Kërko

Vatican News
Dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën, nënshkruar më 4 shkurt 2019, në Abu Dabi, nga Papa dhe Imami i Al-Azhar, Al-Tayyib Dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën, nënshkruar më 4 shkurt 2019, në Abu Dabi, nga Papa dhe Imami i Al-Azhar, Al-Tayyib  (AFP or licensors)

Do të kremtohet me 4 shkurt Dita Botërore e Vëllazërimit Njerëzor

Kjo Ditё përkon me përvjetorin e nënshkrimit të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor nga Papa Françesku dhe Imami i Madh Ahmad Al-Tayyeb.

R.SH. - Vatikan

Kombet e Bashkuara kanë vendosur që 4 shkurti të caktohet, duke filluar nga 2021, si "Ditё Ndërkombëtare e Vëllazërimit Njerëzor". Propozimi u bë nga Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, kryesuar nga Kardinali Miguel Angel Ayuso Guixot, president i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, dhe përgjegjës për zbatimin e angazhimeve të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi më 4 shkurt 2019 nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmed Al-Tayyeb.

Lista e angazhimeve në fushën e dialogut ndërfetar përfshin gjithashtu edhe luftën kundër diskriminimit dhe dhunës fetare. Fetë nuk nxisin kurrë për luftë e dhunë, nuk ushqejnë kurrë urrejtje, në emër të Zotit! Sepse Zoti nuk e do urrejtjen, ndaj kjo fjalë nuk duhet shqiptuar kurrë në emër të Atij të Lumit! E kjo është edhe zemra e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën, nënshkruar më 4 shkurt 2019, në Abu Dabi, nga Papa dhe Imami i Al-Azhar, Al-Tayyib.

Udha e edukimit me vlerat e fesë

Nga liderët fetarë kërkohet të punojnë për t’i edukuar bashkësitë me vlerat e traditave të tyre të ndryshme e fetare. Gjatë papnisë së tij, Françesku më se një herë ka kërkuar të marrë fund manipulimi i feve. Pra udha e edukimit me vlerat e fesë, kjo është përgjegjësi e liderëve fetarë: t'i edukojnë njerëzit me vlerat e vërteta, që breznia e re e besimtarëve të jetë me të vërtetë e rrënjosur në vlerat e traditës së vet fetare. E edhe u duhet kujtuar vazhdimisht autoriteteve civile e fetare, që çdo anëtar i shoqërive tona duhet mbrojtur e duhet vlerësuar, që të mund të ndërtohet kështu, një shoqëri, e cila punon krah për krah për të mirën e përbashkët e bën çmos për ta zhdukur përjashtimin e tjetrit.

Njeriu duhet edukuar me vlera të vërteta, për ta zhdukur dhunën, që breznia e re të rritet me frymën e vëllazërimit njerëzor, gjë që do të thotë të mbetesh me rrënjë në identitetin tënd, por njëkohësisht, duke u përpjekur ta njohësh tjetrin, ta respektosh, ta pranosh, sepse vetëm kështu mund të bashkëpunohet, për të ndërtuar një shoqëri dhe botë të re, më paqësore, më solidare, më vëllazërore!

Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, në përkim me objektivat e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, i fton të gjithë liderët fetarë dhe njerëzit e mbarë botës t’i përgjërohen Zotit me një zë të vetëm, që ta ruajë njerëzimin, ta ndihmojnë për të kapërcyer pandeminë, t’ia kthejnë sigurinë, qëndrueshmërinë, shëndetin dhe begatinë dhe, pasi të zhduket pandemia, ta bëjë botën më njerëzore dhe më vëllazërore.

Rezoluta u mbështet nga Egjipti, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Guinea Ekuatoriale, Maroku, Burkina Faso dhe Venezuela. Shtetet Anëtare, si dhe të gjitha organizatat civile e private, janë të ftuara të kremtojnë këtë Ditë "në mënyrën që e konsiderojnë mё të arsyeshme". Rezoluta u kërkon, mё tej, të gjitha vendeve anëtare të "vazhdojnë të punojnë për një kulturë paqeje për të kontribuar për rivendosjen e paqes dhe zhvillimin e qëndrueshëm", përfshirë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për paqe, tolerancë, përfshirje, mirëkuptim dhe solidaritet.

20 janar 2021, 10:47