Kërko

Vatican News

G20, organizatat katolike: të shlyhet menjëherë borxhi i vendeve të varfra

Së bashku për t’u kërkuar të mëdhenjve të Tokës solidaritet për ekonomitë dhe vendet më të brishta. Thirrja vjen nga Cidse - Rrjeti Evropian dhe Amerikanoverior i organizatave kryesore katolike, që veprojnë në fushën e zhvillimit

R.SH. - Vatikan

Të shlyhet borxhi i vendeve më të varfëra, duke i mbështetur financiarisht për t’i ndihmuar të rimëkëmben nga kriza Covid-19. Këtë kërkon CIDSE, Rrjeti Evropian dhe Amerikanoverior i organizatave kryesore katolike, që veprojnë në fushën e zhvillimit, me rastin e takimit të Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të G20-ës, i cili u mbajt sot virtualisht nën kryesinë e Italisë.

Pasojat shoqërore të pandemisë

         “Përveç humbjes tragjike të jetëve njerëzore - kujton CIDSE - Covid-19 ka çuar në vështirësi të jashtëzakonshme për sistemet shëndetësore të shumë vendeve të varfra, ka lënë miliona njerëz pa punë dhe mjete jetese dhe ka asgjësuar ekonomitë”. Për më tepër - denoncojnë Ojq-të katolike - pandemia i ka shtuar pabarazitë ekzistuese, “prandaj, kombet më të fuqishme mund ta përdorin pozitën e tyre dominuese për të garantuar vaksinimin dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e tyre ekonomike”. Kësaj gjedjeje i shtohet edhe ndikimi negativ i ndryshimeve klimatike në shumë vende.

Borxhet, ekonomitë dhe nevojat e më të ligshtëve

         Duke kujtuar fjalët e Papës Françesku në fillim të pandemisë, në vitin 2020, CIDSE thekson se “aktualisht, për të gjitha vendet ka përparësi shpëtimi i jetëve dhe mbështetja e jetesës. Shlyerja e borxheve të tyre është mënyra më e shpejtë për t’i financuar. Në një plan më afatgjatë – nënvizojnë organizatat katolike – është i domosdoshëm ristrukturuimi i përhershëm i borxhit dhe financime të reja për të rindërtuar shoqëritë dhe ekonomitë, që vënë në vend të parë nevojat e njerëzve më të varfër dhe më të brishtë, që kujdesen për shtëpinë tonë të përbashkët dhe e përballojnë krizën klimatike”.

Thirrja: t’i përgjigjemi krizës me solidaritet

         Që këtej, thirrja për ministrat e financave të G20-ës që t’i përgjigjen krizës “me bashkëpunim, solidaritet dhe me lidershipin e nevojshëm global”. Konkretisht, duhet mbështetur emetimi i 3 trilionë të Drejtash të Veçanta për tërheqje (DSP) nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në mënyrë që t’u jepet mundësi vendeve t’i bëjnë ballë rimëkëmbjes “së drejtë dhe të qëndrueshme” pas Covid-19 dhe të zgjatet pezullimi i borxhit përmes Dssi (Iniciativa e Pezullimit të Pagimit të Borxhit) për një periudhë së paku 4-vjeçare.

Për më tepër, sipas CIDSE, kreditorët privatë, të cilët aktualisht vazhdojnë të paguhen nga vendet, që luftojnë për të përmbushur nevojat e qytetarëve të tyre, duhet të detyrohen të marrin pjesë në të gjitha ristrukturimet dhe lehtësimet e borxheve. Së fundi, duhet të mbështeten mekanizmat e rikuperimit të borxhit, që lejojnë një ristrukturim të menjëhershëm, të plotë e të drejtë për të gjitha vendet, ku borxhi është kthyer në një barrë të papërballueshme.

26 shkurt 2021, 16:49