Kërko

Jeruzalemi Jeruzalemi

OKB-ja kërkon veprime konkrete për mbrojtjen e vendeve fetare

Me rezolutën “Të promovohet kultura e paqes dhe e tolerancës për mbrojtjen e vendeve fetare”, u kërkua ndërhyrje globale kundër akteve, që dëmtojnë vendet e kultit. Gjithnjë e më të shumta, sulmet nga ana e terroristëve dhe e milicëve

R.SH. - Vatikan

Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e fton Sekretarin e përgjithshëm, António Guterres, të mbledhë një konferencë botërore, që të mbështesë politikisht Planin e OKB-së për mbrojtjen e vendeve fetare. Ideja, siç njoftohet në portalin e Kombeve të Bashkuara, lindi nga nevoja për veprim global, sipas logjikës së parandalimit dhe të përgjegjësisë, kundër akteve të kryera në konflikte a në kohë paqeje, nga protagonistë shtetërorë dhe jo-shtetërorë e nga grupe terroriste. Me rezolutën “Të promovohet kultura e paqes dhe e tolerancës për mbrojtjen e vendeve fetare”, paraqitur nga Arabia Saudite të enjten e kaluar, në mbledhjen e 50-të plenare të sesionit të 75-të, Asambleja e Përgjithshme kërkoi që në këtë konferencë botërore të përfshihen organizma të OKB-së, shtete anëtare, personalitete politike, krerë fetarë, organizata fetare, media, shoqëria civile dhe palë të tjera të interesuara.

Dënimi i çdo sulmi kundër vendeve të kultit

         Duke kujtuar se 20% e pasurive të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s kanë natyrë fetare, ose shpirtërore, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vë në dukje se “vendet fetare dhe objektet rituale sulmohen gjithnjë e më shumë nga terroristët dhe milicitë e jashtëligjshme”, të cilët i modifikojnë, i shkatërrojnë plotësisht, i vjedhin dhe i përdorin për trafik të paligjshëm. OKB-ja dënon publikisht këto akte dhe ata, që synojnë ta zhdukin, ose ta transformojnë me forcë çdo vend të rëndësishëm për fenë. Për Asamblenë e Përgjithshme, debati “i hapur, konstruktiv dhe plot respekt” për idetë e të tjerëve, si edhe dialogu ndërfetar, ekumenik dhe ndërkulturor në nivelin lokal, kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, mund të luajë një rol pozitiv në luftën kundër intolerancës fetare dhe nxitjes së urrejtjes e të dhunës. Hartuar nga Aleanca e Qytetërimeve e Kombeve të Bashkuara, Plani i Veprimit për mbrojtjen e vendeve fetare, për të cilin Asambleja e Përgjithshme kërkon impenjim konkret, shtjellohet rreth temës “Të bashkuar e solidarë: secili ta ushtrojë kultin në paqe e në siguri”.

26 janar 2021, 11:28