Kërko

Vatican News
Balicia di San Clemente, Crocefissione Balicia di San Clemente, Crocefissione 

Më 22 mars kalendari përkujton shën Benvenuton Scotivoli, ipeshkëv

Shën Benvenuto, ipeshkëv, ishte njeri me fe të gjallë e përvujtëri të thellë, e jo më pak, me kulturë të jashtëzakonshme teologjike. Si ipeshkëv në dioqezën e Osimo-s, Benvenuto promovoi paqen ndërmjet qytetarëve e, jetoi dhe veproi në frymën e Fretërve të Vegjël, deri sa ndërroi jetë më 22 mars 1282.

R.SH. - Vatikan

Më 22 mars Kisha katolike përkujton shën Benvenuto-n, që në shqip tingëllon “Mirëserdhe”, ipeshkëv, njeri me fe të gjallë e përvujtëri të thellë, e jo më pak, me kulturë të jashtëzakonshme teologjike.

Lindur në Ankona në një epokë të panjohur, Benvenuto studio drejtësinë në Bolonjë nën drejtimin e Silvestro Gussolino-s, kanonik nga Osimo. Pastaj u emërua  kapelan papnor e, para vitit 1262, kryediakon i Ankona-s. Më 10 gusht të vitit 1263 bëhet administrator i dioqezës së Osimo-s në Marche, e cila qe bashkuar me atë të Umana-s nga Papa Gregori IX ( si ndëshkim për kalimin në krahun e Federikut II), duke zëvendësuar në këtë dioqezë Giovanni Colonna-n.

Benvenuto, françeskan, bashkëmoshatar e bashkëpunëtor i ngushtë me shën Bonaventurën, në një periudhë kur ndodhin çarjet e para të familjes françeskane, e cila u nda në observantë e konventualë. Shën Bonaventura është biografi më i ditur e më i besueshëm i shën Françeskut të Asizit, themeluesit të etërve françeskanë.

Si ipeshkëv në dioqezën e Osimo-s, Benvenuto promovoi paqen ndërmjet qytetarëve e, jetoi dhe veproi në frymën e Fretërve të Vegjël, deri sa ndërroi jetë më 22 mars 1282.

U varros në katedralen e Osimo-s, në një mauzole, përgatitur për të nga kleri e nga populli. Më 1 korrik u mbart në kriptën e së njëjtës katedrale. Benvenuto nuk është shpallur kurrë zyrtarisht shenjt nga Kisha, e megjithatë populli e zgjodhi si Pajtor qiellor të qytetit të Osimo-s që më 1755. Festa e tij, në dioqezën osimiane e në atë të Cingolit, ashtu edhe në urdhrin françeskan, kremtohet nga kalendari kishtar më 22 mars.

22 mars 2021, 11:31