Kërko

Vatican News

Genti Kruja: Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, mjet bashkëpunimi në favor të shqiptarëve

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është institucion i bashksive fetare, që jep kontributin në promovimin e dialogut dhe modelit të bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri. Sekretari i përgjithshëm i tij, Genti Kruja, përvijon veprimtarinë e kohëve të fundit, duke nënvizuar rëndësinë e Dokumentit të Abu Dabit për bashkësitë fetare shqiptare dhe mënyrën e zbatimit të tij në vend.

R.SH. - Vatikan

Vetëm pak ditë më parë, e gjithë bota kremtoi Ditën Ndërkombëtare për Vëllazërimin Njerëzor, pikërisht më 4 shkurt, dy vite pas nënshkrimit të Deklaratës për Vëllazërimin Njerëzor, Paqen dhe Bashkëjetesën, në Abu Dabi, nga ana e Papës Françesku dhe e Imamit të Madh të Al-Azharit, Ahmad al-Tayyeb.

Shqipëria është e njohur për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve, vënë në dukje dhe nga dy Papë, kur erdhën për vizitë në vend: Papa Gjon Pali II e Papa Françesku. Ky bashkëpunim u sanksionua me themelimin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, më 22 tetor 2007, nga krerët e bashkësive katolike, ortodokse, myslimane sunite dhe bektashiane. Në vitin 2018, atij iu shtuan edhe ungjillorët.

Ky institucion, kryesia e të cilit mbahet me rotacion vjetor nga përfaqësuesit e të gjitha feve të pranishme në vend, punon jo vetëm për dialogun ndërfetar, por jep edhe një kontribut për mbarëvajtjen e shoqërisë e bëhet zëdhënës i saj në organizmat ndërkombëtare. Të shumta kanë qenë deklaratat e thirrjet e Këshillit në situata të veçanta, si për shembull, thirrja për integrimin evropian të Shqipërisë. E rëndësishme, edhe veprimtaria e tij në fushën shoqërore, për zgjidhjen e problematikave të tërmetit në Durrës e të pandemisë së koronavirusit.

Në mikrofonin e Elidon Dodajt nga Tirana, Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Genti Kruja, përvijon veprimtarinë e kohëve të fundit, duke nënvizuar rëndësinë e Dokumentit të Abu Dabit për bashkësitë fetare shqiptare dhe mënyrën e zbatimit të tij në vend. Nuk harron të vërë në dukje edhe dokumentarin e prodhuar nga ky Këshill me rastin e 30-vjetorit të rënies së komunizmit në Shqipëri, ku pasqyrohen pamje origjinale të kremtimeve të para fetare të atëhershme. Së fundi, thirrja e tij drejtuar gjithë shqiptarëve për t’u kthyer kah Zoti, i vetmi, që mund t’i japë njeriut shpresë për jetën. Ta dëgjojmë…

Dëgjo intervistën e Elidon Dodajt me Genti Krujën...

Të dashur miq është kënaqësi që sot nëpërmjet valëve të Radio Vatikan dhe faqes sё internetit tё Vatican News, të kemi të ftuar z. Genti Kruja, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

-  Paraprakisht Dr. Genti, do të donim që dëgjuesit dhe lexuesit tanë kudo nëpër botë të informohej se çfarë është në vetvete Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë? (kur u mblodh për herë të parë, kush ishin themeluesit, etj.)

Kur u mblodh për herë të parë, kush ishin themeluesit, etj.?

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është fryti i bashkëpunimit ndërfetar ndër vite i komuniteteve fetare në Shqipëri. Tradita e harmonisë ndërfetare në Shqipëri është disa shekullore dhe vjen nga thellësia e historisë tonë kombëtare.

Për këtë kemi dëshmi dhe dokumente të shumta, madje në arkivat tona kemi dhe foto që nga koha e pavarësisë dhe deri në ditët tona, ku prijësit fetarë gjenden bashkë jo vetëm në festa e urime, por edhe në momente historike të kombit shqiptar. Kështu që kjo traditë bashkëpunimi kishte ardhur koha që të zyrtarizohej nëpërmjet një institucioni, i cili u bë realitet në 2007, ndërsa ceremonia e themelimit u zhvillua më 22 tetor 2009 në prani të Presidentit të Republikës dhe të ftuarve të shumtë nga bota.

