Kërko

Vatican News
Napoleoni kalon Alpet (pikturë e Jacques-Louis David) Napoleoni kalon Alpet (pikturë e Jacques-Louis David) 

Lavdia dhe pluhuri: 200 vjet më parë vdiste Napoleon Bonaparti

Fitore të mëdha, e disfata të mëdha; marrëdhënie të ndërlikuara me Piun VII, ndikimi iluministik dhe shpresa e kthimit në fe: reflektojmë për figurën e Bonapartit, strategut të shkëlqyer, që deshi të bëhej, e u bë perandor, ndërmjet kultit të individit - dhe mbrojtjes së të drejtave e njeriut

R. SH. - Vatikan

Nëse sot do të ishte data 5 maj 1821, lajmi që do të rrëmbushte faqet e gazetave, do të arrinte nga një ishull i oqeanit Atlantik, gati dymijë kilometra larg brigjeve të Angolës. Nga kjo periferi e humbur, do të nisnin shtegtimin nëpër botë këto pak fjalë – por që mbartnin një lajm tejet të madh, shungullues: “Gjatë internimit të tij në Ishullin e Shën Helenës, vdiq sot Napoleon Bonaparti!”.

Dyqind vjet më pas, ky kumt, në epokën e teknologjisë së përparuar, përhapet sakaq nëpër botë e trondit sërisht opinionin publik, si të kishte ndodhur pikërisht sot!

Pas dy shekujsh portreti i Napoleonit mbetet krejt i freskët në historinë e Evropës e të  botës perëndimore.

I lindur më 1769, në Ajaccio të Korsikës, që i ri nisi karrierën ushtarake. Ishte vetëm 26 vjeç, kur iu besua komanda e ushtrisë franceze në fushatën e Italisë kundër austriakëve.

Fitore pas fitoreje, deri te fundi i fitoreve

Më 1798 trupat e tij shpartallojnë, në Egjipt, mamelukët, në betejën e famshme të Piramidave. Më 1804 kurorëzohet perandor i francezëve. Ndërmjet fitoreve ushtarake e mundjeve epokale, emri i tij lidhet edhe me kodin e parë juridik modern, që mori emrin e tij: “Kodi civil napoleonik”.

Vitet e fundit të jetës, pas gjithë atyre fitoreve, provoi dhe shijen e hidhur të mërgimtarit, në një mërgim të detyruar, pasi u mund në betejën e famshme të Vaterlosë, ku ra heroikisht e gjithë garda e tij, me britmën “Garda vdes, por nuk dorëzohet”, që mbeti proverbiale për të gjitha situatat e ngjashme. U internua në një vend që ishte tejet larg Evropës: në ishullin e Shën Helenës, nga frika e rikthimit dhe e betejave të reja, nga të cilat gjenerali i madh nuk e kish të lehtë të hiqte dorë. Po aty iu desh t’i bënte ballë betejës së fundit, më të vështirës në jetën e njeriut, edhe kur quhet Napoleon Bonaparti: vdiq më 5 maj të vitit 1821.

Kanë kaluar, pra, 200 vjet nga vdekja e këtij trashëgimtari të revolucionit francez, këtij iluministi, që luftonte për barazinë e plotë ndërmjet njerëzve, për ligje të drejta e për zhdukjen e korrupsionit, sëmundje e shekullit të tij dhe e shekujve që do të vinin!

Fundi, në Ishullin e Shën Helenës

Napoleoni arriti në Shën Helenë i shoqëruar nga një grup fare i vogël, prej 40 vetësh. Nisi një jetë tejet të papërshtatshme për atë, që kishte sunduar gjithë Evropën. Krejtësisht të shkëputur nga bota, të cilën deshi ta pushtonte. Por me bindjen  se kishte arritur të realizonte shumë gjëra, që i kish dëshiruar. Edhe pse në gazetat, që arrinin nga Evropa, për të flitej zi e më zi, sepse fitimtarët donin ta paraqisnin epokën e tij si “legjendë të zezë”, ta nënvleftësonin lavdinë e tij e ta bindnin historinë se ai kish qenë përbindësh. Po ai e ndiqte qetësisht çka thuhej për të. E gjegjej: “Mos u shqetësoni! Në fund të fundit figura ime do të jetë ajo e Njeriut të madh, që historia nuk do ta harrojë kurrë”. Dhe kishte të drejtë.

