Kërko

Vatican News

Ndërroi jetë në Romë, Terezina Bumçi, Nëna e Klaudies dhe e Gencit

Ndërroi jetë në Romë, Terezina Bumçi, Nëna e Klaudies dhe e Gencit. Mesha e Dritës, nesër, ora 10.00, në Chiesa San Giuseppe al Aurelio, Via Giuseppe Marello, 5/13, Romë

R.SH. - Vatikan

Redaksia e Gjuhës Shqipe pranë Radio Vatikanit – Vatican News është në zi: ndërroi jetë Terezina Benussi Bumçi, nëna e koleges, bashkëpunëtores, shoqes sonë prej dhjetëra vitesh, Klaudia Bumçit, zëvendës-kryeredaktore e punës sonë të përditshme. E ndajmë me të pikëllimin për humbjen e Nënës, të cilën e shoqëroi deri në frymën e fundit, me përdëllim e kujdes, me lot në sy dhe me mirёnjohje pёr njё jetё tё dhuruar deri nё mbarim, për dashuri.

Përfaqësuese tipike e breznisë së humbur, Terezina Benussi Bumçi u kthye nё shtëpinё e Hyjit Atё, për të rrëfyer historinë e jetës së një brezi shqiptarёsh të dënuar, nё kohёn e regjimit tё diktaturёs komuniste, që në djep. Ishte e fëmija e katërt e Gjush Benussit, birit të një familjeje me histori të lashtë e të jashtëzakonshme. I pari i saj, Giorgio Bernardo (për hollësi shih “Gazeta shqiptare, 7-8 shtator 2002),  erdhi nga Rovignio D’Istria në Shkodër më 1828, me kërkesën e Vezirit, si specialist i artilerisë së rëndë. Për të lënë pas një aradhe bijsh të shquar, ndërmjet të cilëve edhe një Ministër arsimi si dhe  Gjushin, babain e Terezinës, që solli i pari stenografinë në Shqipëri. 

Në gjirin e një familjeje të tillë lindi, më 16 prill 1941, Terezina. Më e vogla pas katër vëllezërve, vinte, pra, në Shqipërinë e “posaçliruar”, nga një familje borgjeze, fajtore “për gjitha vuajtjet e popullit nën regjimet e kaluara”. Me këto “damka” në biografi do të kryente shkollën, që nga fillorja, në të mesmen. Lindi “fajtore” e u rrit pa ëndrra! E vetëdijshme se do t’i gjente të mbyllura dyert e të gjitha shkollave të larta, nisi punën si llogaritare, por as për këtë vend pune “nuk qe e denjë në regjimin komunist tё Shqipёrisё”. Këtë herë u fajësua pse njëri prej vëllezërve të saj qe martuar me një bullgare e bashkë me të kishte shkuar të jetonte në Amerikë. Atëhere nisi punën e rëndë të krahut, si paketuese mallrash ushqimore, me të cilën u mor në kohën më të bukur të jetës, gjithnjë me frikë e ankth se do ta hiqnin edhe që aty, sepse në Shqipërinë diktatoriale njerëz si ajo duhet të thanin edhe kënetat….

Më pas iu shtua një “njollë tjetër” në biografi: më 1964 shkoi nuse në fisin e famshëm Bumçi që, ndërmjet tjerash, i kishte dhuruar Shqipërisë mbrojtësin e kufijve të saj jugorë, duke i shpëtuar Korçën e Gjirokastrën përmes kryeipeshkvit, imzotit të madh Luigj Bumçi. Por nusja e hijshme e sportistit të mirënjohur Boris Bumçi diti ta përballojë, me heroizëm të heshtur, si bashkëshorte dhe nënë shembullore, edhe këtë periudhë të jetës.

Kur ra diktatura komuniste nё Shqipёri e mund të shpresonte për një rreze drite, mbi jetën e saj u dynd  terr i ri: sëmundja e rëndë e  shokut të jetës, që e mposhti trupin e tij të fuqishëm aq, sa të mos mundej as të ngrihej më në këmbë. Atëhere gruaja e fisme harroi ndryshimin ndërmjet dritës e errësirës, te koka e shokut të dashur të jetës ditë-natë. Stërmundim që këto ditë bëri punën e vet: e mposhti! Një jetë e martirizuar, por jo e humbur, e vënë  në shërbim të familjes, të fëmijëve, tё mbesave dhe të të gjithë atyre, të cilët kishin dhimbje e nevojë për një fjalë të mirë, që Terezinës nuk i mungoi kurrë, deri për ata, të cilët ia nxinë gjithë jetën! Mbeti shembull i shkëlqyer i shpirtit të krishterë! Deri në fund, kur vendin e diktaturës e zunë sëmundjet, që i kishin nisur nga jeta nën thundrën e saj. Kur gjallonte duke u lutur, duke kremtuar fshehurazi Pashkë, Këshndella, ditë emrash e festa të tjera fetare, që i jepnin kuptim e shpresё jetës, e cila do të kishte qenë krejt ndryshe, në rrethana të tjera, sepse ajo qe në gjendje të vijonte studimet edhe në shkollat më kërkuese, mbasi i trashëgonte të gjitha virtytet, për të cilat qenë shquar Benussët e parë. E shquhen të sotmit!

Tani u kthye nё shtёpinё e Hyjit Atё, nё banesёn e amshuar, ku sigurisht e pret Shenjtorja që i  pati falur emrin e i pati mësuar devocionin pa kushte ndaj Krishtit: Shën Terezina e Krishtit Fëmijë, që resh vazhdimisht shi prej petalesh trëndafili mbi kokat e njerëzve, të cilët e dinë se në Dritën e Zotit nuk do të jenë më “breza të humbur”, por të zgjedhur! 

Mesha e Dritës për shpirtin e Terezinës do të kremtohet nesër, mё 22 mars 2021, në orën 10.00 në Kishën e Shën Jozefit, në Boccea. Më pas varrimi, në Romë, pranë shokut të jetës.

Adresa e plotë:

Chiesa San Giuseppe al Aurelio, Via Giuseppe Marello, 5/13, Romë.

Jeta na është dhuruar për të kërkuar Zotin,

Vdekja për ta gjetur,

Amshimi për ta shijuar për gjithmonë

Po e kujtojmё Terezina Benussi Bumçin me uratёn drejtuar Zotit tё Jetёs:  

Epja, o Zot, pushimin e pasosun
E i ndritët drita e pambarueme!
Pushoftë në paqe! 
Ashtu kjoftë!

Pushofsh në paqen e Krishtit!

21 mars 2021, 13:36