Kërko

Migrantë Migrantë

Migrantët në Ballkan. Rreziku i një katastrofe humanitare

Asnjë ndihmë, asnjë alternativë për migrantët e kampit Lipa në Bosnjë-Hercegovinë, që fillimisht u dogj e tani është në rindërtim e sipër. Kushtet e jetesës janë të papranueshme e kërkojnë zgjidhje të reja. Ipeshkvi i Banja Lukës: “kemi vend për t’i pritur migrantët me dinjitet”

R.SH. - Vatikan

Në Bosnjë-Hercegovinë ka rrezik të kemi së shpejti një katastrofë humanitare. Para dhjetë ditësh, një zjarr i madh dogji krejtësisht kampin e refugjatëve në Lipa, duke i bërë tym shpresat, megjithëse të pasigurta, të rreth 1200 njerëzve me prejardhje të ndryshme, që synonin të kalonin në Evropën qendrore dhe veriore.

Asnjë zgjidhje nuk është gjetur, madje, për të thënë të vërtetën, të gjitha propozimet alternative janë bojkotuar nga popullata dhe nga kryetarët e bashkive të lokaliteteve të ndryshme, ku ka pasur manifestime dhe protesta. Është e pamundur të rihapet ish-kampi i Bira-s (në qytetin e Bihaçit), ose të përgatitet për refugjatët një ish-kazermë në Bradina (jo larg Sarajevës). E kështu, pasi kanë kaluar ditë të akullta në rrugë, ose në autobusa të improvizuar, refugjatët do të zhvendosen po në kampin e Lipa-s, i cili po rindërtohet nga ushtria. Zgjidhje e papërshtatshme, pasi mungojnë kushtet minimale edhe për mbijetesën dinjitoze. Kampi ishte dhe është i rrezikshëm, pasi kushedi për sa kohë do të mbetet pa energji elektrike, pa ujë të pijshëm dhe pa ngrohje, në një zonë ku temperaturat shkojnë nën zero.

Imzot Komarica: “kemi vend për t’i pritur migrantët me dinjitet”

 “U kujtova dhe vazhdoj t’u kujtoj autoriteteve lokale se shumë njerëz në Bosnjë-Hercegovinë e kanë provuar bukën e hidhur të refugjatit dhe të të shpërngulurit, gjatë luftës së fundit. Prandaj, si politikanë, duhet të jenë të vetëdijshëm për dramën, që po përjetojnë refugjatët aktualë”. Kështu e ngre zërin Kisha Katolike vendase, përmes ipeshkvit të Banja Lukës, imzot Franjo Komarica.

“Ne të gjithë e dimë se ka mjaft hapësirë ​​në territorin e Bosnjë-Hercegovinës që të gjithë migrantët, aktualisht në territorin e vendit tonë, të ndihmohen me dinjitet dhe njerëzi derisa të gjendet një zgjidhje për të ardhmen e tyre”, deklaron ipeshkvi për agjencinë katolike të lajmeve, Kta. Më pas, ai u bën thirrje “gjithë përfaqësuesve politikë, që mund të marrin vendime, të mos fajësojnë njëri-tjetrin për këtë problem, siç kanë bërë deri tani, por të punojnë së bashku, me ndihmën materiale të bashkësisë ndërkombëtare, për të gjetur zgjidhje pozitive e të frytshme për këtë katastrofë humanitare”. Vetë dioqeza e Banja Lukës aktivizohet që prej dy vitesh në ndihmë të emigrantëve, që përshkojnë të ashtuquajturën “Rruga e Ballkanit”. Karitasi, me ndihmën e instituteve të tjera kishtare e, sidomos, me pjesëmarrjen e motrave të Nënë Terezës, ka ngritur një lavanderi për migrantët në Bihaç dhe i furnizon ata me veshje, këpucë e batanije.

Roli i Bashkimit Evropian

 Në nivelin evropian, Komisioni i BE-së u ka shtuar edhe 3 milion e gjysëm euro, 88 milionëve që i kanë shkuar Sarajevës nga viti 2018, për të financuar, megjithëse pjesërisht, shpenzimet e mikpritjes së refugjatëve në Bosnjë-Hercegovinë, pasi Kroacia blindoi kufijtë. Gjendja aktuale konsiderohet e papranueshme nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Sarajevë, Johann Sattler, por në të vërtetë, Brukseli i ka duart e lidhura.

Pavarësisht se kërkon nga Bosnjë-Hercegovina respektimin e detyrimeve të imponuara nga e drejta ndërkombëtare dhe të impenjimeve të nënshkruara nga qeveria në vitin 2016, kur paraqiti kërkesën për integrim, Komisioni Evropian nuk mund të ndërhyjë në vend, pasi sipas Traktateve të BE-së, Brukseli nuk ka kompetenca për çështjet e emigracionit. Ato iu mbeten vendeve përkatëse. Natyrisht, Komisioni Evropian mund të manovrojë fonde, mund t’i japë ose t’i mohojë ato, por nuk mund të kontrollojë për çfarë e si përdoren. Rishpërndarja e migrantëve në vendet e tjera evropiane, hapja e korridoreve humanitare dhe presioni që në vende si Bosnjë-Hercegovina të respektohet shteti i së drejtës, duken rrugë të përshtatshme për t’u përshkuar, por vetëm nëse anëtarët e Bashkimit Evropian kalojnë nga fjalët në vepra.

05 janar 2021, 12:54