Kërko

Vatican News
Wikipedia, enciklopedi e lirë on line Wikipedia, enciklopedi e lirë on line 

Wikipedia kremton 20-vjetorin: rrjet i lirë, në shërbim të dijes

Një faqe e re e “Doppio Click”, program i Radio Vatikanit, kushtuar kulturës, sot Wikipedisë, enciklopedi shumëgjuhëshe, që përdoret falas, lindur më 15 janar të vitit 2001. Synimi i saj është përhapja e kulturës on line, përmes një rrjeti të hedhur në oqeanin e dijes nga vullnetarë e dashamirë. Shkrimtarë e lexues!

R. SH. - Vatikan

Më se 55 milionë artikuj në 300 gjuhë, me 280 mijë redaktorë vullnetarë,  të lirë të shkruajnë, të modifikojnë e të azhurnojnë dijet, që vijojnë të pasurohen e të shndërrohen në rrjedhë kohe. Me të paktën 1,5 miliard faqe, realizuar muaj për muaj, është kanali më i vizituar në mbarë botën. I hapur për kureshtje e për punë, për të kaluar kohën e për të mësuar arritjet e kulturës, që sjell çdo ditë një mori të rejash, të cilat ia ndryshojnë faqen botës. Janë këto, disa nga tiparet, që e dallojnë “Wikipedinë”, ku vërshojnë arritjet e një mori kërkimesh e zbulimesh, të cilat hyjnë në rrjet nga mbarë bota.

Duke “shfletuar Wikipedinë”

Kur hap Wikipedinë është si të hysh në Kullën e Babelit. Aty mund të takosh personalitete, ngjarje të mëdha e të vogla historike, të përditshme e të kahmotshme. E, dashur pa dashur, të lind pyetja: “Kush e krijoi këtë mjet kaq interesant, ndonëse me të metat e veta, që e ndihmon edhe njeriun më të thjeshtë të hyjë në të fshehtat e dijes?”. Quhen Jimmi Wales e Larry Singer, ata që e ideuan dhe e hapën më 15 janar të vitit 2001, në një kohë kur realiteti dixhital po zëvendësohej gradualisht nga ai analogjik. Emri, që u zgjodh, ka kuptimin “kulturë e shpejtë” e vjen nga termi wiki (i shpejtë) e pedia (nga greqishjta e lashtë, “formim”). Është, pra, mjet për formimin e shpejtë të njeriut modern, gjithnjë i zënë me gjithfarë punësh, që e kërkon gjithçka i nevojitet nga fusha e dijes shpejt e shpejt, pa humbur shumë kohë. Domethënë, me një “click”

Temat fetare në Wikipedi

Ndërmjet faqeve të panumrta, që mund t’i shfletojmë në Wikipedi, gjejmë edhe një mori zërash, që flasin për krishterimin, për botën katolike e për Papët, që pasuan njëri-tjetrin në rrjedhë të historisë, duke nisur nga Shën Pjetri. Natyrisht e gjejmë aty edhe vetë Shën Pjetrin me të gjithë Apostujt e dishepujt e Krishtit. Në portal është edhe një seksion kushtuar feve, ku mund të konsultosh tekste dhe thellime teologjike e shpirtërore. E gjithçka, në 150 gjuhë, madje edhe në dialekte të ndryshme, ndërmjet të cilave,  gegnishtja. Në 30 ditët e fundit Wikipedia është vizituar 137 mijë herë. E duhet menduar se është kantier gjithnjë i hapur. Deri më sot është modifikuar më se 2200 herë.

Pesë shtyllat

Wikipedia bazohet mbi 5 shtylla. Para së gjithash, është enciklopedi. Nuk është burim primar, po mjet për popullarizimin e kulturës. Së dyti, është neutrale, asnjanëse. Zërat e propozuara nuk kanë opinione të njëanshme. Ofrojnë kontribute krejt të paanshme, duke përdorur burime të besueshme: është enciklopedi e lirë, pra, e përmbajtja e saj mund të modifikohet prej gjithkujt, për të dhënë opinione nga më të ndryshmet. Pa harruar se jo gjthçka mund të pranohet nga Wikipedia. Argumenti duhet të jetë i zgjedhur mirë e me vlera në fushën, së cilës i përket. Ne Wikipedi mund të hyjë gjithkush, por “jo gjithçka”.

17 janar 2021, 11:49