Kërko

Vatican News
 Papa Francesco in visita a Strasburgo, al Parlamento Europeo, Unione Europea, 2014.11.25 Papa Francesco in visita a Strasburgo, al Parlamento Europeo, Unione Europea, 2014.11.25 

Politika për të krishterët

Krishterimi e ka kuptuar që në fillim politikën si teori e praktikë e shoqërisë civile, e orientuar drejt së mirës së përbashkët. Ai nuk ka krijuar ndonjë doktrinë politike të vetën, por i ka dhënë politikës parime të reja frymëzimi. Pak fjalë pikërisht për këndvështrimin e krishterë mbi politikën.

R.SH. - Vatikan

Krishterimi e ka kuptuar që në fillim politikën si teori e praktikë e shoqërisë civile, e orientuar drejt së mirës së përbashkët. Ai nuk ka krijuar ndonjë doktrinë politike të vetën, por i ka dhënë politikës parime të reja frymëzimi. Pak fjalë pikërisht për këndvështrimin e krishterë mbi politikën.

Sipas krishterimit, politika është veprimtari në shërbim të të tjerëve, në shërbim të bashkësisë e të së mirës së përbashkët. Ai ka bërë të vetën botëkuptimin grek, sidomos atë aristotelian, që, siç dihet, u mor dhe u riformulua nga Shën Toma i Akuinit. Po citojmë këtu një përkufizim të bukur të Plutarkut, sipas të cilit “politika nuk është shërbim, që ka fitimin si qëllim: ajo është në fakt, vetë jeta e një qënieje të përvuajtur, të shoqërueshme e politike, që për gjithë kohën e ekzistencës së vet, shfaq një ndjenjë të lindur dashurie për qytetin, për të mirën e për njerëzit”.

Në ditët tona, disa pohime të rëndësishme mbi përgjegjësinë politike të të krishterit i gjejmë: Në Koncilin II të Vatikanit (Gaudium at Spes, n. 75). “Të gjithë të krishterët duhet të bëhen të vetëdijshëm për thirrjen e tyre të veçantë në bashkësinë politike”; Në “Octuagesima adveniens” (n. 46) të Papës Pali VI: “Politika është një mënyrë kërkuese për ta jetuar impenjimin e krishterë në shërbim të të tjerëve”; Në “Christifideles laici” (n. 42) të shën Gjon Palit II, që thotë se “besimtarët laikë nuk mund të abdikojnë para pjesëmarrjes në politikë, pra, në veprimtarinë e shumëfishtë e të ndryshme ekonomike, shoqërore, legjislative, administrative e kulturore, të destinuar për të promovuar organikisht dhe institucionalisht të mirën e përbashkët”.

Pra, krishterimi ka një këndvështrim pozitiv për politikën, si diçka e mirë, e brendshme dhe thelbësore për bashkësinë njerëzore. Vizon ky, krejtësisht i kundërt me çinteresimin për politikën, apo me konsideratën e ulët për të, si për një gjë jo të pastër, të korruptuar, për të cilën nuk ia vlen të impenjohesh. Problemi është si e shndërrojnë politikën njerëzit, duke iu larguar idesë së saj, si impenjimi më i lartë e më fisnik në favor të shoqërisë.

Bibla e Ungjilli na ofrojnë koncepte, që nuk janë drejtpërdrejt politike, por na shërbejnë si bazë, si perspektivë, që ndikon në vendimet politike. Dashuria për të afërmin, që predikon Krishti, nuk na thotë cila është politika e duhur për emigrantët apo për lypësit, për të pastrehët, për të sëmurët e të moshuarit, për jetimët e të vobektët, por natyrisht, na fton t’i trajtojmë si njerëz e jo në mënyrë çnjerëzore.

Impenjimi politik në botë nuk do të thotë ta lemë fenë mënjanë, por është mënyra e të krishterit për ta jetuar si duhet fenë. Kështu shprehej Papa Pali VI në “Evangeli Nunziandi”: “Detyrë parësore dhe e menjëhershme e laikëve nuk është themelimi dhe zhvillimi i bashkësisë kishtare – ky është roli i veçantë i barinjve të Kishës – por është vënia në zbatim e të gjitha mundësive kristiane e ungjillore të fshehura, por të pranishme e vepruese në realitetin e botës. Fusha e veprimtarisë së tyre ungjillëzuese është bota e gjerë dhe e ndërlikuar e politikës”.

I krishteri impenjohet në politikë sipas dy perspektivave. Së pari, meqë kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore ndikojnë fuqimisht në jetën e njeriut, duhet vepruar për një bashkëjetesë, që lejon shprehjen më të mirë të vlerave njerëzore, shoqërore e shpirtërore. Së dyti, meqë qëllimi i fundmë i të krishterëve është bashkimi me Zotin dhe bashkimi ndërmjet njerëzve, që në këtë botë, duhen bërë përpjekje për arritjen e tij, pavarësisht se në mënyrë jo të përsosur. Këto përbëjnë rrënjët e krishtera të veprimtarisë politike. 

28 janar 2021, 11:33