Kërko

Vatican News

Lamtumirë princit Filip, që ndërroi jetë sot, në moshën 99 vjeçare

Një jetë e gjatë nën hijen e mbretëreshës së Anglisë. Nga hero lufte i Marinës Mbretërore tek shkandullet e oborrit e tek sakrificat, në emër të monarkisë britanike. Dashuri e madhe, ajo me mbretëreshën, që filloi me një ndeshje tenisi dhe me një arançatë.

R.SH. - Vatikan

Dhjetra tufa me lule po grumbullohen këto orë para Buckingam Palace, si homazh për princin Filip, që ndërroi jetë sot, në moshën 99 vjeçare, bashkëshort i mbretëreshës Elizabeta të Britanisë së Madhe e të Irlandës së Veriut, si edhe të të gjitha mbretërive të Komonuelthit (Commonwealth). Shumë njerëz janë vënë në procesion për t’i dhënë lamtumirën e fundit njërit prej protagonistëve të jetës kombëtare e të monarkisë britanike. Në portat e hyrjes, shihet qartë teksti i mesazhit, me të cilin mbretëresha Elizabeta njofton vdekjen e të shoqit.

Mesazhi, me të cilin mbretëresha Elizabeta njofton vdekjen e të shoqit
Mesazhi, me të cilin mbretëresha Elizabeta njofton vdekjen e të shoqit

         Skena të ngjashme, edhe para kështjellës së Windsor, në portat e kryeqytetit, ku duka i Edimburgut kaloi muajt e fundit të jetës krah bashkëshortes me të cilën kishte 73 vite martesë. Aty dha frymën e fundit, disa javë pas kthimit nga spitali, ku qëndroi i shtruar për një muaj. Gjithsesi, emergjenca shëndetësore e shkaktuar nga Covid-19, nuk lejon grumbullimin e turmave të mëdha.

Homazhet e njerëzve për princin Filip
Homazhet e njerëzve për princin Filip

         Për mbretëreshën, kjo humbje e dhimbshme e shokut të jetës hap një boshllëk, që nuk do të mbushet kurrë më. Ishte kolegu, që e ndihmoi për 73 vite të mbante kurorën e rëndë të mbretërisë, duke e ndihmuar në çdo vendim e veprim. Për Elizabetën II është çast tejet i vështirë, sepse jeta e saj bazohej në ato marrëdhënie bashkëshortore, që filluan me një lojë tenisi dhe me një arançatë, kur ishte vetëm 13 vjeç, ndërsa ai vetëm 18. Natyrisht, i mbetet Zoti, të cilit, si e krishterë anglikane, i ka qëndruar gjithnjë besnike, gjithnjë e përkushtuar në lutje, të cilave, me siguri, u është drejtuar në këtë çast të vështirë.

         Ishte vetë Elizabeta, që e quajti Filipin “forca dhe pika ime e referimit”, me rastin e 50-vjetorit të martesës. E thirri “udhërrëfyes” gjatë festimeve për 60-vjetorin e kurorës. Pikërisht ajo vetë e përcaktoi këtë bashkim shumë të lumtur, i cili zgjati më se 72 vite, si “çifti në punë”. Megjithatë, kohën më të lumtur, sipas të gjithë ekspertëve, e kaluan për disa muaj në Maltë, të sapomartuar, kur ai ishte thjesht oficer i marinës e ajo, grua shtëpiake. Krenar, i pavarur, me një vizion shumë tradicional të marrëdhënieve bashkëshortore, i apasionuar pas ushtrisë, Filipi ndodhej atëherë, në ujrat e veta. Edhe Elizabeta, gjithnjë e përkushtuar për të shoqin e familjen, ishte tejet e lumtur.

Londra mban zi  për princin Filip
Londra mban zi për princin Filip

         Pastaj lidhjet dhe leqet e monarkisë i sprovuan mjaft marrëdhëniet ndërmjet tyre. Ai, nip i mbretit Konstandin të Greqisë, i internuar pasi i ati u dënua me vdekje, pati njohur varfërinë dhe poshtërimet e refugjatit që kur ishte vetëm 18 muajsh. Për të ndryshuar imazhin e “qenit të madh e të uritur, mësuar të hajë në pjatën e të tjerëve, pa pasur kurrë një të tijën”, siç e pati quajtur e kushërira, Aleksandra, Filipi u dallua duke fituar medalje që në kolegjin detar të Dortmouth-it, ku i gjeti vend mirëbërësi dhe ati i tij adoptiv “Xha Dickie”, lordi Mountbatten, kushëri i mbretëreshës, i cili për vite me radhë endi rrjetën e martesës.

