Kërko

2020.10.05 2016.07.30 Papa Francesco prega davanti la Cappella Santa Faustina Kowalska, Santuario della Divina Misericordia 2020.10.05 2016.07.30 Papa Francesco prega davanti la Cappella Santa Faustina Kowalska, Santuario della Divina Misericordia 

Polonia në lutje pёr 90 vjetorin e dukjeve të Jezusit motrës Faustina Kowalska

Kremtimet në zemër të Evropës nënvizuan rëndësinë e mesazhit të Mëshirës që Jezusi i solli Motrës Faustina Kowalska më 22 shkurt 1931 dhe forcën e shpresës që lind prej saj për të gjithë njerëzit.

R.SH, - Vatikan

Kisha Polake, me një kremtim solemn liturgjik, të kryesuar nga Imzot Jan Romeo Pawlowski, Sekretar i Selisë sё Shenjtë për Përfaqësitë (diplomatike) Papnore, kremtoi dje 90 vjetorin e dukjes së parë të Jezusit Motrёs Shën Faustina Kowalska, apostulle e Mëshirës Hyjnore e cila, në qelinë e kuvendit të Płock, të Kongregregatës së Motrave të Zojës së Mëshirës, mori nga Zoti porosinë të pikturonte një kuadër me shënimin: “Jezus, besoj në Ty!”.

Jezus, besoj në Ty

Më 22 shkurt 1931, në kuvendin e Plock, në Poloni, Jezusi iu shfaq motrës Faustina - e lumnuar më 1993 dhe e kanonizuar më 2000 nga Shën Gjon Pali II - dhe asaj ia besoi misionin e shpalljes së Mëshirës së Tij Hyjnore në botë, duke përhapur imazhin e Tij, siç e porosit gjate dukjeve, me fjalët "Jezus, besoj nё ty!", dhe transmetimin e formave të reja tё kultit të Mëshirës Hyjnore. “Përmes Zemrës së Krishtit të kryqëzuar Mëshira Hyjnore arrin tek njerëzit: ‘Bija ime, thuaju të gjithëve se unë jam Dashuria dhe Mëshira’, i kërkoi Jezusi Motër Faustinës. Kjo mëshirë e Krishtit dikohet mbi njerëzimin përmes dërgimit të Shpirtit Shenjt Hyj që, në Trini, është Vetja-Dashuri”.

Gjatë kremtimit, Imzot Pavlowski kujtoi se "sot, pas 90 vjetësh, lutja 'Jezus, besoj në Ty' ёshtë përkthyer në qindra gjuhë dhe përsëritet miliona herë. Prandaj mund të guxojmë të themi se kjo lutje në një farë mënyre e plotëson 'Ati ynë-n' - deklaroi imzot Pavlowski -, lutjen e vendosur nga vetë Jezusi për t’i mësuar dishepujt e tij se si t'i drejtohen Atit, ndërsa lutja që i mësoi Motrës Faustina - shpjegoi Pavlowski - na tregon se si t’i drejtohemi Birit të Mëshirshëm".

Me këtë rast, Papa Françesku deshi të tregonte afërsinë e tij përmes një letre drejtuar ipeshkvit të Płock, Imzot Piotr Libera, në të cilën Ati i Shenjtё Bergoglio kujton fjalët e Jezusit që Motër Faustina ka shkruar në "Ditarin" e saj: "Njerëzimi nuk do të njohë paqen derisa nuk kthehet tek burimi i mëshirës sime”.

Njerëzimi ka nevojë për një mesazh shprese

Presidenti i Republikës sё Polonisё, Andrzej Duda, nё pamundёsi për të marrë pjesë personalisht, në një mesazh dërguar me rastin e kёtij kremtimi, tha se ёshtё i bindur "veçanërisht në kohët moderne", se "njerëzimi ka nevojë për solidaritet dhe shpresë që jehojnë aq fort në shkrimet e të dy Shenjtorëve”, Motёr Faustinёs e Shën Gjon Palit II.

Në fakt, Papёs Shën Gjon Palit II, i devotshëm ndaj Mëshirës Hyjnore që në moshë të re, i shkon merita që e bëri të njohur nё botë. Më 1965, kur ishte kryeipeshkёv i Krakovit, Wojtila promovoi kauzën kishtare tё beatifikimit të Motrës Faustina në nivelin e Kishёs dioqezane, e cila përfundoi pozitivisht më 1967. Pasi u bë Papё, më 1978 e shpalli Mëshirën Hyjnore si një nga elementet themelore për shëlbimin e njerëzimit; më 1980 botoi enciklikën "Dives in misericordia"; dhe në Shenjtëroren e Lagiewniki, më 17 gusht 2002, ia besoi veten, Kishën dhe mbarë botën Mëshirës së Zotit.

Papai Shenjtë Wojtila e shpalli tё Lume Motrën Faustina më 1993 dhe e shenjtëroi më 2000, vit në të cilin Kongregata e Selisё sё Shenjtё për Kultin Hyjnor dhe Disiplinёn e Sakramenteve e vendosi kremtimin e Festës sё Mëshirës Hyjnore të Dielën e parë pas Pashkëve.

