Kërko

Atë François Laborde, njeriu i “Qytetit të gëzimit” Atë François Laborde, njeriu i “Qytetit të gëzimit” 

Lamtumirë Atë François Laborde, njeriu i “Qytetit të gëzimit”

I mbylli sytë ditën e Krishtlindjes, në moshën 93 vjeçare, atë François Laborde, Meshtar në lagjet e jashtme të Kalkutës, pasi u pati shërbyer me gjithë shpirt të varfërve e pati frymëzuar Dominique Lapierre për krijimin e figurës së Paul Lambert, prift, personazh kryesor i veprës titulluar “Qyteti i gëzimit”. U nis për qiell, pikërisht në ditën kur Zoti zbriste në tokë, më 25 dhjetor, në spitalin e Midnapre, pranë Kalkutës(Indi).

R.SH. - Vatikan

Anëtar i institutit të Prados, atë François Laborde jetonte në Indi që nga viti 1965. Me veprimtarinë e tij pranë të varfërve, të sëmurëve e handikapatëve të Kalkutës, së bashku me Gaston Dayanand, misionar zviceran, frymëzoi veprën best-seller të Dominique Lapierre La Cité de la joi” , “Qyteti i gëzimit” - ku  mund të ndjekim edhe gjurmët e një figure tjetër, shumë të dashur për mbarë botën: Nënë Terezës, për të cilën Lapierre pati shkruar: “Takimi me Të ma ndryshoi krejt jetën”.

Që nga mosha  9 vjeçare François Laborde u prek thellë nga  jeta e mjerë  e mikut të tij më të mirë dhe familjes së tij, që banonte në Paris. U kthye në shtëpi me lot në sy. Lotë që, nësa lëshonte shtat, e shtynë të merrte udhën e largët, atje ku mjerimi ishte më i madh. Me bindjen se duhet të jetonte ndërmjet të varfërve, për t’i kuptuar. 

I shuguruar meshtar në vitin 1951, vijoi studimet për drejtësi kanonike e teologji në Romë e, më pas, edhe për filozofi, në Lion. Tetë vjet me radhë, dha mësimin e filozofisë në seminarin e Prados. Më 1965 u nis drejt Indisë,  për  studimin sociologjik mbi “marrëdhëniet ndërmjet popullsisë së periferive e asaj të integruar”, nën patronazhin e OKB-së dhe të Unesco-s. I prekur thellë nga varfëria e Kalkutës, vendosi të qëndronte në këtë qytet kontrastesh të hatashme. E aty preku me dorë fenë e vërtetë të këtyre njerëzve,  të cilëve Zoti u kish dhuruar hirin t’i përballonin me lutje edhe vështirësitë më të pakapërcyeshme. Prej kësaj atmosfere do të lindte vepra e mirënjohur “Qyteti i gëzimit”. E prej kësaj jete Ati i të varfërve u nis drejt një jete tjetër - ashtu si qe nisur edhe Nëna e të varfërve të Kalkutës,  Shqiptarja  më e madhe, Tereza Bojaxhiu.

 

29 dhjetor 2020, 10:22