Cifti mbretëror
Cifti mbretëror

         Një karrierë e shkëlqyer, ku spikasnin dy kryqëzorë të fundosur në pesë minuta, gjatë Luftës II Botërore, si edhe titulli i zv.Komandantit të Luftanijes, marrë në moshën 21 vjeçare, një nga oficerët më të rinj në këtë detyrë. Filipit iu desh të hiqte dorë nga “Marina Detare Mbretërore” kur Elizabeta u bë mbretëreshë. Aq i vështirë iu duk ky vendim, sa e shndërroi apartamentin e tij në Buckingham Palace në kabinën e një anijeje. Ishte sakrificë për të të ecte dy hapa pas së shoqes, të ngrihej në këmbë sa herë që ajo hynte edhe në apartamentin e tyre privat. E sakrifica më e madhe ishte vendimi që të mos u jepej mbiemri i tij “Mountbatten” fëmijëve, pasi Elizabeta u kurorëzua mbretëreshë.

Princi Filip
Princi Filip

         Pavarësisht se grua shumë tradicionale, Elizabeta nuk mundi t’ia kalojë kurrë kurorën dhe komandën burrit të saj, por i dha dorë të lirë në administrimin e familjes dhe e mbuloi me tituj e nderime. Sekretin e martesës e zbuluan vetë dy protagonistët, me rastin e 50-vjetorit të bashkimit të tyre, më 1997. “Familja dhe nënshtetasit kanë një borxh të pallogaritshëm ndaj tij”, tha mbretëresha, që kujtoi se ia ka lexuar gjithmonë fjalimet burrit të saj, duke i kërkuar këshilla për përmbajtjen. “Toleranca është përmasa themelore e çdo martese të lumtur e unë mund t’ju siguroj se mbretëresha e ka me bollëk”, u përgjigj Filipi, duke iu referuar durimit, me të cilin sovrania përballonte karakterin e tij kolerik dhe jo shumë diplomatik.

Me fëmijët
Me fëmijët

         Ekspertë të mëdhenj të monarkisë, Elizabeta dhe Filipi e mbajtën të patundur kurorën britanike, por nuk patën të njëjtin sukses me fëmijët. Regjimi i ashpër i imponuar nga i ati, i cili i donte të kalitur fizikisht, nuk iu përshtat mirë Princit Karl, që ishte i ndrojtur dhe i ndjeshëm, e as vëllait të tij më të vogël Eduardit, dashamirës i madh i artit. Sipas biografëve, mbretëresha e ngriti zërin, për herë të parë, për të mbrojtur djalin e saj të vogël, i cili u sulmua keqas nga i ati, sepse nuk arriti të përfundonte kursin e marinsave. Kurora, edhe sot, i paguan haraç mungesave serioze në sferën e dashurisë familjare. Një baba me fëmijëri shumë të vështirë dhe një nënë e angazhuar krejtësisht në rolin e saj si sovrane, në mënyrë të pashmangshme, u bënë prindër të largët dhe jo shumë të ngrohtë, pak të sintonizuar me emocionet e fëmijëve të tyre, ndoshta, jo aq të aftë t’u mësonin dashurinë e shëndetshme dhe të qëndrueshme.

Kur ishin të rinj...
Kur ishin të rinj...

         Impenjimi i fundit zyrtar i Dukës së Edinburgut, në maj 2017, në moshën 96 vjeçare, ishte një paradë e “Royal Marines”, trupave elitare britanike, si për të dëshmuar edhe një herë, sa rëndësi kishte ushtria në jetën e tij. Atëherë, mbërritën shumë nderime për 64 vitet e punës, gjatë të cilave Filipi çoi deri në fund 22.200 impenjime zyrtare - një numër më i madh se ato të mbretëreshës - dhe mbajti 5490 fjalime. Pa dyshim, vendi i tij në histori është i sigurt, si bashkëshort i një sovraneje të madhe, thellësisht i përkushtuar për çështjen e monarkisë.

 

09 prill 2021, 16:44