Kërko

Vatican News
Brazil: kuzhinat komunitare Brazil: kuzhinat komunitare 

Pashkë nëpër botë, në kohë pandemie

Një rrotullim i shpejtë rreth botës, për ta jetuar disa çaste së bashku me vëllezërit e motrat tona, gëzimin e Pashkëve, në vise të ndryshme.

R. SH. - Vatikan

Pashkë me refugjatët irakianë në Jordani

Shoqata Habibi në Amman mbështet qindra familje të detyruara të ikin nga Iraku për shkak të konflikteve. Duke kujtuar shtegtimin apostolik të kohëve të fundit të Françeskut, ndjekur në ekranet e televizorit nga vendi kufitar, bashkësia e krishterë i jetoi kremtimet e Pashkëve plot me gëzim. Gëzim të cilin nuk mundën ta zbehin as kufizmet shëndetësore, që i detyruan kisha e xhami t’i mbyllin dyert edhe në kohë festash të mëdha, kur dyer e zemra duhet të jenë të hapura. Të hapura mbetën vetëm zemrat! Ndaj edhe në këtë situatë, besimtarëve nuk u mungoi gëzimi shpirtëror, që nuk mund ta ndalojë asnjë pandemi. E, natyrisht, asnjë qeveri!  Shtegtimi i Françeskut në Irak është ende i gjallë në zemrat e refugjatëve të ikur nga viset fqinje për shkak të konflikteve, në kërkim të një jete më të mirë. Në Jordani, tokë kalimtare për shumicën e tyre, është një bashkësi, që i mbështet mijëra irakianët e krishterë, pavarësisht nga sfidat ekonomike e shoqëroro-shëndetësore. Situata nuk është e mirë. Njerëzit mezi sigurojnë bukën e përditshme. Po Pashkët i pritën me gëzim të madh, sepse: “Nga ngjallja e Zotit marrin guximin t’i shikojnë në sy edhe vështirësitë më të mëdha. Me shpresën e ngjalljes. Të  flakjes së çdo rrase, që kërkon t’i kthejë viset e tyre në varr. Krishti sjell jetën, shpresën, guximin për të përballuar çdo vështirësi!”.

Brazili jeton të Premten e Madhe, në pritje…

Nga vendi jugamerikan, frati i vogël Rodrigio Peret, anëtar i organizmit ekumenik “Red Iglesias y Mineria” sjell një dëshmi tronditëse: “Në Brazil po jetojmë të Premten e Madhe”. Situata po rëndohet e të vdekurit arrijnë një mesatare prej 4000 vetësh në ditë, nga shkaku i pandemisë. Të varfërit u goditën më shumë se të gjithë nga kriza, por njëheresh me numrat e tragjedisë, rriten edhe nismat e solidaritetit- pohon.  E kujton posaçërisht lindjen e kuzhinave komunitare në shërbim të jetës, në ndeshjen e përditshme me vdekjen.

Mongolia: Pashkët e një grigje të vogël

Në vendin aziatik, ku jetojnë vetëm 1.300 katolikë, të ndarë në tetë famulli, vendet e kultit janë mbyllur e takimet fetare, ndaluar, për shkak të pandemisë. Mëkëmbësi apostolik i Ulan Batorit, kryeqytet i vendit, pohon: “Ka shumë trishtim, por edhe shumë shpresë. Populli është i bashkuar dhe i gatshëm që t’u bëjë ballë vështirësive. Për të qenë pranë tij, Kisha përdor mjetet shoqërore të komunikimit dhe programet e katekizmit”. Kujtojmë se në Mongoli ungjillëzimi nisi vetëm 29 vjet më parë. Po frytet, që po jep, janë me të vërtetë mahnitëse.  E tregon kremtimi i Pashkëve, gjatë të cilit doli në pah forca shpirtërore që u jep feja besimtarëve për t’i përballuar vështirësitë, me bindjen se Krishti do t’u hapë rrugë të reja, drejt një jete të re, pa sëmundje, pa vdekje, pa vaj.

SHBA-të bisedojnë me Iranin për rihyrjen në marrëveshjen bërthamore

Një delegacion amerikan do të marrë pjesë në bisedimet, javën e ardhshme, në Vjenë, me fuqitë më të mëdha, që nënshkruan marrëveshjen e 2015-tës mbi programin bërthamor iranian. Teherani i refuzon takimet e drejtpërdrejta e kërkon fundin e masave ndërshkimore. Po ky është një lajm vërtet i mirë për mbarë botën. Na rikujton fjalët e Papës në Mesazhin Urbi et Orbi:

“Kumtimi i Pashkëve nuk tregon ndonjë mirazh, nuk zbulon ndonjë formulë magjike, nuk rrëfen rrugëdaljen nga situata e vështirë, që po kalojmë. Pandemia është akoma në kulmin e vet e kriza shoqërore dhe ekonomike, shumë e rëndë, posaçërisht për më të varfërit:  pavarësisht nga kjo - e është shkandulluese - konfliktet e armatosura nuk pushojnë  e arsenalet ushtarake fuqizohen”.

Coronavirus: vijojnë vaksinimet edhe në kohë të Pashkëve

Në SHBA më se 100 milionë vetë e kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës, ndërsa 58 milionë, të dyja dozat. U morën më se 20 milionë doza vetëm në shtatë ditë. Një shifër rekord. Pas këtyre numrave, vjen edhe lajmi i mirë, i shumëpritur: njerëzit që janë vaksinuar plotësisht, mund të udhëtojnë tani në SHBA pa pasur nevojë t’i shtrohetn testit për Covid 19, ose pa rrezikun të vihen në karantinë.

Vaksinat në Evropë

Në Evropë është ndaluar përsëri vaksina kundër Covid-19 e shoqërisë anglo-suedeze AstraZeneca. Ata, të cilët e morën dozën e parë, kërkojnë që e dyta të jetë, mundësisht një BioNTech-Pfizer. Në Mbretërinë e  Bashkuar brenda 24 orëve të fundit u shënua numri më i ulët i rasteve me Covid, që nga shtatori. Por, për fat të keq, edhe raste të reja tromboze. Gjithsesi shpresohet se Evropa do të prodhojë e do t’u dorëzojë brenda gjysmës së korrikut shteteve anëtare, doza të mjaftueshme për të siguruar imunitetin e 70%  të popullsisë së rritur”.

 

05 prill 2021, 14:01