Kërko

Princi Filip, me mbretëreshën Elisabeta Princi Filip, me mbretëreshën Elisabeta 

Princi Filip, Gallagher: dëshmitar i botës, përkrah Elizabetës

Sot, në Windsor të Britanisë së Madhe, iu dha përshëndetja e fundit bashkëshortit të Mbretëreshës Elizabeta, njëheresh me funeralin në formë private, ndërsa në Romë, në Kishën anglikane të të Gjithë Shenjtorëve, me një kremtim për kujtim të Dukës së Edimburgut, e me homelinë e mbajtur nga imzot Gallagher.

R. SH. - Vatikan

Kështjella e Windsorit ishte sot seli e funeralit të Princit Filip, që ndërroi jetë në prag të 100 vjetëve, të premten e kaluar. Për shkak të pandemisë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit ishin të pranishëm vetëm rreth 30 vetë nga familja mbretërore. E kjo, edhe një mënyrë për të respektuar dëshirën e vetë Filipit, që nuk deshi të nisej nga kjo botë me funeral shtetëror.  Shkoi me atë vetëpërmbajtje e thjeshtësi, siç kishte jetuar përkrah Bashkëshortes, pa e kapërcyer kurrë pragun e rolit të tij, si shoqërues i Elizabetës, në jetë e në rolin e mbretëreshës.

Jeta e të ndjerit Filip, në homelinë e kryeipeshkvit Paul Gallagher  

Homelinë e kremtimit përkujtimor në Kishën e Gjithë Shenjtorëve, në Romë, e mbajti kryeipeshkvi Paul Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet. E quajti Filipin vëzhgues i përhershëm, për gati njëqind vjet, i historisë bashkëkohore; histori, gjatë së cilës ndodhën shumë ndryshime;  foli për të në pozitën e vështirë të princit bashkëshort, që diti ta jetojë këtë jetë tejet të gjatë me ekuilibër të plotë. Gallagher  vuri në dukje edhe formimin e tij ushtarak si dhe rolin si mbështetës i më se 800 enteve e organizatave bamirëse në gjithë vendin, duke ia kushtuar një pjesë të mirë të jetës, pikërisht bamirësisë.

Gjithnjë pranë të rinjve

Qe posaçërisht pranë breznive të reja, plot interes për mirëqenien e tyre e ardhmërinë e tyre. Për ta themeloi Programin e Çmimeve të Dukës së Edimburgut, që u bë pikëmbështetje e çmuar në procesin e pjekurisë së shumë të burrave e grave të reja. Kështu vijoi të jetonte, derisa beteja për jetën përfundoi…

Inkurajim për rritjen e një druri të ri, rrëzë lisit të vjetër, të rënë

Në fund - kujtoi  imzot Gallagher - princi Filip jetoi një jetë plot me kontraste, disa prej të cilave jo edhe aq të lehta për t’u kapërcyer. Për Komandantin e Marinës, bashkëshortin, atin e një familjeje të madhe, për liderin në bamirësi e në edukim, tani beteja u krye! Në pyllin e jetës gjithçka është e qetë.

Druri i madh mund të ketë rënë - përfundoi imzot Gallagher - “por duke lënë pas  shenjën e tij, që inkurajon rritjen e një druri të ri drejt qiellit”. E dëshmojnë lulet e shumta, që vijojnë të vënë banorët e Britanisë Madhe rrëzë “trungut”  të rënë … me shpresën e një pranvere të re.

17 prill 2021, 13:50