Kërko

Vatican News

Kardinali Erdő: pandemia na kёrkon t’i rishikojmë përparësitë tona

Tryezë e rrumbullakët radiofonike nё kuadrin e Kongresit të 52-të Ndërkombëtar Eukaristik të Budapestit

R.SH. - Vatikan

Në historinë e njerëzimit, epidemitë e mëdha kanë qenë gjithmonë vijё ujëndarëse epokale të qytetërimit. Situata pandemike na mëson t’i rivlerësojmë gjërat, na ofron një imazh të asaj që vlen dhe tё asaj që është themelore në jetën njerëzore.  Prandaj edhe kjo periudhë pandemie nga koronavirusi na mundёson t’i rishikojmë përparësitë tona. Kёshtu pohoi mes tjerash Kardinali Péter Erdő, kryeipeshkёv i Budapestit, duke folur në një tryezë të rrumbullakët radiofonike mbi fenё, shkencën dhe shoqërinë, në kuadrin e Kongresit të 52-të Ndërkombëtar Eukaristik në Budapest i cili do të mbahet midis 5 e 12 shtatorit tё ardhshëm.

Së bashku me kardinalin Péter Erdő, nё tryezën e rrumbullakët radiofonike morën pjesë Zoltán Balog, ipeshkёv  kalvinist, president pastor i Kishës Kalviniste Hungareze, Slomó Köves, rabin drejtor i Komunitetit të Izraelit të Bashkuar të Hungarisë dhe E. Szilveszter Vizi, neurobiolog, ish-president i Akademisë Hungareze të Shkencave.

Gjatë debatit radiofonik, u evokua edhe figura e murgut hungarez benediktin Szaniszló Jáki, vepra shkencore e të cilit u ndoq nga afër nga papët e ndryshëm; mendimi i tij – vërejtën folësit - mund të konsiderohet si një pararendës i enciklikës Fides et ratio të Papёs Shën Gjon Palit II.

21 prill 2021, 16:02