh informacioni, që ndryshon me shpejtësi, duke iu kundërvënë edhe pasaktësive e gënjeshtrave”. Kështu pohon Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në një videomesazh me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila kremtohet sot, më 3 maj.

Gazetarët pësojnë kufizime në shumë vende

“Në shumë vende, - thekson Guterres – gazetarët vazhdojnë të rrezikojnë personalisht, duke pësuar kufizime, censurë, abuzime, burgime e madje, edhe vdekje, thjesht, për punën që bëjnë. Gjendje, që vazhdon të keqësohet”, denoncon Sekretari i Përgjithshëm, i cili u kërkon “të gjitha qeverive të bëjnë detyrën e tyre në mbështetje të mediave të lira, të pavarura dhe të larmishme”.

Ndikimi i pandemisë

“Ndikimi ekonomik i pandemisë – vëren Guterrez - ka vënë në vështirësi shumë gazeta, duke kërcënuar edhe vetë ekzistencën e tyre. Buxhetet janë më të vogla, me pasoja të drejtpërdrejta në besueshmërinë e informacionit”. “Kështu, thashethemet, lajmet e rreme, opinionet ekstreme, ose përçarëse, i hapin udhën vetes për të mbushur boshllëkun e informacionit”, paralajmëron Sekretari i OKB-së, sipas të cilit “gazetaria e lirë dhe e pavarur është aleatja më e madhe në luftën kundër çinformimit dhe lajmeve të rreme”.

Informacioni, pasuri publike

Duke përmendur se kjo Ditë përkujton edhe 30-vjetorin e Deklaratës së Windhoek për zhvillimin e një shtypi të lirë, të pavarur dhe pluralist afrikan, Guterres fton të reflektohet mbi “mesazhin e tij, duke rinovuar përpjekjet për të mbrojtur lirinë e mediave, në mënyrë që informacioni të mbetet pasuri thelbësore publike për të gjithë”.

03 maj 2021, 13:21