Kërko

Vatican News

Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor: udhëtimi i Papës në Irak hap i ri drejt dialogut

Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor vlerëson vizitën e Papës Françesku në Irak dhe pohon se është hap i rëndësishëm për promovimin e vlerave të vëllazërimit njerëzor. Ai do të përgatisë një studim mbi rezultatet e kësaj vizite, në mënyrë që ajo të merret parasysh në planet dhe programet e tij në të ardhmen, për të mirën e gjithë irakianëve.

R.SH. - Vatikan

Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor vlerëson vizitën historike të Papës Françesku në Irak, duke e konsideruar një çast të rëndësishëm për mbarë botën dhe një promovim të vërtetë të vlerave të mbrojtura nga Dokumenti i Abu Dabit mbi Vëllazërimin Njerëzor. “Gjatë udhëtimit të tij katër-ditor në Irak, Ati i Shenjtë vizitoi një sërë qytetesh irakiane, si Bagdadin, Naxhafin, Erbilin dhe Mosulin – shkruhet në deklaratën për shtyp. - Mori pjesë edhe në një takim ndërfetar në Ur. Gjatë fjalës, që mbajti në këtë qytet, Papa theksoi rëndësinë e promovimit të vëllazërimit njerëzor dhe u bëri thirrje të gjithë besimtarëve t’u rijapin jetë këtyre vlerave”.

Kardinali Ayuso Guixot, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe anëtar i Komitetit të Lartë të Vëllazërimit Njerëzor, i cili e shoqëroi Papën në vizitën e tij në Irak, deklaron se Françesku synon të “promovojë dialogun kulturor dhe kulturën e bashkimit e të gjithëpërfshirjes, në mënyrë që secili në shoqërinë tonë të mund të gëzojë paqen në jetë, pavarësisht nga raca, kultura, ose feja”.

Nga ana tjetër, prof. Mohamed al-Mahrasawi, kryetar i Universitetit të Al-Azharit dhe anëtar i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, nënvizon se vizita e Papës Françesku ishte shërim për plagët e popullit irakian, pas vitesh lufte e shkatërrimi. Ajo do të shërbejë si thirrje për tolerancë dhe bashkim rreth vlerave të qytetarisë dhe të bashkëjetesës ndërmjet gjithë irakianëve dhe gjithë popujve të rajonit. Gjithashtu, është përgjigjja më e mirë kundër thirrjeve për urrejtje dhe ekstremizëm, që u morën jetën shumë njerëzve dhe shpërngulën miliona të pafajshëm.

Shkëlqesia e tij Mohamed Khalifa Al Mubarak, Kryetar i Departamentit të Kulturës dhe Turizmit në Abu Dabi, edhe ai anëtar i Komitetit, vlerëson rezultatet e vizitës papnore në Irak, duke theksuar se gatishmëria e Atit të Shenjtë për ta çuar deri në fund shtegtimin pasqyron besimin në nevojën për të zbatuar parimet e vëllazërimit njerëzor. Sipas tij, udhëtimi në Irak është zbatim praktik i Dokumentit për Vëllazërimin dhe shembull për ç’mund të arrihet përmes vëllazërimit para thirrjeve për përçarje, urrejtje dhe ekstremizëm.

Nga ana e tij, gjykatësi Mohamed Abdelsalam, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit të Lartë të Vëllazërimit Njerëzor, thekson se vizita historike e Papës Françesku në Irak nxorri në dritë larminë fetare dhe kulturore të vendit e të rajonit dhe tregoi si mund të shërbejë kjo larmi për të arritur paqen dhe bashkimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Gjithashtu, i çoi botës një mesazh të fuqishëm për mbështetjen e viktimave të luftës e të fundamentalizmit, duke kërkuar që ato të mos braktisen kurrë. Komiteti do të përgatisë një studim mbi rezultatet e kësaj vizite, në mënyrë që ajo të merret parasysh në planet dhe programet e tij në të ardhmen, për të mirën e gjithë irakianëve.

09 mars 2021, 14:04