Kërko

Vatican News

Gjithnjë e mundshme, të lehtësohet njeriu që vuan

Kultura e lehtësimit të vuajtjes, në qendër të ditës kushtuar asistencës së të sëmurëve e të vuajturve, sot, në Asizi. Dita e Lehtësimit a Ndihmës, ёshtё themeluar për të "promovuar e dëshmuar, përmes informacionit të duhur dhe përmes iniciativave të ndërgjegjësimit e solidaritetit, kulturën e çlirimit nga vuajtjet fizike dhe morale.

R.SH. - Vatikan

Në Ditën XX italiane të Lehtësimit të njeriut, që vuan, e cila u kremtua sot, e dielë, 30 maj, mori pjesë edhe dioqeza e Asizi-Nocera Umbra-Gualdo Tadino, përmes Zyrës Baritore dioqezane e Shëndetit. E krijuar në vitin 2001 nga Fondacioni Kombëtar Gigi Ghirotti Onlus, nga Ministria e Shëndetit dhe Konferenca e Rajoneve edhe e provincave të pavarura, nisma synon të promovojë projekte sensibilizimi e solidariteti për gjithë të sëmurët e të vuajturit, posaçërisht për ata, që janë në prag të vdekjes.

Dita u kremtua në Asizi, pranë abacisë së Shën Pjetrit. Nisi në orën 10.30 me kremtimin eukaristik, pasuar nga një takim, gjatë të cilit u fol për kulturën e lehtësimit  të vuajtjes. U kujtua edhe don Antonio Pennacchi, meshtar, që jetoi ndërmjet viteve ‘700 e ‘800,  shumë i njohur për angazhimin pranë të varfërve e të sëmurëve, për të cilin vijon çështja e lumnimit. Sollën dëshmitë e tyre edhe disa përfaqësues të shoqatave “Aucc” e “Me ne”, që bashkëpunojnë me shërbimet onkologjike e mjekimet paliative të shërbimit shëndetësor kombëtar. E, natyrisht, me meshtarët, të cilët ua lehtësojnë të sëmurëve dhimbjet, me ilaçin më të çmuar: “Eukaristinë”.

Është gjithnjë e mundshme të lehtësohet njeriu që vuan, nëse përhapet kultura e lehtësimit e ndjeshmëria e njeriut të shëndoshë, për njeriun e sëmurë, deri në çastin e kalimit me dinjitet njerëzor, nga  shtigjet tokësore, në ato hyjnore, që çojnë në prag të një jete më të mirë, ku nuk ka më nevojë për letësimin e dhimbjes, sepse nuk ka më dhimbje! U kujtua  se lehtësmi mund të realizohet përmes mjekimeve të reja, efikase, por edhe, e kryesisht, përmes “ilaçit” të dashurisë, të vëmendjes, të afërsisë. E, sidomos, të mjekimeve shpirtërore, që  e ndihmojnë të sëmurin të ecë - kur nuk mund të ecë më -  përtej shtegut të jetës tokësore.

30 maj 2021, 14:26