Kërko

Vatican News

Kosova shёnon 13-vjetorin e Pavarёsisё me tё reja, sfida e shpresa

Ambasadorja e Kosovës nё Romё, znj. Lendita Haxhitasim: ky përvjetor karakterizohet nga sfidat e pandemisë Covid-19, e deri tek rimëkëmbja ekonomike dhe shërimi i plagëve sociale që janë shkaktuar nga pandemie. Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin shumë domethënëse për një seri arsyesh. Përtej bindjeve politike historike, votuesi kosovar dëshmoi pjesëmarrjen aktive nё procesin vendimmarrës që rrjedh nga demokracia e përfaqësuar, me shpresëplotë për të ardhmen e brezave të rinj, të cilët meritojnë t'i jetësojnë ëndrrat dhe dëshirat e tyre për Kosovën.

R.SH. - Vatikan

Kosova kremton sot festёn e Pavarёsisё. 17 shkurti 2021 shënon ditën e shpalljes sё Shtetit tё pavarur tё Kosovës,  13 vjet mё parё,  mё 17 shkurt 2008, kur në Kuvendin e Prishtinës u lexua Deklarata e Pavarësisë  sё Kosovёs nga Kryeministri Hashim Thaçi. “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë

Sivjet 13-vjetori i Pavarёsisё sё Republikёs sё Kosovёs shënohet mes arritjeve, dёshtimeve, sfidave tё sotme dhe shpresave, për çka kanë përgjegjësi të madhe drejtuesin e vendit e komuniteti ndërkombëtar, nё mёnyrё tё veçantё pas votimeve tё 14 shkurtit 2021, pёr pёrforcimin e institucioneve qeveritare dhe ndërtimin e indit shoqёror pёr njё tё ardhme mё premtuese pёr qytetarët dhe pёr stabilitetin nё rajon.

Mbi festën e Pavarësisë 2021 flasim me Ambasadoren e Republikës sё Kosovës pranë Republikës sё Italisë, nё Romё, znj. Lendita Haxhitasim nё mikrofonin e redaksisё shqipe tё Radio Vatikanit – Vatican News...

Flasim me Ambasadoren e Republikës sё Kosovës pranë Republikës sё Italisë, nё Romё, znj. Lendita Haxhitasim

Ambasadore Lendita Haxhitasim si e gjen Kosovën përvjetori i 13-tё i Pavarësisë?

Të gjithë jemi të përgjegjshëm që Dita e Pavarësisë së Kosovës është kurorëzimi në mënyrë dinjitoze i sakrificave dhe përpjekjeve deri në vetëmohim të një populli të tërë, i cili, mes lotësh dhe gjakut, arriti lirinë e aq shumë dëshiruar ndër vite. Andaj edhe ky përvjetor do të jetë kumtimi i vlerave që lartësojnë Kosovën tonë, brenda dhe jashtë vendit!

Natyrisht që ky Përvjetor i trembëdhjetë karakterizohet nga sfidat që kanë kanosur mbarë botën si shkak i pandemisë Covid-19, të cilat janë që nga sigurimi i vaksinave për qytetarët tanë, e deri tek rimëkëmbja ekonomike dhe shërimi i atyre plagëve sociale që janë gjeneruar si pasojë e kësaj pandemie. Por jam plotësisht e bindur që profesionalizmi, entuziazmi dhe energjia e sprovuar ndër vite e popullit tonë, do të jetë forca mobilizuese për të tejkaluar edhe këtë sfidë për një të ardhme më të mirë. 

Cila ёshtё domethënia e votimeve të 14 shkurtit të kaluar për vendin?

Zgjedhjet e 14 shkurtit ishin shumë domethënëse për një seri arsyesh. Së pari, për nga ana procedurale, ato shkëlqyen si proces, duke u zhvilluar në një klimë demokratike dhe qytetare, pa incidente, duke sfiduar motin e ftohtë dhe pandeminë. Me 14 shkurt, Kosova dëshmoi dhe u bë shembulli i vlerave civile e demokratike për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Populli i Kosovës tregoi një maturi të lartë duke e ushtruar të drejtën por edhe obligimin qytetarë për të votuar dhe kjo u konfirmua nga pjesëmarrja më e lartë në zgjedhje që nga shpallja e Pavarësisë. Duke shkuar përtej bindjeve politike historike, votuesi kosovar dëshmoi një evoluim për sa i përket procesit të vendimmarrjes që rrjedh nga demokracia e përfaqësuar, duke treguar pjekurin të lartë qytetare dhe standarde të thella demokratike.

Në këtë proces zgjedhor, edhe Diaspora jonë e çmuar, edhe njëherë na ka dëshmuar dashurinë pa kushte për Kosovën tonë të dashur. I gjithë procesi na bën krenar dhe shpresëplotë për të ardhmen e brezave të rinj, të cilët meritojnë të jetësojnë ëndrrat dhe dëshirat e tyre për Kosovën.

Ambasadore Lendita Haxhitasim çfarë mund të na thuani rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Italisë?

Marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-Itali janë të shkëlqyera qysh prej zanafillës sonë të shtetëformit dhe mbulojnë një spektër të gjerë bashkëpunimesh në shumë fusha.

Gjithsesi, ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar për t'i thelluar edhe më tej marrëdhëniet tona. Ky është edhe qëllimi primar i mandatit tim, pra identifikimi i atyre fushave me interes reciprok ende të pashfrytëzuar plotësisht, duke filluar nga arsimi, investimet ekonomike, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, kulturës dhe turizmit, me qëllim thellimin e mëtejshëm të partneritetit tonë.

Në këtë kuadër, vetëm gjatë muajve të kaluar janë zhvilluar disa vizita të nivelit të lartë, që janë dëshmi dhe shprehje e kuadrit përmbajtësor dhe vullnetit për të thelluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy Vendeve tona. Mbetemi besimplotë që niveli i shkëmbimeve dhe vizitave do të intensifikohet edhe më tutje gjatë muajve të ardhshëm, mes dy ekzekutiveve të rinj mes dy vendeve tona.​

17 shkurt 2021, 11:14