Kërko

Vatican News

Kongo, Crociata: e rëndësishme, dëshmia e ndërtuesve të paqes

Lajmi për vrasjen tragjike të ambasadorit italian në Republikën Demokratike të Kongos, Luca Attanasio, të një karabinieri dhe të shoferit, që i shoqëronte, tronditi botën. Imzot Crociata: pavarësisht se të vetëdijshëm për rreziqet, u vunë në shërbim të paqes dhe të drejtësisë

R.SH. - Vatikan

Dhimbje dhe tronditje nga çdo anë e botës për vrasjen e djeshme të ambasadorit italian në Republikën Demokratike të Kongos, 43-vjeçarit Luca Attanasio, të karabinierit 30-vjeçar Vittorio Iacovacci dhe të shoferit të tyre kongolez Mustapha Milambo. Ata po udhëtonin me makinë, pjesë e një autokolone të Monusco-s, misionit të OKB-së për stabilizimin e vendit afrikan. Sipas gjasave, sulmi u bë për ta rrëmbyer e marrë peng ambasadorin. Ministria e Brendshme Kongoleze akuzon rebelët Hutu të të ashtuquajturave “Forca Demokratike për çlirimin e Ruandës” (Fdlr-Foca).

Lajmi preku edhe zv.kryetarin e Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (Comece), imzot Mariano Crociata, i cili, në mikrofonin e Vatican News, shpreh afërsinë e tij me familjet e të vrarëve dhe lutet për viktimat e këtij atentati tragjik.

Personalisht, i telefonova familjes së ambasadorit, që natyrisht, është mbyllur në dhimbje, e rrethuar nga fqinjët dhe të afërmit. Dje pasdite, në Fossanova, u kremtua mesha për Vittorio Iacovacci-n e për të tjerët, që u vranë. Gjëja e parë, që duhet thënë e bërë është kjo: afërsi, afërsi. Gjëja e dytë është ta kuptojmë dëshminë, që na jep ky fund tragjik, sepse ka njerëz që gjatë punës e detyrës së tyre, në kuadrin e shërbimit diplomatik apo në fushën e sigurimit, pavarësisht se të vetëdijshëm për rreziqet, vihen në shërbim të kauzës së paqes në një tokë të vështirë, si Kongo, në kontekstin e Kombeve të Bashkuara. Kjo është diçka e mirë. Ky është mesazhi i dytë, që duhet kuptuar në këtë çast. E reflektimi i tretë ka të bëjë me gjendjen politike e ushtarake të vendeve si Republika Demokratike e Kongos, që janë jashtë kontrollit, me përgjegjësinë e pushtetit ekonomik e politik.

Mendoj se opinioni publik duhet të bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm për këtë dhe ta ngrejë zërin. Mediat duhet të flasin. Ngjarje të tilla nuk janë fatalitet. Janë fenomene të shkaktuara nga konfliktet, padrejtësitë që, në një farë mënyre, ushqehen enkas, ose tolerohen e nuk kundërshtohen si duhet nga një rend me drejtësi e ligjshmëri, i cili fatkeqësisht mungon në shumë territore. Prandaj, dua të them këto tri gjëra: afërsi, lutje për familjen dhe për viktimat, vlerësim për shembullin e atyre, që vihen në shërbim, duke rrezikuar edhe jetën e, pastaj, vetëdije për përgjegjësinë. Ky është reflektimi pas kësaj situate.

Papa Françesku përsërit shpesh se kemi nevojë për “ndërtues të paqes”. Në këtë rast, u desh një tragjedi për të nxjerrë në dritë përvojën jetësore të këtyre njerëzve, të impenjuar për arritjen e paqes. Gruaja e re e ambasadorit, për shembull, punon prej kohësh për përmirësimin e jetës së grave në Republikën Demokratike të Kongos…

Është vlerë jo vetëm në një kohë si kjo, në të cilën ka rrezik të mos pyesim për të tjerët, t’i nënshtrohemi tundimit të egoizmit, duke iu referuar veç vetvetes, por vlen gjithnjë për një kulturë si e jona, e cila, fatkeqësisht, është shumë e mbyllur në vetvete, në kërkim të mirëqenies e të zgjidhjes së problemeve personale. Prandaj, mesazhi i kësaj ngjarjeje e, edhe thirrja e Papës, është se askush nuk mund të jetojë vetëm duke menduar për vetveten, por duhet të shohë edhe të tjerët, siç tregojnë këto dëshmi. Këta njerëz janë ndërtues të paqes dhe, si ata, edhe ne të duhet t’ua ndjekim shembullin, duke i hapur mendjet dhe zemrat për ç’po ndodh këtu dhe larg nesh. Pa dyshim, kjo është thirrja.

23 shkurt 2021, 11:52