Kërko

Martirët e Kishës katolike tё periudhës sё regjimit komunist nё Shqipëri Martirët e Kishës katolike tё periudhës sё regjimit komunist nё Shqipëri 

Dom Pjetër Gruda, martir i persekutimit komunist, në përvjetorin e vdekjes

Më 13 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së dom Pjetër Grudës, martir i fesë së krishterë gjatë persekutimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri. Dom Pjetër Gruda prifti i paralizuar që u mbajt i burgosur nga komunistët derisa vdiq.

R.SH. - Vatikan

Më 13 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së dom Pjetër Grudës, martir i fesë së krishterë gjatë persekutimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri, i paralizuar u mbajt i burgosur nga komunistët derisa vdiq.

Dom Pjetër Gruda, lindi në fshatin Grudë të Malit të Zi, më 1 gusht 1922. Studimet e formimin për meshtar i bëri në Kolegjin Saverian e Seminarin Papnor në Shkodër. Meshën e parë e kremtoi më 1946. Që nga ky vit filloi misionin e tij meshtarak duke u emëruar famullitar në Shkrel, prej nga më vonë u transferua në Sheldi, ku qëndroi deri në vitin 1967, vit ky kur u mbyllen Kishat dhe tempujt tjerë fetar nga regjimi komunist në Shqipëri. 

Pas mbylljes së tempujve dhe institucioneve fetare, dom Pjetër Gruda, si shumica e klerikëve tjerë, qe detyruar të punonte si punëtor krahu në Ndërmarrjen Bujqësore të Bushatit. Kështu krijimtaria e tij intelektuale, sepse dom Pjetër Gruda qe intelektual dhe artist i artit skenik, do të ndërpritej brutalisht nga regjimi çnjerëzor e antikulturor komunist.

Me talentit artistik që kishte, dom Pjetër Gruda do të ishte bërë regjisor i njohur, po të mos i ndërpritej brutalisht krijimtaria. Kujtojmë se vuri në skenë shumë pjesë teatrore, ndërmjet të cilave dramën përmendim "Flije Atdheut".

Në vitin 1972 ndërsa shërbente në Bushat u arrestua dhe u dënua më 20 vjet burgim si antipushtet e spiun i Vatikanit nga komunistët, dhe u dërgua me duar të lidhura në Ballsh të Sarandës, qytet në burgun e të cilit vdiq më 13 janar 1989, tre muaj para amnistisë së klerikëve.  Në kishën e Shkrelit është vendosur një pllakë përkujtimore, ku lexohet emri i tij dhe ai i dom Ndré Zadejës, poshtë të cilëve - shënimi "Martirë të Fesë" dhe me plotë të drejtë.

E sot duke përkujtuar këtë martir të fesë së krishterë e të vlerave të vërteta kombëtare shqiptare dhe intelektuale e artistike, po kujtojmë fjalët që Papa  Shën Gjon Pali II tha gjatë audiencës së mërkurës së datës 12 janar të vitit 2005. Ati i Shenjtë Karol Wojtila duke komentuar kreun 11-të të Librit të Zbulesës të Shën Gjonit Apostull, mbi Gjyqin e Zoti, mes tjerash tha: “Krishti është siguria dhe bindja se e keqja mposhtet me të mirën. Të krishterët janë shërbëtorë, profetë e shenjtorë. Martirët, janë shenja e zgjedhjes dhe përcaktimit në krahun e vlerës më të madhe, asaj të Kryqit”.

13 janar 2021, 13:29