Kërko

Shahbaz Bhatti Shahbaz Bhatti 

Pakistan: dhjetë vjet më parë, vrasja e Shahbaz Bhatti-t

Sot bie dhjetë vjetori i vrasjes së ministrit për Pakicat e Pakistanit, një mbrojtës i vendosur i të drejtave të të mënjanuarve dhe të tё shtypurve. Shahbaz Bhatti, në ato vite, arriti masa të shumta në mbështetje të pakicave fetare.

R.SH. - Vatikan

Si sot më 2 marsin e dhjetë vjetëve më parë, Pakistani humbiste ministrin për Pakicat, Shahbaz Batti, vrarë nga ekstremistët islamikë. Njeri me fe të thellë katolike, por edhe politikan me horizont të gjerë, qё ia kishte kushtuar jetën mbrojtjes së të brishtëve dhe të mënjanuarve. I la vendit një trashëgimi të rëndësishme në udhën e të drejtave të njeriut, por kishte edhe shumë për të bërë, sidomos, përsa i përket ligjit mbi blasfeminë dhe të drejtat e pakicave.

Clement Shahbaz Bhatti u vra, në Islamabad, paraditen e 2 marsit 2011, ndërsa shkonte në punё, në postin e tij si ministër i Pakistanit për Pakicat, post që mbante nga viti 2008, i vetmi ministër katolik i pranishëm në qeverinë e vendit, emëruar nën presidencën e Asif Ali Zardari. Clement Shahbaz Bhatti, në ato vite, arriti masa të shumta në mbështetje të pakicave fetare. Bhatti ishte edhe në krye të National Interfaith Consultation (Konsultës Kombëtare Ndërfetare), organizatë që bashkoi udhëheqësit fetarë të të gjitha besimeve nga i gjithë Pakistani, qё madje doli edhe me një deklaratë të përbashkët kundër terrorizmit.

Shahbaz Bhatti ishte laik i krishterё i shuguruar, luftoi deri në fund për t’i mbrojtur dhe për t’i promovuar pakicat fetare në Pakistan, ndër të cilët, sivëllezërit në fe, të krishterët dhe tё tjerët. Figura karizmatike e tij doli në pah si në vitet e shkollës, kur ishte në krye të studentëve për të përfaqësuar të rinjtë e krishterë, ashtu edhe pas universitetit, kur, pavarësisht nga akuzat, vazhdoi të dëshmojë vlerat njerёzore e ungjilliore me çdo gjest e çdo fjalë. Në veçanti, duke bashkëpunuar me ipeshkvin, imzot Anthony Lobo dhe nën udhëheqjen e tij, Shahbazi ndjeu nevojën t’ia kushtonte veprimtarinë e vet zhvillimit dhe mbrojtjes së të krishterëve e të pakicave fetare në Pakistan, sepse pakicat e sidomos të krishterët janë bashkëthemelues të vendit.

E ati i Pakistanit, Mohammad Ali Jinnah, fliste për një shtet “laik”, ku feja nuk ndërhyn në çështjet shtetërore. Fatkeqësisht, sot, shteti i Pakistanit është bërë islamik, me pasoja shumë negative jo vetëm për pakicat fetare, por edhe për disa grupe islame, si për shembull, shiitët, që përjetojnë një gjendje edhe më të keqe se të krishterët dhe pakicat e tjera në vend.

Me vrasjes e ministrit për Pakicat, Shahbaz Batti, në Pakistan edhe ministria lindi dhe vdiq me të, pavarësisht se i vëllai, Paul Bhatti, po përpiqet ta ringjallë pikërisht për t’i mbrojtur grupet më të persekutuara nё vend, sidomos të krishterët. Ministria e Pakistanit për Mbrojtjen e Pakicave qё lindi me Shahbaz Bhatti-n, dalëngadalë u shua, fillimisht u shndërrua në strukturë për Harmoninë Kombëtare e pastaj, për Harmoninë Ndërfetare. Sot, kjo strukturë është reduktuar në një departament të Ministrisë për Punët Fetare, që ka qenë gjithmonë vendi i legjislacionit islamik dhe i veprimtarisë islamike në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

Veprimi i Clement Shahbaz Bhatti qe frymëzuar gjithmonë nga e mira për të mënjanuarit dhe të shtypurit, nga respektimi plotё tё drejtave tёn barabarta njerëzore, shoqërore dhe fetare. Po gjendja e të krishterëve dhe e pakicave fetare në Pakistan, pas vdekjes së Shahbaz Bhatti-t, është keqësuar. Prandaj, sot përkujtohet vdekja e një martiri e me tё edhe luftimi kundër persekutimeve.

02 mars 2021, 11:28