KNFSH u themelua nga katër krerët e komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri, H. Selim Muça, Kryepeshkopi Anastas, Mons. Rrok Mirdita dhe Dede Reshat Bardhi. Këshilli Ndërfetar është regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe në mbledhjen e Këshillit të Presidencës në 2018 është miratuar dhe anëtarësia e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, duke u bërë komuniteti i pestë fetar në KNFSH.

Këshilli Ndërfetar përbëhet nga Këshilli i Presidencës, i cili ka në përbërje krerët e pesë komuniteteve fetare, ku secili prej tyre kryeson presidencën me rotacion për një vit. Për vitin 2019, kreu i KNFSH-së ishte Kryepeshkopi Anastas, për vitin 2020, Presidencën e ka kryesuar Mons. George Frendo, i cili tani ia dorëzoi mandatin kreut të Kryegjyshatës Bektashiane Dede Edmond Brahimajt, ndërsa unë jam zgjedhur nga Bordi i Presidencës si Sekretar i Përgjithshëm prej vitit 2018.

Këshilli Ndërfetar zhvillon mbedhje me të gjitha bordet, ku takimi dhe mbledhja e fundit ishte ditën e djeshme, ku u mblodh Bordi i Presidencës, i përbërë nga krerët e pesë komuniteteve fetare.

KNFSH ka gjithashtu në përbërje Bordin Ekzekutiv, i cili përbëhet nga dy anëtarë nga secili komunitet. Ndërsa janë themeluar gjithashtu dhe dy departamente të reja, Departamenti i Rinisë dhe Departamenti i Gruas, i cili përbëhet nga anëtarë, përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë në tetor 2018 është vlerësuar gjithashtu me çmimin “De Mellon për të Drejtat e Njeriut” në Poloni, ku në ceremoninë e zhvilluar ky çmim iu dha drejtuesve të komuniteteve fetare të vendit tonë, me motivacionin “Për Vëllazëri Ndërfetare në Shqipëri”.

KNFSH është gjithashtu anëtare e organizatave më të mëdha ndërkombëtare në kuadër të promovimit të paqes dhe dialogut ndërfetar, duke marrë pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare. Vlen për t’u theksuar dhe takimi 2 herë me Papa Francerskun, e para gjatë vizitë së tij në 2016 në Tiran dhe herën e dytë gjatë një vizite në Vatikan në 2018.

-  Cili është roli që luan sot Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, angazhimet konkrete?

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë zhvillon herë pas herë takime dhe mbledhje me bordet dhe instancat e saj, duke vënë prioritete dhe duke marrë përsipër angazhime të ndryshme jo vetëm në promovimin e dialogut ndërfetar, por shpesh herë duke dalë dhe me deklaratat të përbashkëta, për të dhënë mesazhe të qarta në dobi të shoqërisë shqiptare, si dhe mesazhe drejtuar politikës shqiptare, apo faktorit ndërkombëtar për të mirën e përbashkët. Dy nga këto deklarata mbajtur në vitin 2018 kanë patur një rëndësi të veçantë, e para me rastin e rekomandimit për hapjen e negociatave me BE-në, drejtuar Presidentit Makron dhe Kancelares Merkel, si dhe deklarata lidhur me angazhimin e përbashkët për dialogun ndërfetar, zhvilluar në një konferencë ndërkombëtare me 3 maj 2018 në Tiranë nga tre universitete të komuniteteve fetare në Shqipëri, Universiteti Bedër, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Universiteti Logos.

Aspekti tjetër i rëndësishëm i angazhimeve është fusha e aktiviteteve humanitare dhe sociale.

Komunitetet fetare kanë databaset më të rregullta në çdo cep të Shqipërisë, ku shërbejnë, jo vetëm me objektet e kultit, por edhe me institucionet arsimore dhe humanitare të tyre.

Në ditët e pas tërmetit shumë kisha, xhami dhe teqe janë bërë vendstrehim, jo vetëm për disa familje, që humbën shtëpitë në tërmetin e nëntorit 2019, por edhe pika shpërndarje të ndihmave humanitare. Departamenti i Rinisë dhe Departamenti i Gruas vitin e kaluar zhvilloi një aktivitet social dhe kulturor për fëmijët jetimë të zonës së tërmetit. Ndërsa më pas ka iniciuar nismën e gjendjes pranë qindra familjeve në nevojë me paketa humanitare. Ky projekt ka nisur me ndihmën ndaj familjeve të fëmijëve jetimë të zonës së tërmetit, si dhe shumë familjeve të tjera në gjendje të vështirë ekonomike të zonës së Kurbinit, Durrësit dhe Tiranës, të prekur dhe nga dëmet e tërmetit, si dhe të vënë dhe më shumë në vështirësi për shkak të përhapjes së pandemisë në vendin tonë.

