Kërko

Vatican News

Haxhi Bujar Spahiu: dokumenti mbi Vёllazёrimin Njerёzor, gur themeli pёr familjen botёrore

Mё 4 shkurtin e ardhshëm bie Dita Botërore e Vëllazërimit Njerëzor, qё përkon edhe me përvjetorin e nënshkrimit të Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor nga Papa Françesku dhe Imami i Madh Ahmad Al-Tayyeb në Abu Dabi më 4 shkurt 2019. Mbi kёtё flet Haxhi Bujar Spahiu – Kryetar i Komunitetit Mysliman nё Shqipёri.

R.SH. - Vatikan

Mё 4 shkurtin e  ardhshëm bie Dita Botërore e Vëllazërimit Njerëzor, vendosur nga Kombet e Bashkuara. Ajo përkon edhe me përvjetorin e nënshkrimit të Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, në Abu Dabi, më 4 shkurt 2019.

Në parathënien e Dokumentit historik mbi “Vëllazërimin Njerëzor” pohohet se “feja e bën besimtarin të shohë tek tjetri vëllain për t’u mbështetur e për t’u dashur”; pastaj, dënohet fuqishëm terrorizmi e dhuna në emër të Hyjit: “Zoti nuk dëshiron që emri i Tij të përdoret për të terrorizuar njerëzit”. Pra, është fjala për “një dokument të menduar me sinqeritet dhe seriozitet”, që i fton “të gjithë njerëzit, që mbajnë në zemër fenë në Zotin dhe besimin në vëllazërimin njerëzor, të bashkohen dhe të punojnë së bashku”. "Dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën" është një tekst i guximshëm dhe profetik në shërbim të njerëzimit të plagosur nga ndarjet dhe fanatizmat ideologjike.

Papa Françesku dhe Imami i Madh flasin “në emër të Zotit, që i krijoi të gjitha qeniet njerëzore të barabarta, përsa u përket të drejtave, detyrave dhe dinjitetit”, “në emër të shpirtit të pafajshëm njerëzor, që Hyji nuk lejon të vritet”, “në emër të të varfërve”, të “jetimëve dhe të vejushave, të refugjatëve dhe të mërguarve, të të gjitha viktimave të luftës” dhe “të persekutimit”. Al-Azhari së bashku me Kishën Katolike “deklarojnë se e bëjnë të vetën udhën e kulturës së dialogut; qëndrimin e bashkëpunimit të  përbashkët; metodën dhe kriterin e njohjes reciproke”.

Dokumenti i Abu Dabit në realitetin shqiptar

Përvjetori i dytë i dokumentit të Abu Dabit është i rëndësishëm edhe për realitetin shqiptar, gjithnjë i karakterizuar nga bashkëpunimi e nga bashkëjetesa ndërmjet feve të ndryshme. Haxhi Bujar Spahiu shpjegon se ai është pritur me interes nga Komuniteti Islam i Shqipërisë. Gjithashtu, komenton guximin  e Papës Francesku e të Imamit Al Tayyeb, që nënshkruan një dokument të tillë, duke theksuar se komuniteti islam e ai katolik i Shqipërisë mund të mësojnë gjëra të reja nga gjestet e Papës e të Al Tayyeb për dialogun  e takimin e ndërsjellë. Jep edhe mendimin e tij mbi mënyrën si mund të mishërohet ky dokument në jetën e dy bashkësive të ndryshme fetare ndër shqiptarë. Së fundi, mesazhi i kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me rastin e këtij përvjetori. Por le ta dëgjojmë vetë Haxhi Bujar Spahiun, nё mikrofonin e Elidon Dodajt, pёr Radio Vatikanin – Vatican News...

Ta dëgjojmë vetë Haxhi Bujar Spahiun, nё mikrofonin e Elidon Dodajt, pёr Radio Vatikanin – Vatican News.
02 shkurt 2021, 12:30