Kërko

Vaksinimi në Indi Vaksinimi në Indi 

Covid: që nga fillimi i pandemisë, më se 2 milionë të vdekur

Të prekurit nga pandemia i kalojnë 93 milionët. Të shëruarit janë rreth 52 milionë. Bashkimi Evropian alarmohet për vonesën e dorëzimit të vaksinave Pfizer.

R. SH. - Vatikan

“Virusi nuk po e ngadalëson aspak hapin e po vijon të prekë zona të ndryshme të botës”. Kjo, deklarata e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Joe Biden, ndërsa dimri vijon të jetë i errët e numri i të infektuarve, tejet i lartë. Në Kinë, gjatë dhjetë muajve, u regjistrua numri më i lartë i rasteve të përditshme. Departamenti i Hiroshimës, në Japoni, përgatitet të nisë fushatën e parë të testit kundër koronavirusit në shkallë të gjërë, për 800.000 vetë. Në Francë është në fuqi ndalimi i qarkullimit nga ora 18.00, për t’i bërë ballë një sulmi të ri infektimesh. Drejtori i Organizatës botërore të shëndetësisë për emergjencat, pohon se mbetet për t’u  verifikuar ndikimi i varianteve të reja të covid në vende të ndryshme, ndërmjet të cilave, Afrika e Jugut e Brazili. Pikërisht në Brazil situata është dramatike se kudo, posaçërisht në qytetin e Manaus, në zonën amazaonike. Spitalet nuk janë më në gjendje ta përballojnë numrin e jashtëzakonshëm të të sëmurëve e punonjësit e shëndetësisë vërejnë, të alarmuar në kulm, se shumëkush mund të vdesë për mungesë asistence e bombolash oksigjeni.

Alarm në Evropë

Ndërkaq Pfizer e ka ngadalësuar dorëzimin e vaksinës   në Evropë. Frenim i nevojshëm - njofton sipërmarrja farmaceutike amerikane, për të krijuar mundësinë e shtimit të kapacitetit prodhues. Në Itali,  që nga e hëna, do të arrijnë në vend 29% më pak ampula të vaksinës, në krahasim me numrin e planifikuar më parë. Vendet e  tjera evropiane e quajnë “të papranueshëm”  këtë ngadalsim. “Admnistratori delegat i Pfizer më shpjegoi se do të ketë pakëz vonesë, por edhe më siguroi se të gjitha dozat e porositura për trimestrin e parë do të dorëzohen brenda afatit - siguroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një konference shtypi të përbashkët me kryeministrin portugez, Antonio Costa, kryetar turni i Këshillit të Bashkimit Evropian.

Kjo, thënë me dy fjalë, situata në Evropë e në botë.                                                                                                                          

16 janar 2021, 13:11