Kërko

Vatican News

Filloi Ramazani. Urime të gjithë myslimanëve

Filloi dje muaji i shenjtë për myslimanët të cilët, në të gjithë botën, edhe këtë vit, do të luten, duke marrë parasysh kufizimet kundër koronavirusit. Në Shqipëri e Kosovë, por edhe në vende të tjera, lutja në xhami do të bëhet në mënyrë të tillë që t’u lejojë besimtarëve të kthehen në shtëpi para orës së mbylljes

R.SH. - Vatikan

Ramazani i dytë në kohë pandemie. Muaji i shenjtë i agjërimit dhe i lutjes për myslimanët në të gjithë botën, edhe këtë vit - që dje, kur filloi e deri më 12 maj, kur do të përfundojë - do të përballet me Covid-19 dhe me masat e vendosura nga qeveritë. Lutjet në grupe dhe takimet ndërmjet familjeve e miqve për iftarin e përditshëm, janë të kufizuara. Edhe në trojet shqiptare, gjendja nuk është si vitin e kaluar, kur gjithçka ishte e mbyllur, por lutja në xhami do të mbahet para orarit të zakonshëm, në mënyrë që t’u jepet mundësia besimtarëve të kthehen në shtëpi në kohë, sipas orës së caktuar nga autoritetet. Gjithashtu, duhet respektuar distancimi, numri maksimal i njerëzve të pranishëm në xhami e rregullat higjienike. Natyrisht, xhamitë nuk mund të shtrojnë iftar. Vetë xhamia e Mekës, vend i shenjtë për gjithë myslimanët, do të pastrohet e dezinfektohet 10 herë në ditë, me mbi 60.000 litra lëndë kimike pastruese.

Përmasa shoqërore e Ramazanit

Ramazani kremton kohën kur Allahu i zbulon Muhametit për herë të parë Kuranin. Agjërimi gjatë këtij muaji është një nga shtyllat e Islamit, siç janë edhe dëshmia e fesë, lutja, lëmosha e ligjshme dhe haxhi në Mekë. Gjatë kësaj periudhe, besimtarët, edhe ata që nuk janë shumë praktikantë, agjërojnë nga sabahu në aksham, pasi Ramazani është një nga muajt më të ndierë, edhe për shkak të përmasës së fuqishme shoqërore, që përmban.  Ai edukon durimin, nxit për të ndihmuar të varfërit e nevojtarët, pasi kur njeriu ka uri dhe etje, e kupton më mirë të uriturin e të eturin. Njëlloj si Kreshmët për të krishterët, Ramazani është shkollë intensive solidariteti, altruizmi, afërsie me njerëzit në nevojë.

Urimet tona

Prandaj, ju urojmë nga zemra besimtarëve myslimanë agjërim të lehtë gjatë këtij muaji të shenjtë. Zoti ua pranoftë lutjet e sakrificat, për të qenë – siç nënvizon edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu - “më solidarë me familjet në nevojë, duke i shtrirë dorën njëri-tjetrit në punë të mbara!”

14 prill 2021, 11:40