Kërko

Speranza-1.jpg

Shën Pali Apostull: Himni i dashurisë

Ç’vlerë ka jeta njeriut, në se i mungon dashuria? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje ‘Himni i dashurisë” shkruar nga shën Palit në letrën e parë drejtuar korintasve, Magna charta e qytetërimit të dashurisë. Në të flitet për pranimin rrënjësor të konceptit të njeriut si person, që e gjen veten duke e dhuruar sinqerisht vetveten për dashuri. Kjo është përmasa më e rëndësishme e qytetërimit të dashurisë.

R.SH. - Vatikan

Himni i dashurisë shkruar nga Shën Pali Apostull, në Letrën e Parë drejtuar Korintianëve (1 Kor 13, 1-13), na mëson se kjo ndjenjë fisnike, dashuria, pra, është më e fuqishme nga të gjitha e se u jep vlerë të gjitha virtyteve.

Njeriu mund t’i njohë të gjitha shkencat e të gjitha misteret, mund të ketë fe sa të luajë nga vendi malet, po ç’vlerë ka jeta njeriut, në se i mungon dashuria? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje ‘Himni i dashurisë” shkruar nga shën Palit:

1 Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve,

por po të mos kisha dashurinë,

do të isha porsi bronzi që kumbon

e porsi cimbali që tingëllon.

2 Po ta kisha dhuratën e profecisë

e t’i dija të gjitha misteret

e të gjitha dituritë;

po ta kisha edhe fenë e plotë,

me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve,

por po të më mungonte dashuria,

s’do të isha asgjë!

Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time

dhe po ta jepja trupin tim të digjej,

por, po të më mungonte dashuria,

nuk do të më vlente asgjë!

4 Dashuria është zemërgjerë,

është e dhimbshme, dashuria,

nuk ka smirë,

nuk mbahet me të madh,

nuk krenohet

5 nuk është e panjerëzishme,

nuk kërkon interesin e vet,

nuk hidhërohet,

nuk e mban mend të keqen,

6 nuk i kënaqet padrejtësisë,

por i gëzohet të vërtetës.

7 Arsyeton gjithçka,

beson gjithçka

shpreson gjithçka,

duron gjithçka.

8 Dashuria nuk mbaron kurrë.

Profecitë mbarojnë,

gjuhët shuhen,

njohuritë marrin fund.

9 Sepse njohuria jonë është e kufizuar

dhe e kufizuar është profecia jonë.

10 Por, kur të arrijë përsosmëria,

çka është e kufizuar do të marrë fund.

11 Kur isha fëmijë

flisja si fëmijë,

mendoja si fëmijë,

arsyetoja si fëmijë.

Kur u bëra njeri i pjekur,

flaka çka i përket fëmijërisë.

12 Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë

e në mënyrë të errët,

por atëherë do të shohim faqe-faqas!

Tani njohuria ime është e kufizuar,

atëherë do të njoh plotësisht,

siç jam i njohur.

13 Tani, veç, mbetet

feja,

shpresa

e dashuria

-këto të trija-

Porse më e madhja ndër to është dashuria!

Prej këtij Himni mësojmë, sidomos,  si duhet të jetojmë, sipas virtyteve, me një zemër, e cila rreh me ritmin e dashurisë për Zotin e të afërmin. Duke u nisur nga shpirtmadhësia e dashamirësia, në një farë mënyre, është sinonim i dashurisë: e kjo do të thotë të dish të duash pa kufij, por njëkohësisht, me besnikëri ndaj situatave të veçanta e me gjeste konkrete. Të duash gjithçka është e madhe, pa harruar kurrë edhe atë, që është e vogël; t’i duash gjërat e vogla, në horizontin e të mëdhave…. Të dish të duash me gjeste dashamire, është vullneti i patundur e i përhershëm për të dashur të mirën, gjithnjë e për të gjithë, edhe për ata, që nuk na duan. 

Dashuria, përveç tjerash, është e durueshme, është e mirë dashuria; nuk është smirëzezë dashuria, nuk mburret, nuk fryhet. E pastaj nuk mungon në respekt, nuk kërkon leverdinë e vet, nuk zemërohet, nuk e mban mend të keqen që i kanë bërë!... (1 Kor 13, 1.4-5). Në këtë rast problemi lind në atë njeri që, përqendrohet mbi vetveten aq, sa të mos e përfillë fare dinjitetin e të tjerëve. Kush e vë veten në qendër, shikon, natyrisht, vetëm interesin e vet. E kjo i duket si diçka krejt normale, madje si detyrë. Ky “interes” mund të mbulohet pas ndjenjave të fisme, por nën to fshihet gjithnjë interesi vetjak.

Ndërsa dashuria, që ofron himni i shën Palit, shpërqendron nga vetvetja dhe të vë në qendrën e vërtetë, që është vetëm Zoti. Atëherë mund të jesh njeri, që di të respektosh e të shikosh kryesisht të mirën e të tjerëve. Dashuria është tepër kërkuese, sepse është dashuri që ngulmon, që na pret, na përqafon, na mbështet deri në tronditje, pse e detyron secilin nga ne të mos jetojë më për vetveten, mbyllur në egoizmin por, sipas shembullit të ‘Atij që për dashuri vdiq dhe u ngjall për ne”(cfr 2 Kor 5,15) e çdo njeri.

Shën Pali e vë theksin mbi dashurinë, që nuk zemërohet, nuk e mban mend të keqen, që i kanë bërë!.. Natyrisht, personit, i cili jeton ndërmjet njerëzve, nuk i mungojnë rastet për t’u zemëruar. E akoma më shumë, nuk i mungojnë në marrëdhëniet me të tjerët. Por edhe këtu, është dashuria e vërtetë, e vetëm dashuria ajo, që na çliron nga zemërimi, nga egoizmi e tjera...

Njeriu, që është plot me dashuri, nuk kënaqet për padrejtësinë, gëzohet vetëm për të vërtetën. E mos t’i harrojmë katër virtytet e dashurisë, që përshkruan shën Pali, që fal gjithçka, beson gjithçka, shpreson e duron gjithçka.

Dashuria e mirëfilltë na bënë vërtetë njerëz të aftë për të falur gjithnjë; për të besuar gjithnjë, sepse, plot me besim në Zotin; të aftë për të ngjallur gjithnjë shpresë, sepse plot me shpresë në Zotin; njerëz, që dinë të mbartin me duresë çdo situatë e çdo vëlla e motër, në bashkim me Jezusin, që mbarti me dashuri barrën e të gjitha mëkateve tona.

Duke medituar kapitullin 13 të letrës së parë të shën Palit drejtuar Korintasve, ecim në udhën që na bën të kuptojmë në mënyrën më të drejtpërdrejtë e mbresëlënëse të vërtetën e plotë për qytetërimin e dashurisë. Asnjë tekst tjetër biblik nuk e shpreh këtë të vërtetë më thjesht e më thellë sesa himni i dashurisë.

Himni i dashurisë, në Letrën e Parë të shën Palit drejtuar korintasve, mbetet Magna charta e qytetërimit të dashurisë. Në të nuk flitet vetëm për disa shfaqje të veçanta (egoizmi apo altruizmi), por për pranimin rrënjësor të konceptit të njeriut si person, që e gjen veten duke e dhuruar sinqerisht vetveten. Dhurata, kuptohet, është për të tjerët. Kjo është përmasa më e rëndësishme e qytetërimit të dashurisë. 

14 shkurt 2021, 08:43