Në Poloni, një nga frytet e pёrkushtimit të botës Mëshirës Hyjnore ishte vendimi për ndërtimin e një Shenjtёrore të Mëshirës Hyjnore në Vilnius, qytet ku motra Faustina pati shumicën e dukjeve të saj nga Jezusi dhe ku mori rruzarёn e Mëshirës Hyjnore. Fama e shenjtërisë sё motrës Faustina, e cila vdiq nga tuberkulozi në moshën 33 vjeçare, u rrit me kalimin e kohës së bashku me përhapjen e kultit të Mëshirës Hyjnore, pas hireve të fituaranga Zotit me ndërmjetësimin e saj. Në vitin 2016, me rastin e Ditës Botërore të Rinisë mbajtur në Krakov, rreth 1.5 milion shtegtarë të rinj nga 182 vende të botës vizituan Shenjtëroren Łagiewniki. Kujtojmё se në kёtё Shenjtёrore tё Mёshirёs Hyjnore çdo vit rreth 2.5 milion besimtarë, nga të gjitha viset e botës, shkojnë për t'iu lutur Zotit pranë relikteve të Shenjtës Faustina Kowalska.

Nga Ditari Shenjtes Kowalska “Mëshira Hyjnore në shpirtin tim”

Në Ditarin e Shenjtores Kowalska, titulluar “Mëshira Hyjnore në shpirtin tim”, Jezu Krishti i duket Faustinës dhe i thotë:

“Përmes teje, ashtu si përmes kësaj Hosteje, do të kalojnë rrezet e Mëshirës sime mbi botë”(Ditari,441)

E, në vijim:

“... Zemra ime është e rrëmbushur me mëshirë për shpirtrat.(...) Oh! Sikur ta kuptonin  se unë jam për ta më i miri i Etërve; se për ta gurroi nga Zemra ime Gjaku e Uji, si nga një gurrë e pashterrshme Mëshire: se për ta banoj në tabernakull e se, si Mbret i mëshirës, dëshiroj ta shuaj etjen e shpirtrave me hire, po nuk duan ta pranojnë (...). Oh, sa madhe është indiferenca e shpirtrave për gjithë këtë mirësi, për gjithë këto prova dashurie(...). kanë kohë për gjithçka: për të ardhur tek unë e për të marrë hire nuk kanë kohë...” (Ditari, 367).

“Sa të palumtur, ata që nuk përfitojnë nga mrekullia e Mëshirës Hyjnore! Do ta thërrisni më kot, kur do të jetë tepër vonë!”. (Ditari 1448).

“Thuaju mëkatarëve se askush nuk do të shpëtojë nga duart e mia. Nëse ikin  nga zemra ime përdëllyese, do të bien në duart e drejtësisë sime. Thuaju mëkatarëve se  i pres gjithnjë, se i dëgjoj edhe rrahjet më të lehta të zemrave të tyre, për t’u kujtuar menjëherë kur rreh për mua. Shkruaj se u flas me brerjet e ndërgjegjes, me mossukseset e vuajtjet, me stuhi e bubullima; u flas me zërin e Kishës...” (Ditari 1728).

E Diela parё pas Pashkёve, in Albis (Festa e Mëshirës Hyjnore): “Sot ia ofrova përsëri veten Zotit si fli për mëkatarët. O Jezusi im, nëse po më troket ora e fundit, të lutem përvujtërisht, pranoje vdekjen time në bashkim me Ty, si therore, që unë, me vetëdije të plotë, po ta dhuroj për një qëllim të trefishtë:

Së pari, që vepra e Mëshirës sate të përhapet në botën mbarë e që festa  e kësaj Mëshire të miratohet e të kremtohet solemnisht.

Së dyti, që mëkatarët, e posaçërisht shpirtrat, në prag të shtegtimit të fundit, t’i drejtohen Mëshirës sate për shpëtimin e amshuar.

Së treti, që festa e Mëshirës të jetë strehë e mbrojtje për të gjithë shpirtrat e në atë ditë nga të katër anët të gurrojnë hiret hyjnore”.

Këto, disa fragmente nga Ditari, që na nxisin të mendojmë edhe për figurën e Mëshirës Hyjnore, që vjen nga vegimi i 22 shkurtit 1931. E pastaj, për orën e lutjen e Mëshirës, të cilën ia kërkoi e ia mësoi motër Faustinës vetë Jezusi, për  t’ia drejtuar Mëshirës së tij Hyjnore.

Për festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Shёn Gjon Pali II gjatë kanonizimit të Motrës Faustina, që Kisha e kremton si "E Diela e Mëshirës Hyjnore". Mendojmë edhe për përhapjen këtij kulti, që sot vijon përmes atyre që quhen "apostujt e Mëshirës Hyjnore".

23 shkurt 2021, 15:42