Kërko

 Frans van der Lugt, 2019.03.27 Frans van der Lugt, 2019.03.27

Gjashtë vjet më parë, në Siri vritej atë Frans van der Lugt

Mbetet i gjallë kujtimi i jezuitit holandez, atë Frans van der Lugt, masakruar në Siri më 7 prill 2014. Ishte 75 vjeç, 50 prej të cilave, kaluar në vendin e Lindjes së Afërt, që në atë çast, përveç luftës të shpërthyer në vitin 2011, vuante nga dhuna e egër e milicëve të Shtetit të vetëshpallur Islamik. Fjalët e Papës në çastin e vrasjes.

R.SH. - Vatikan

I rrëmbyer, i rrahur për vdekje para selisë së Shoqërisë së jezuzitëve në qytetin sirian Holms, atë Frans van der Lugt jetonte në Siri që nga viti 1966. Psikoterapeut, njeri e rregulltar i dialogut, kishte krijuar projektin Al Ard (“toka”), qendër përshpirtërie për fëmijët me kufizime mendore. E nuk kishte pak aty, të gjithë viktima të tmerreve të luftës!

Mbetet i gjallë, angazhimi i jezuitit

Sot katër nga sivëllezërit e tij vijojnë të jetojnë në shtëpinë, ku u vra atë Fransi, më 7 prill 2014 e ku edhe u varros. Udhët e ndërtesat rreth bashkësisë së vogël nuk janë më siç ishin, kur këtu punonte jezuiti martir. U dëmtuan rëndë nga ndeshjet e armatosura. Po jezuitët janë aty e vijojnë të organizojnë takime e kurse, që ndiqen nga dhjetra të rinj e të rritur. E shumë prej tyre ndalohen një çast për t’u lutur tek varri i atë Frans, që nderohet si nga të krishterët, ashtu edhe nga myslimanët. Sepse la aty rininë, dijet, trupin e tij të masakruar nga njerëz që kishin ardhur për të rrënuar, aty ku ai po ndërtonte.

Thirrja e Papës

Rregulltari jezuit holandez fillimisht pati jetuar në një manastir, në qytetin e vjetër të Homsit, duke  u bërë zë i atyre, që nuk kishin zë për t’i treguar botës vuajtjet e tyre. Për të treguar se nuk kishin dritë, nuk kishin ilaçe, nuk kishin bukë! Se ishin të rrethuar, në pritje të vdekjes, nga uria e nga arma e  milicit, ardhur nga kush e di se ku, për të rrënuar jetën e banorëve të këtyre viseve të dërmuara nga lufta. Ai mund të rikthehej nga kishte ardhur. Në vise të tjera. Po nuk i shkoi as nëpër mend ta braktiste vendin e misionit. E kur e vranë, Papa Françesku, në audiencën e pëgjithshme të 9 prillit 2014, e pati kujtuar me fjalët:

“Në Homs të Sirisë u vra i Nderuari Atë Frans van der Lugt, një sivëlla imi jezuit holandez, 75 vjeç, që shkeli në tokën siriane 50 vjet më parë e u bëri gjithnjë mirë të gjithëve, falas e me shumë dashuri, e prandaj ishte i dashur e i nderuar  nga të krishterët e myslimanët. Vrasja e tij brutale më mbushi me dhimbje e më bëri të mendoj se shumë njerëz në botë vijojnë  të vuajnë e të vdesin në këtë vend të martirizuar, në Sirinë time të dashur,  prej një kohe të gjatë pre e një ndeshjeje gjakatare. Mendoj edhe për njerëzit e shumtë të rrëmbyer, të krishterë e myslimanë, sirianë e nga të katër anët e botës, ndërmjet të cilëve, edhe ipeshkvij e meshtarë”.

E, duke përfytyruar kushtet në të cilat jetonte Siria, Papa pati ngritur zërin në thirrjen e fuqishme:

“Ju lutem, të heshtin armët, t’i jepet fund dhunës. Kurrë më luftë! Kurrë më shkatërime!”.

Lista e të vrarëve në Siri

E gjatë është lista me emrat e të vrarëve, viktima të brutalitetit të milicëve të Shtetit të vetëshpallur islamikj (Is), në vitet kur kishte nën kontroll  Sirinë e Irakun. E edhe tani që Kalifati ka kapitulluar, njerëzit e tij, të përhapur nëpër botë, vijojnë të ëndërrojnë mbretërinë e dhunës  e të  krimit E ëndrrat e tyre shpesh bëhen realitet, kur dëgjohet shkrehja e armëve të tyre kriminale në vise të ndryshme të botës. Posaçërisht në viset e krishtera, prej nga u nisën, e nisen, njerëzit si  Atë Frans van der Lugt, për të çuar në viset e largëta paqen, pajtimin, dialogun, dijen!

10 prill 2021, 09:36