Kërko

Giorgio Castriota Scanderbeg, in Piazza Scanderbeg a Roma Giorgio Castriota Scanderbeg, in Piazza Scanderbeg a Roma 

Më 17 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit

Gjergj Kastrioti vuri themelet e një shteti arbëror të organizuar. Për 25 vjet me radhë Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit e të vendit të vet, dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane e të Papatit të Romës. Në qiellin shqiptar, emri i Skënderbeut, ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit.

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 17 janar të vitit 1405, ndërroi jetë Heroi Kombëtar i popullit shqiptar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut (6 maj 1405 - 17 janar 1468), Atleti i Krishtit dhe i krishteri i flaktë, sikur e quajtën Papët e Romës.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet, si një burrë i madh shteti, që udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit vet shqiptar kundër pushtuesit osman, i cili punoi edhe për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar .

E pikërisht me Kuvendin e Lezhës Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbëror të organizuar – as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit.

Për 25 vjet me radhë Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit e të vendit të vet, dhe lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane e të Papatit të Romës, që kur ka qenë gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.

Në qiellin shqiptar, emri i Skënderbeut, ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit.

Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.

17 janar 2021, 09:49