Asia Bibi, shpresoj të takoj së shpejti Papën Françesku dhe Benediktin XVI
R.SH. - Vatikan
“Shpresoj të vij së shpejti në Romë, do të doja të takoja Papën Françesku dhe Benediktin XVI, dy Papët që bënë thirrje për lirimin tim dhe u lutën për mua”. Këto fjalë janë të Asia Bibit, gruas së krishterë nga Pakistanit, që u akuzua për blasfemi, u burgos për 10 vite me radhë, duke rrezikuar të dënohej me vdekje e së fundi, u lirua nga Gjykata e Lartë, pas një mobilizimi ndërkombëtar në favor të saj. Në një lidhje video me konferencën për shtyp të Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, në Kanada, Asia Bibi mori pjesë në paraqitjen e Raportit mbi lirinë fetare në botë.
Thirrje për respektimin e lirisë fetare
Gruaja falënderoi gazetarët: “falë punës suaj, unë, fëmijët e im shoq jemi gjallë sot dhe jetojmë në Kanada”. “U kërkoj autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre të Pakistanit – pohoi ajo – të jenë më të bashkuar për të respektuar të drejtën e parë të njeriut, mundësinë për të ushtruar lirinë e tij fetare, përndryshe do të ketë shumë Asia Bibi”. Për të ndihmuar gratë, para së gjithash, do të ishte e nevojshme të shfuqizohej, ose të paktën të ndryshohej ligji i blasfemisë. Është si shpata e Damokleut, e cila, ashtu si ligje te tjera në Pakistan, lejon “diskriminimin dhe përndjekjen ligjore të të krishterëve në vend”.
Të shpëtohen vajzat e krishtera nga rrëmbimet
Së fundi, Asia Bibi foli për plagën e vajzave të mitura të krishtera, që rrëmbehen, përdhunohen, kthehen me forcë në Islam dhe martohen me zor me rrëmbyesit e tyre. “I bëj pyetje kryeministrit tim – ngriti zërin Asia Bibi – nëse Islami mëson paqe dhe harmoni, si mund ta pranojë një dhunë të tillë, që bëhet në emër të asaj feje?”