Kërko

Vatican News

Imzot Lucjan Avgustini nё 5-vjetorin e kalimit nё amishim

Kisha dioqezane e Sapёs me kremtimin e Meshёs në Katedralen e Shёn Nënë Terezes, në Vau Dejës, pёrkujtoi sot, 22 maj, ipeshkvin Imzot Lucjan Avgustinin nё 5-vjetorin e kalimit nё amshim. Pas Meshës u bë bekimi dhe lutja pranë varrit të Imzot Lucjanit në kripten e Katedrales, e po sot u bë edhe promovimi i librit mbi jetën dhe veprën e Imzot Lucjanit, shkruar nga Imzot Dodë Gjergji.

R.SH. - Vatikan

Kisha dioqezane e Sapёs me kremtimin e Meshёs në Katedralen e Shёn Nënë Terezes, në Vau Dejës, nën drejtimin e Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli, nё bashkёkremtim me shumё ipeshkvij tjerё, meshtarё e besimtarё, pёrkujtoi sot, 22 maj, ipeshkvin Imzot Lucjan Avgustinin nё 5-vjetorin e kalimit nё amshim.

Pas Meshës u bë bekimi e lutja pranë varrit të Imzot Lucjanit në kripten e Katedrales.  Po sot në kёtё ditё përkujtimore u bë edhe promovimi i librit mbi jetën e veprën e Imzot Lucjanit, shkruar nga ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Veprën kushtuar Imzot Lucjan Avgustinin e përshëndeti edhe kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit e Presidenti i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, i cili kujtoi ipeshkvin e ndjerë të Sapës me vlerësim e mirënjohje. Po më hollësisht nga Vau-Dejës njoftimi Violeta Marashit:

PËRKUJTOHET PËRVJETORI I PESTË I KALIMIT NË AMSHIM TË IMZOT LUCJAN AVGUSTINIT

Me rastin e 5 vjetorit të kalimit në amshim të ish ipeshkvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, Ipeshkvia e Sapës organizoi ditën përkujtimore këtë të shtunë të datës 22 maj 2021, e cila shënon ditën e lindjes në qiell të bariut të saj, që e drejtoi këtë dioqezë për 10 vite me radhë.

Mesha përkujtimore u mbajt në Katedralen e Nënë Terezes, në Vau Dejës, nën drejtimin e Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli. Me ftesë të ipeshkvit të vendit, ishin të pranishëm të Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i Malit të Zi, Imzot Rrok Gjolleshaj,Ipeshkvi në pension Imzot Zef Gashi meshtarë, motra, familjarë e miq të Imzot Lucjanit, si dhe besimtarë të ardhur nga famullitë e ndryshme.

E ashtu të bashkuar në Eukaristinë Shenjte, të gjithë i ofruan në elter lutjet e tyre për shpirtin e Imzot Lucjanit, duke e përkujtuar me dhimbje dhe dashuri. Në fillim ipeshkvi i vendit, imzot Simoni falenderoi të gjithë të pranishmit për praninë dhe dashurinë e treguar ndaj Imzot Lucjanit, dhe kjo tregon që kujtimi i bariut tonë të dashur do mbetet i gjallë në zemrat tona.

Ndërsa në predikimin e rastit, Imzot Simoni, kujtoj figurën e ipeshkvit, paraardhësit të tij, i cili për të gjithë ne, sa ishte gjallë si Ipeshkëv, nuk harroi kurrë të ishte Prift, dhe si Prift nuk harroi kurrë të ishte Diakon (shërbyes), dhe si Diakon nuk harroi kurrë të ishte i Pagëzuar, e si rrjedhojë, i vendosur në Udhën e Shenjtërisë përmes ushtrimit të dashurisë që e tregoi në shumë mënyra. Motoja e tij ishte ndriçuese: «In Virtyte Dei» - “Me ndihmën e Zotit”. Dhe kështu me këtë moto, i shërbej kësaj dioqeze duke vendosë në bamirësi detyrën e tij jo të lehtë për të rindërtuar edhe më shumë dioqezën e Sapës në çdo cep të saj.

Pas Meshës u bë bekimi dhe lutja pranë varrit të Imzot Lucjanit në kripten e Katedrales.  Ndërsa ceremonia e kësaj dite përkujtimore u zhvendos më pas në rezidencën e Ipeshkvisë Sapë, ku u bë promovimi i librit mbi jetën dhe veprën e Imzot Lucjanit, shkruar nga bashkëvëllau në Krishtin dhe shkoku i tij i jetës, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Në këtë promovim, Mons. Lush Gjergji u ndal mbi domethënien e këtij libri mjaft të cmuar e të vyer përmes së cilit përshkruhet më së miri gjithë jeta e ipeshkvit të paharruar, imzot Lucjani. Promovimin e librit e përshëndetën edhe vëllai i Imzot Lucjanit, z. Gjekë Avgustini si dhe vetë autori Imzot Dodë Gjergji. Ndërsa ndamë këto momente përkujtimoreje, ne lutemi për shpirtin e tij tashmë në parajsën e amshuar dhe do jetojmë me kujtimin e tij të përjetshëm dhe ai ndërmjetëson për të gjithë ne.  

Violeta Marashi

22 maj 2021, 17:13