Kërko

Vatican News

Para 60 vitesh, njeriu i parë në hapësirën kozmike: “Prej këtej, Toka është e mrekullueshme e pa kufi”

Më 12 prill 1961, astronauti rus Jurij Gagarin bëri udhëtimin e parë në hapësirën kozmike, gjatë historisë së njerëzimit. Pavarësisht se çfarë u tha nga komunistët sovjetikë, ai besonte në Zotin, ashtu si e gjithë familja

R.SH. - Vatikan

Më 1961 hapet një epokë e re në historinë e zbulimeve botërore. Më 12 prill të atij viti, portën e saj do ta hapë një kozmonaut i ri, që më vonë do të quhej “Kristofor Kolombi i qiejve”. Njeriu i parë, që e pa Tokën nga lart, nga hapësira kozmike, ishte majori rus Jurij Alekseevič Gagarin, i zgjedhur ndërmjet 3461 kandidatëve.

Djali i një marangozi dhe i një bujkeshe, ai lindi në vitin 1934, në një fshat në Oblast të Smolenskut. Rininë e hershme e kaloi në një botë të kërcënuar nga erërat e Luftës së Ftohtë. Ishin vitet në të cilat dy superfuqitë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, bënin gjithçka për të shtuar arsenalet e tyre bërthamore, ndërsa përvijohej fusha e re e betejës, gara për pushtimin e hapësirës kozmike. Në këtë situatë delikate të shekullit të 20-të, si sot, 60 vite më parë, filloi një epokë e re. Një djalë i ri 27 vjeçar, si Uliksi, lundroi drejt së panjohurës, duke kaluar kufij, që dukeshin të pakapërcyeshëm. Ai njeri që, si Ikarus, do të ndërronte jetë gjithnjë në fluturim, gjatë stërvitjes me një avion ushtarak Mig-15, më 27 mars 1968, atë 12 prill pati një takim me historinë.

Rusia kremton Jurij Gagarin
Rusia kremton Jurij Gagarin

Përgjegjësi ndaj gjithë njerëzimit

 Jurij Gagarin është i pari që i hapi njerëzimit rrugën e hapësirave kozmike. Po ju propozojmë disa nga deklaratat e tij, bërë më 12 prill 1961, pak para nisjes.

Gagarin në rusisht, 12 prill 1961

Дорогие друзья, близкие и незнакомые, соотечественники, люди всех стран и континентов! …

Të dashur miq të njohur e të panjohur, bashkatdhetarë dhe njerëz nga të gjitha vendet e kontinentet, brenda pak minutash një anije kozmike e fuqishme do të më çojë në Univers. Çfarë mund t’ju them në minutat e fundit para nisjes? E gjithë jeta ime tani më duket si e ngjeshur në një çast të mrekullueshëm. Gjithçka kam përjetuar dhe bërë deri tani, është përjetuar dhe bërë në përgatitje të këtij momenti. E kupton se e ke të vështirë t’i shprehësh ndjenjat tani që koha e provës është kaq afër, kohë për të cilën jemi përgatitur gjatë dhe me pasion. Nuk kam nevojë t’ju shpjegoj tani çka ndjeva kur më thanë të bëja këtë fluturim, i pari në histori. Gëzim? Jo, nuk ishte vetëm gëzim. Krenari? Jo, nuk ishte vetëm krenari. Ndjeva lumturi të madhe. Të jesh i pari që hyn në hapësirën kozmike, të impenjohesh i vetëm në një duel të paparë me natyrën. A mundet ndokush të ëndërrojë diçka më të madhe se kjo? Por pastaj, mendova për përgjegjësinë e jashtëzakonshme: të jem i pari, që do të bëja çka kishin ëndërruar breza njerëzish. Të jem i pari, që i hap rrugën njerëzimit në hapësirë. A mund të mendohej një detyrë më e vështirë se ajo që më ishte caktuar? Kjo përgjegjësi nuk merret para një njeriu, as para një grupi. Është përgjegjësi para gjithë njerëzimit, para së tashmes dhe së ardhmes së tij. Tani mbeten vetëm disa minuta para nisjes. Ju përshëndes të gjithëve miq të dashur, derisa të takohemi përsëri.

Kapsula e Jurij Gagarin
Kapsula e Jurij Gagarin

108 minuta në hapësirë

Ishte ora 9.07 e Moskës, kur mbërrin përmes radios, përshëndetja e majorit Gagarin, i cili, duke folur me sallën e kontrollit, thotë: Поехали! (“Nisemi!”). Fjalë – fillim i një epoke.

Në bordin e kapsulës kozmike Vostok, e cila u ngrit nga baza Baikonur në Kazakistan, Gagarin bëri një rrotullim të plotë në orbitë rreth Tokës, duke arritur lartësinë maksimale prej 302 km dhe duke udhëtuar me një shpejtësi prej 27.400 kilometra në orë. Fjalët e tij, nga ato lartësi, mbeten fotografia më e mirë e një çasti të pashlyeshëm. “Nga këtu lart – tha Gagarin - Toka është e bukur, pa kufij”. Një frazë tjetër i është atribuar kozmonautit sovjetik për vite me radhë: “Unë nuk shoh ndonjë Zot këtu lart”.

Studiuesit kanë debatuar gjatë nëse këto fjalë janë thënë me të vërtetë nga Gagarin, ose, siç kujtohet në një artikull të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” botuar më 13 prill 2011 e siç nënvizojnë shokët e miqtë e tij, “ato iu atribuan për qëllime politike nga propaganda sovjetike”. Konfirmimi i kësaj erdhi vetëm disa vite më parë nga ish-kozmonauti rus, Valentin Petrov, i cili deklaroi se Gagarin ishte pagëzuar në Kishën Ortodokse Ruse. Një fakt, i ripohuar edhe nga miku i tij Alekseij Leonov, edhe ai legjendë e kozmosit. E bija, Elena, ishte e pagëzuar e në familje kremtohej gjithnjë Krishtlindje e Pashkë. Në shtëpi, Gagarin kishte shumë ikona fetare.

Jurij Gagarin me familjen
Jurij Gagarin me familjen

Së fundi, kujtojmë se misioni i astronautit të parë në kozmos zgjati gjithsej një orë e 48 minuta e përfundoi me daljen e Gagarin nga kabina e me hapjen e parashutës. Gjë, që u konfirmua vetëm 30 vite më vonë nga regjimi sovjetik, për shkak të frikës se misioni mund të mos pranohej si i tillë nga Federata Ndërkombëtare e Astronautëve. Edhe videoja e nisjes së anijes kozmike u publikua vetëm 7 vite pas misionit të Jurij Gagarin, njeriut të parë në hapësirë.

Jurij Gagarin i veshur si major
Jurij Gagarin i veshur si major
12 prill 2021, 13:07