Kërko

Vatican News
San Zaccaria, Basilica di san Paolo fuori le mura San Zaccaria, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Më 15 mars kalendari kishtar përkujton Shën Zakarinë, Papë

Shën Zakaria u zgjodh papë në dhjetor të vitit 741. Periudha kur u ul në fronin papnor, ishte tejet e vështirë për Kishën. Longobardët, të komanduar nga mbreti Liutprando, ishin në portat e Romës, ndërsa Perandoria e Lindjes, në kulmin e luftës së ikonathyesve. Papa u përpoq t’i zgjidhte konfliktet e mprehta, mes të cilave duhej të kryente misionin e tij.

R.SH. - Vatikan

Më 15 mars kalendari kishtar përkujton Shën Zakarinë, Papë

Zakaria Papë nga 10 dhjetori i vitit 741, deri më 15 mars 752, Zakaria ishte bir i një familjeje greke, me banim në Kalabri, ku edhe lindi në vitin 700 pas Krishtit. Duhet të ketë qenë diakon i Kishës së Romës, sepse emrin e tij e gjejmë ndërmjet nënshkruesve të Sinodit romak të vitit 732. U zgjodh papë në dhjetor të vitit 741, pas Gregorit III (731-741), pa kërkuar më konfirmimin e ekzarkut perandorak të Ravenës. Periudha kur u ul në fronin papnor, ishte tejet e vështirë për Kishën. Longobardët, të komanduar nga mbreti Liutprando, ishin në portat e Romës, ndërsa Perandoria e Lindjes, në kulmin e luftës së ikonathyesve. 

Papa Zakaria u përpoq t’i zgjidhte konfliktet e mprehta, mes të cilave duhej të kryente misionin e tij. U takua, në Terni, me Liutprandin dhe me disa fisnikë të kohës, që vijonin të ndesheshin për zgjerimin e principatave të tyre. Arriti t’i kthente sundimin e ligjshëm edhe dinastisë së re karolinge, në Francë.  Përsa i përket Perandorisë së Lindjes, pati marrëdhënie të stuhishme me perandorin Kostandini V Kopronim (718-775), nxitës i politikës së thyerjes së ikonave. Pas shumë përpjekjesh, ia doli mbanesh ta afrojë me Kishën e Romës. 

Thirri dy Sinode për Romën, në të cilat konfirmoi dënimin e shqiptuar nga Shën Bonifaci kundër dy heretikëve, Adalbertit e Klementit. I qeverisi me sukses Kishën dhe trojet, që i përkisnin, për dhjetë vjet me radhë. Gjatë papnisë së tij organizoi kolonitë bujqësore, rindërtoi pallatin e dëmtuar të Lateranit, zbukuroi Kishën e lashtë të Shën Marisë, në këmbët e kodrës Palatine, ku ruhet ende portreti i tij, realizuar kur ishte gjallë. 

Zakaria, i fundmi papë grek, erudit i thellë, vdiq më 15 mars të vitit 752, në Romë e u varros në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Emri Zakari vjen nga gjuha aramajke e do të thotë ‘kujtesë e Zotit’. Për të, në Martiriologun Romak, shkruhet: Zakaria papë i vuri pritë pushtimit longobard; u tregoi frankëve cila ishte qeverisja më e drejtë; ndërtoi Kisha për popujt gjermanikë dhe siguroi unitetin me Kishat e Lindjes, duke e drejtuar Kishën e Zotit me mprehtësi e urti të madhe.

15 mars 2021, 09:19