Ky projekt humanitar vjen si një bashkëpunim i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me partnerë ndërkombëtarë, siç është organizata më e madhe botërore në fushën e paqes dhe dialogut, akredituar dhe nga OKB, “Religions for Peace” (Fetë për Paqen) me qendër në New York, SHBA.

KNFSH tashmë është në ndjekje të disa projekteve me karakter humanitar, social, kulturor dhe më gjerë në kuadër të bashkëpunimit ndërfetar, duke rritur kapacitetet e aktivizimit të grave dhe të rinjve myslimanë e të krishterë, si fuqi e ndryshimit pozitiv dhe promovimit të dialogut ndërfetar në Shqipëri dhe përtej saj.

-  Edhe pse në një kohë të vështirë pandemie, këtë vit komunitetet fetare në Shqipëri festuan kthimin në liri të besimit; si u përjetua 30 vjetori i rënies së murit të hekurt të ateizmit fanatik dhe unik në botë, rasti ynë Shqipëria?

Po e vërtetë. Gjatë një takimi me Bordin Ekzekutiv ne vendosëm, që të realizonim një dokumentar kushtuar 30 vjetorit të lirisë së besimit. Ishte një sfidë në fakt, sepse kanë kaluar tre dekada dhe nuk është e lehtë të gjesh pamje filmike të atyre viteve, që janë shumë amatore dhe disa prej tyre nuk janë transmetuar asnjëherë.

Pamjet origjinale të meshës së parë katolike në Rrmaje, falja e xhumasë së parë në xhaminë e Plumbit në Shkodër, ceremonia e parë ortodokse në Korçë, rihapja e Kryefjyshatës me pjesëmarrjen e Nënë Terezës, shërbesat e para ungjillore dhe rihapja e kishave, xhamive dhe teqeve është një histori unikale në botë, ku të gjithë shqiptarët ishin së bashku në këto ceremoni. Mijëra besimtarë myslimanë dhe të krishterë, të frymëzuar nga dashuria për Zotin dhe malli për t’u lutur e falur të lirë, mësynë ato pak objekte kulti të mbetura në këmbë, duke kryer dhe ceremonitë e para. Ky ishte triumfi i besimit ndaj mohimit, ishte triumfi i lirisë ndaj prangave dhe zinxhirëve të një regjimi diktatorial.

Rihapja e objekteve të kultit në nëntorin e vitit 1990, pas ndalimit 23 vjeçar të besimit, përbën një nga momentet kulmore të historisë së vendit tonë, duke i paraprirë lëvizjes së dhjetorit dhe rrëzimit të bustit të diktatorit pak muaj më vonë.

Pamjet madhështore të shërbesave të para fetare pas disa dekadash janë kështu dëshmi e një historie të jashtëzakonshme, të cilat u bënë dhe objekti i dokumentarit të parë të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, kushtuar 30 vjetorit të lirisë së besimit në Shqipëri, i cili u transmetua në disa TV kombëtare dhe në një numër të madh TV lokale në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Dokumentari gjendet dhe në kanalin youtube të Këshillit dhe me titra në anglisht.

Krahas kësaj janë zhvilluar dhe panele online dhe intervista në TV kushtuar këtij përvjetori. Ndërsa Këshilli Ndërfetar ka botuar gjithashtu 2 libra, një katalog në anglisht dhe një libër aktivitetesh zhvilluar 2 vitet e fundit, botuar në shqip dhe anglisht, të cilët i janë shpërndarë institucioneve kryesore, si dhe në ditët në vijim do të zhvillojmë dhe promovimin e tyre.

-  Bashkëjetësa fetare është një nga elementët shumë të rëndësishme që populli ynë ndër shekuj e ka ruajtur e vijon ta ruajë me shumë fanatizëm le të themi; pikërisht dy vite më parë Ati i Shenjtë Papa Francesku, në Emiratet e Bashkuara së bashku me Imamin e Madh të Egjiptit Al-Tayyip nënshkruan dokumentin e Vëllazërisë Njerëzore – sa po praktikohet ky dokument mes të krishterëve dhe myslimanëve në vendin tonë?

