Kërko

Vatican News
2019.12.25 Presepe delle Sorelle di Maria di Schoenstatt, Germania Vincitore della competizione su Facebook #Krippenchallenge  2019.12.25 Presepe delle Sorelle di Maria di Schoenstatt, Germania Vincitore della competizione su Facebook #Krippenchallenge  

Zoti na bën thirrje ta çojmë në botë planin e tij të dashurisë

Koha e Ardhjes na fton edhe një herë, në mes të shumë vështirësive, sivjet edhe pёr shkak tё Covid-19, të jemi përsëri të sigurtë se Zoti është i pranishëm. Ai u bë njeri, si ne, për të na çuar kah përmbushja e planit të Tij të dashurisë. E Hyji kërkon që edhe ne të bëhemi shenjë e veprimit të Tij në botë. Përmes fesë sonë, shpresës sonë, dashurisë sonë, solidaritetit tonё, Ai dëshiron që, me dritën e tij, të ndriçojë në natën tonë.

R.SH. - Vatikan

Koha e Ardhjes, qё na përgatit pёr Krishtlindje, na shpie tek plani i dashurisë së Zotit për të gjithë njerëzit, plan që na zbulohet plotësisht nga Krishti, i cili e shndërron jetën tonë. Prandaj, Kisha i fton besimtarët, posaçërisht në Kohën e Ardhjes, ta vënë në jetë planin e dashurisë së Zotit.

Koha e Ardhjes, pra, na fton edhe një herë, në mes të shumë e shumë vështirësive, sivjet posaçërisht pёr shkak tё koronavirusit, të jemi përsëri të sigurtë se Zoti është i pranishëm. Ai u bë njeri, si ne, për të na çuar kah përmbushja e planit të Tij të dashurisë. E Hyji kërkon që edhe ne të bëhemi shenjë e veprimit të Tij në botë. Përmes fesë sonë, shpresës sonë, dashurisë sonë, solidaritetit tonё, Ai dëshiron që, me dritën e tij, të ndriçojë në natën tonë.

Shën Pali Apostull nё Letrёn drejtuar të krishterëve të Efezit i larton një lutje bekimi Hyjit, “Atit tё Zotit tonë Jezu Krisht, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtёror nё qiell nё Krishtin....” (cfr 1,3-14), që na prin në rrugën e Kohës së Ardhjes. E pyesim ç’e shtyni Apostullin t’ia lartojë nga thelbi i zemrës këtë lutje Hyjit?. E larton, sepse shikon veprimin e Zotit në historinë e shëlbimit, që arrin kulmin me Mishërimin, Vdekjen mbi Kryq dhe Ngjalljen e Birit të Tij, Jezusit. Pali kundron sesi Ati qiellor na zgjodhi para krijimit të botës, për të qenë bijtë e Tij në shpirt, në Birin e Tij të vetëm, Jezu Krishtin (cfr Rom 8,14s; Gal4,4s).

Mund të themi, prandaj, se, në mendjen e Hyjit, ne ekzistojmë që prej amshimit, në një plan të madh, të cilin Ati e ruajti në vetvete, duke vendosur ta zbatojë e ta zbulojë, kur u plotësuan kohët(cfr Ef 1,10). Shën Pali na bën të kuptojmë, kështu, se mbarë krijimi e, në veçanti, burri e gruaja, nuk janë fryt i rastësisë, por i përgjigjen planit plot dashamirësi të arsyes së amshuar të Zotit, misterit të vullnetit të Atij, që me forcën krijuese e shëlbuese të Fjalës, i jep zanafillën botës.

E ne, pikërisht në këtë kohë të fortë të Ardhjes, shikojmë se ky plan dashurie nuk është më i fshehur: duket në Vetjen dhe në veprën e Krishtit. Ky plan dashamirësie nuk mbeti, në se mund të shprehemi kështu, në heshtjen e Hyjit, në lartësitë e Qiellit të Tij, por Ai e bëri të njohur në marrëdhënie me njeriun, të cilit nuk i dëftoi thjesht diçka, por i dëftoi vetveten. Ai, na kujton edhe Koncili II i Vatikanit, nuk komunikoi vetëm të vërtetën e plotë, por edhe u mishërua, u bë një nga ne.

Zoti, pra, e zbuloi planin e Tij të dashurisë, duke hyrë në marrëdhënie me njeriun e duke iu afruar deri në atë pikë, sa të bëhej edhe vetë njeri. Vetëm me inteligjencën dhe me aftësitë e tij, njeriu nuk do të kishte arritur kurrë tek kjo zbulesë kaq e ndritshme e dashurisë së Hyjit; ishte vetë Zoti ai, që e hapi qiellin e vet e u ul, për t’i prirë njeriut kah pafundësia e dashurisë së Tij.

E ky bashkim me Krishtin, që Hyji ua dhuron të gjithë njerëzve, Krishtlindja ne kujton nё mёnyrё tejet tё veçantë, nuk është diçka, që i kundërvihet natyrës sonë njerëzore. Përkundrazi, është përsosje e të gjitha shpresave, përkryerje e dëshirës për pafundësinë, që zjen pambarimisht në zemrën njerëzore. E në këtë perspektivë, pyesim: ‘Ç’është akti i fesë?’. Ky akt s’është tjetër, veçse përgjigjja që i jep njeriu Zbulesës së Zotit, është, për të përdorur një shprehje tё shёn Agostinit, lëshmi i vetvetes në dorë të Hyjit, së Vërtetës, që na e zbuloi misterin e Tij Hyjnor e që, prandaj, duhet t’i bindemi pa kushte në fe, duke e lëshuar plotësisht vetveten në oqeanin e mirësisë së Tij.

E gjithë kjo çon në ndryshimin e plotë të marrëdhënieve me realitetin: gjithçka duket nën një dritë të re. E pikërisht ky është kthim i vërtetë në rrugën e Zotit, është ndryshim i mendësisë, sepse Hyji, që u dëftua në Jezu Krishtin e na e bëri të njohur planin e Tij të dashurisë, na rrok, na tërheq pas vetes, bëhet kuptimi i vetë jetës, shkëmbi mbi të cilin njeriu e ndjen veten të sigurtë.

15 dhjetor 2020, 21:30