Kërko

Papa Françesku gjatë udhëtimit në Poloni 2016, Auschwitz Papa Françesku gjatë udhëtimit në Poloni 2016, Auschwitz

Dita e Kujtesës: organizatat ndërkombëtare kundër mohimit dhe shtrembërimit të Holokaustit

UNESCO, OKB-ja dhe Aleanca Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit do ta kremtojnë Ditën e Kujtesës, më 27 janar, me synimin për t’iu kundërvënë mohimit dhe shtrembërimit të shfarosjes së hebrenjve

R.SH. - Vatikan

Gjatë sulmit kundër Capitol Hill në SHBA, në fillim të këtij muaji, u fotografua dikush i veshur me një xhup, ku shkruhej “Camp Auschwitz” mbi një kafkë me kocka të kryqëzuara – simbol i qartë i vdekjes; në mediat shoqërore quarkulluan video, ku dukej një gazetar izraelit i sulmuar nga një tjetër kryengritës, që përdorte sharje antisemite. Këto pajme dëshmojnë se akoma sot, kujtimi i saktë i Holokaustit është jetësor për t’iu kundërvënë urrejtjes së lashtë kundër hebrenjve.

Dita e Kujtesës në internet

Pikërisht për këtë arsye, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Audrey Azoulay dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të nderojnë viktimat e persekutimit nazist, më 27 janar, në Ditën e Kujtesës, me një ceremoni në internet, nga ora 17.00 deri në orën 18.00 (ora standard e Evropës Qendrore). Gjatë orës së mëpasme, do të vijohet me një diskutim në internet mbi mohimin dhe shtrembërimin e Holokaustit, në të cilin do të marrin pjesë historianë e autorë të njohur, të mbijetuar nga kampet e përqendrimit nazist, si edhe drejtues organizatash, që luftojnë antisemitizmin. Të dyja ngjarjet do të transmetohen në UN Web TV (televizioni i OKB-së në internet) dhe përmes mediave shoqërore të UNESCO-s. Nga ana e tij, televizioni amerikan CNN e mbështet ngjarjen dhe e financon pjesërisht.

47% e gjermanëve mendojnë se nuk është faji i tyre

 Antisemitizmi, që përfshin edhe mohimin e shtrembërimin e fakteve të Holokaustit, për fat të keq, po shtohet në gjithë botën, me pasoja shkatërrimtare për individët, bashkësitë dhe demokracitë. Edukimi luan një rol vendimtar në luftën kundër tij: “Duke transmetuar historinë, ne mbështesim parimet e drejtësisë, refuzojmë logjikën e urryer të nacional-socializmit dhe sfidojmë ata, që mohojnë Holokaustin, ose relativizojnë krimet e kryera kundër hebrenjve dhe grupeve të tjera të përndjekura, duke u përpjekur ta vijojnë racizmin dhe antisemitizmin, që shkaktoi atë gjenocid”, pohon drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Audrey Azoulay.

 Sfida e kohës sonë është e jashtëzakonshme: 63 përqind e të rinjve amerikanë nuk e dinë sa njerëz humbën jetën gjatë Holokaustit; 47 përqind e gjermanëve të anketuar në vitin 2020 u përgjigjën se Gjermania “nuk kishte edhe shumë faj”.

Stereotipet dhe paragjykimet në mediat shoqërore

Mohimi dhe shtrembërimi i Holokaustit janë simptoma të rritjes së çinformimit, gjuhës së urrejtjes dhe paragjykimit në botë. Një studim suedez tregon se 35 përqind e postimeve mbi hebrenjtë në mediat shoqërore përmbajnë stereotipe antisemite dhe deklarata armiqësore. Pandemia e koronavirusit e ka shtuar këtë prirje, që lehtësisht, çon në paraqitjen e teorive të konspiracionit kundër hebrenjve në platformat e mediave shoqërore, shumë prej të cilave frymëzohen nga argumente historike antisemite. Edhe protestat kundër kufizimeve të koronavirusit, në shumë vende evropiane, përshkohen nga retorika antisemite.

20 janar 2021, 08:37