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është aktiv në pjesëmarrje në shumë aktivitete të ndryshme akademike ndërfetare, brenda dhe jashtë vendit, duke dhënë kontributin në promovimin e dialogut dhe modelit të bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri.

Vitin e kaluar KNFSH, është ftuar në disa takime dhe mbledhje ndërkombëtare zhvilluar në Berlin, Bruksel, Varshavë dhe Nju Jork. Ndërsa eventi më i rëndësishëm ishte pjesëmarrja në Asamblenë e X-të Botërore të Organizatës “Fetë për Paqen”, mbajtur në Lindau të Gjermanisë me pjesëmarrjen e Presidentit të, të cilin pata nderin dhe ta takoja. KNFSH, si një institucion i një rëndësie të veçantë çdo vit përmendet edhe në raportin e lirisë së besimit, që publikohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke theksuar rolin e këtij institucioni në promovimin e dialogut ndërfetar.

Krahas kësaj, duke qenë se unë jam prej vitesh i angazhuar në fushën e dialogut në aspektin akademik si pjesë e universitetit Bedër themeluar para 10 vitesh nga Komuniteti Mysliman në detyrën parësore që kam si kreu i Deparamentit të Shkencave Islame ne organizojmë prej disa vitesh seminare, panele dhe simpoziume të përbashkëta me Akademinë Teologjike Ortodokse dhe Institutin Teologjik Katolik. Kështu ne mblidhemi së bashku me studentët dhe pedagogët e tre teologjive, Islame, Ortodokse dhe Katolike çdo 6 muaj, ose 2 herë në vit dhe zhvillojmë një simpozium të përbashkët. Një prej këyre simpoziumeve ka qenë pikërisht “Vëllazëria”, duke marrë shkas dhe nga nënshkrimi i dokumentit të vëllazvrisë njerëzore nga Papa Francesku dhe Shejhu i Ez’herit Prof. Ahmed Tajjib, si autoriteti më i lartë akademik islam në botë. Ndërsa vitin e kaluar gjatë pandemisë Këshilli Ndërfetar i është bashkuar thirrjes së Komitetit të Lartë të Vëllazërisë Njerëzore për lutje dhe agjërim, në mënyrë që Zoti ta shpëtojë botën sa më parë nga sprova e pandemisë.

Në përvjetorin e kësaj date me 4 shkurt ne jemi pjesë e një samiti ndërkombëtar, i cili zhvillohet online, ku kemi ekzpozuar botimet tona, video dhe materiale të tjera promovuese të kësaj fryme në vendin tonë.

-  Dr. Kruja, në fund të kësaj bisede do të donim një mesazh drejtuar të gjithë komunitetit shqiptar, por jo vetëm që dëgjon nëpërmjet valëve të Radio Vatikan dhe Vatican News.

Sot në kohë sfidash të ndryshme, studimet nxjerrin se ka një krizë vlerash e besimi ndaj institucioneve zyrtare. Institucionet fetare dalin si institucionet që shqiptarët kanë besim më shumë se në çdo institucion tjetër. Le t’i ushqejmë brezat e ri me më shumë mësime nga librat e shenjtë, sepse besimi fetar është një katalog dhe manual i përdorimit të jetës tonë. Jeta është një dhuratë e Zotit dhe ajo duhet trajtuar si e tillë. Ta vlerësojmë duke qenë të dobishëm jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Shoqëria ka nevojë për njerëz pozitivë, për më shumë bashkëpunim dhe solidaritet. Krahas kësaj, shqiptarët në fakt traditën e bashkëjetesë e kanë ruajtur prej shekujsh. Por sot kemi nevojë ta promovojmë më fort tek brezat e rinj, sepse sfidat dhe rrethanat e tanishme janë krejt të ndryshme nga e kaluara. Sa më shumë t’i kthemi Zotit, aq më shumë do kemi paqe sociale dhe solidaritet njerëzor. Dhe çdo gjë fillon me rregullimin e vetes tonë, pas të cilës rregullohet familja dhe më pas shoqëria.

Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët, kudo që janë.

Ju faleminderit!

10 shkurt 2021, 09:12