Kërko

Vatican News

Fillon Forumi ekonomik i Davosit: në qendër pandemia dhe kriza

Si çdo vit, filloi Forumi Ekonomik Botëror i Davosit, Zvicër, në të cilin të mëdhenjtë e botës dhe ekspertët diskutojnë për sfidat globale të kohës. Këtë vit Takimi mbahet virtualisht deri më 29 janar, për shkak të pandemisë. Njëkohësisht, në Riad, zhvillohet i ashtuquajturi “Davos i Shkretëtirës”.

R.SH. - Vatikan

Pandemia e koronavirusit dhe pasojat e saj, në qendër të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, që filloi sot e do të përfundojë më 29 janar. Kësaj here, qyteti i njohur zviceran, ku mblidhen të mëdhenjtë e botës, nuk do të presë askënd, pasi Takimi mbahet virtualisht, për shkak të masave kundër Covid-19. Gjithsesi, mbledhja nuk është më pak e rëndësishme. Pjesëmarrësit duhet të japin përgjigje konkrete për tema jetësore si shpërndarja e drejtë e vaksinave, përballimi i varianteve të reja të koronavirusit dhe frenimi i krizës globale ekonomike.

Davos dhe Riadi, së bashku

Një ditë pas fillimit të Forumit të Davosit, në Riad të Arabisë Saudite fillon një Takim tjetër i rëndësishëm. Është fjala për edicionin e katërt të Fund Investment Initiative (Nisma e Investimit të Fondeve), i ashtuquajturi “Davos i shkretëtirës”. Në Takimin e parë të këtij lloji në kryeqytetin e mbretërisë saudite, në vitin 2017, u mblodhën 3.800 ekspertë, sipërmarrës dhe përfaqësues financiarë nga 90 vende, të cilët diskutuan për ato zhvillime ekonomike, që nuk bazohen vetëm në përdorimin e naftës. Sipas ekonomistit italian Riccardo Moro, të mëdhenjtë e botës duhet të mendojnë për ndarjen e përgjegjësive para sfidës së pandemisë, në vend që të mendojnë për krijimin e një qeverie globale të drejtuar vetëm nga disa. Ta dëgjojmë, në mikrofonin e Vatican News:

Davosi është një forum ku dëgjohen zëra të ndryshëm. Natyrisht, nuk merren vendime, por përfaqëson zërat e vendeve, që kanë më shumë pushtet në botë. Nuk shihet me simpati nga ajo pjesë e botës, që i përballon më me vështirësi krizat, sepse nuk mund të marrë pjesë lehtë. Gjithsesi, është takim, që kontribuon për të krijuar ndjeshmëri e për të përcaktuar perspektivat e çështjeve të kohës. Vëshirë të thuhet nëse do të ketë rezultate konkrete. Besoj se ky Forum dhe hapat e muajve të ardhshëm do të çojnë në një lloj ripërcaktimi të ekuilibrit ndërkombëtar.

Sigurisht, në qendër të Forumit do të jetë pandemia dhe pasojat e saj, apo jo?

Në realitet, ekziston mundësia për të krijuar konvergjenca më të mëdha. Urojmë që të trajtohet një nga çështjet më të rëndësishme, siç ëshë kthimi i vaksinave në “pasuri publike globale”, zotërimi i të cilave duhet të jetë një e drejtë për të gjithë e të mos varet nga të ardhurat e secilit. E dimë shumë mirë që tani për tani, vaksinën e kanë qytetarët e vendeve më të pasura, sepse vetëm ata mund ta blejnë. Duke e lënë punën në dorë të tregut, shumë kompani hynë në konkurrencë. Përmes saj, kërkuam një prodhim me kosto të volitshme, por mbetet fakti se fondet publike të vendeve më të pasura janë të mjaftueshme për të blerë dozat, ndërsa ato të vendeve më të varfra nuk ia arrijnë lehtë. Sot, po vaksinohen vendet më të zhvilluara dhe jo hemisfera jugore e botës. Shpresoj se ky problem do të diskutohet në Forumin virtual të Davosit dhe se ka përpjekje nga vendet e pasura që të bashkojnë foracat, për ta kthyer vaksinën në të drejtë për të gjithë e jo në mundësi sipas të ardhurave, ose sipas Prodhimit të Brendshëm Brut.

Njëkohësisht me Forumin e Davosit, në Riad, mbahet edhe i ashtuquajturi “Davos i Shkretëtirës”. A dialogojnë këto dy realitete të rëndësishme?

Ka mundësi. Edhe në këtë rast, vështirë të bëhen parashikime, por besoj se hapet mundësia për dialog më të madh ndërmjet forumeve të ndryshme dhe zonave gjeografike e gjeopolitike të ndryshme.  

Në këtë periudhë ka edhe takime të tjera ndërkombëtare si, për shembull, Civil-20. Cili është mesazhi, që vjen nga ky Forum tjetër?

Civil-20 është takimi i të gjitha rrjeteve dhe organizatave jo qeveritare të botës, që dialogojnë me procesin e G20-ës. Takimi zhvillohet gjatë tri ditëve, virtualisht, me pjesëmarrjen e mbi 400 anëtarëve të organizatave nga i gjithë planeti, që u bëjnë 20 vendeve më të pasura të botës kërkesën për të mos u konsideruar si një lloj qeverie botërore, por të përforcojnë proceset shumëpalëshe ekzistuese. Kështu, për çështje si pandemia, të vënë në dispozicion burime dhe të mbështesin Organizatën Botërore të Shëndetësisë; t’u kushtojnë vëmendje çështjeve klimatike e të zbatojnë marrëveshjen e Parisit; të rishikojnë impenjimin e tyre financiar për realizimin e agjendës 2030 dhe ta trajtojnë me më tepër vëmendje çështjen e borxhit të jashtëm të vendeve më të varfra. Sot, me krizën e Covid-19, shumë vendeve u është dashur të marrin hua, duke e rritur borxhin. 20 vendet më të rëndësishme të botës duhet jo vetëm ta pezullojnë borxhin e jashtëm, por edhe ta anulojnë atë krejtësisht.

25 janar 2021, 12:04