Napoleoni dhe Papa Piu VII

Historia e Napoleonit gërshetohet me atë të papnisë së Piut VII. Pas kurorëzimit perandorak të Napoleonit, më 1804, në Paris, në praninë e Papës, marrëdhëniet ndërmjet tyre bëhen gjithnjë më të vështira, për të arritur një kulm në vitin 1808. Pasi kishte pushtuar, më 1807, provincën markixhane, më 2 shkurt 1808 trupat e Napoleonit, të komanduara nga gjenerali Miollis, pushtuan Romën. Mbi Kështjellën e Shën Engjëllit  valavitej flamuri francez. Më 10 qershor 1809 Papa Piu VII nënshkroi atë, që mbeti në histori me emrin “Breve Quum memoranda”, me të cilën  i shkishëroi autorizuesit dhe përkrahësit e dhunës. Emri i Napoleonit  nuk përmendej. Natën ndërmjet 5 e 6 korrikut të vitit 1809, ushtarët dhe xhandarët e udhëhequr nga gjenerali Radet, hynë në Romë, në Pallatin e Quirinale-s, dhe arrestuan Piun VII. Nisi për Papën një periudhë burgimi në vende të ndryshme, nga Grenoble, në Savonë. Papa mundi të rikthehej në Romë vetëm në maj të vitit 1814.

Më 1801 Papa dhe Napoleoni nënshkruajnë Konkordatin Francë-Seli e  Shenjtë

Më 1801 Papa dhe Napoleoni nënshkruajnë Konkordatin Francë-Seli e  Shenjtë. Ndërkaq, pak vite më parë Papa Piu VI kishte vdekur në mërgim, në Francë. Në këtë Konkordat pranohet se synimi i Revolucionit francez për dekristianizimin e Francës nuk ia kishte arritur qellimit. Napoleoni e pranon këtë,  e pranon edhe se Franca e populli francez mbeten të lidhur me Kishën katolike e edhe se Kishës i duheshin njohur të gjitha të drejtat. Problemi kritik ishte se Napoleoni vërtet lejonte që ipeshkvijtë të miratoheshin nga Papa, po kërkonte që zgjedhja e tyre t’i takonte atij. Sidoqoftë, në çastin e nënshkrimit të këtij dokumenti, Napoleoni e njohu autoritetin e Papës dhe i la mënjanë pretendimet, sipas të cilave Kisha në Francë duhet të ishte e pavarur nga autoriteti i Papës së Romës.  Kështu Franca nuk e mori atë rrugë, që do të merrte Anglia me skizmën anglikane!

Vitet e fundit të jetës: a u kthye në fenë e krishterë në Shën Helenë?

Ruhet një shkrim, i datuar 17 gusht 1816, në të cilin Napoleoni shprehet kështu: “Pata nevojë të besoj. Dhe besova!”. E më tej flet edhe për formimin e tij katolik tradicional, në gjirin e familjes. “Por feja ime – vijon - nuk shkrehu, si ndodh me pushkën a me topin. Ngeci.  Sepse nuk i bëri dot ballë sfidës së arsyes”. Duhet kujtuar se është fjala për atmosferën e shekullit të iluminizmit, të arsyes, që iu kundëvu fesë. E, në rreshtat e fundme të këtij kujtimi, Napoleni shton: “Shpresoj se Zoti do të më dojë. Unë nuk do ta kundërshtoj. Nuk pres gjë më të mirë e besoj se kjo do të më japë shumë lumturi”. Në këtë tekst Napoleoni nuk arrin ta dëshmojë fenë, por shpreson se do të besojë. Shpreson se do të mund ta kapërcejë çdo gjë, që e pengon të besojë,  në mënyrë që  të mund të jetë me të vërtetë i lum”.

05 maj 2021, 14:59