Kërko

At Gjergj Fisha me At Jak Marlekaj At Gjergj Fisha me At Jak Marlekaj 

At Gjergj Fishta për rolin e shtypit

At Fishta: Shkalla e qytetnisë në këto motet tona, mundet me u matë prej përhapjes së gazetave, mjeti ma i mirë, që i shërben edhe përhapjes së dijes, mbarësisë, mbrojtjes të së drejtës e thyemjes së hovit të paudhnisë së ma të fortit, me një fjalë, së mbarës së kombeve e të fiseve.

R.SH. - Vatikan

Më se njëqind vjet më parë, Atë Gjergj Fishta do të theksonte me forcë rolin e shtypit për formimin e gjithanshëm të popullit shqiptar të sapo dalë nga robëria e gjatë. E do polemizonte me forcë me kalemxhnjtë, duke këkuar që gazetat, “në se duen me e përdorue përnjimend këtë armë të fortë, që e kanë në dorë, për të mirë të njerëzimit, për me davaritë  terrin e mizorinë e me përhapë të drejtën e qytetninë, duhet ta bajnë gazetën enciklopedi të moteve tona…”.

Fishta për rolin e shtypit

(marrë nga Kombsija e Kleri katolik)

Shkalla e qytetnisë në këto motet tona, mundet me u matë prej përhapjes së gazetave, mjeti ma i mirë, që i shërben edhe përhapjes së dijes, mbarësisë, mbrojtjes të së drejtës e thyemjes së hovit të paudhnisë së ma të fortit, me një fjalë, së mbarës së kombeve e të fiseve. Njeriu blen një gazetë pa e dijtë çka asht shkrue në të, në një kohë kur nuk asht as andërr as zhgjandërr. Masandej e hjedh më njenë anë, pa e dijtë se çka ka lexue, por nga që e lexon ditë për ditë, ato fjalë e ato punë të shkrueme në të, nuk mund të mos i lanë gjurmë të thellë në shpirt e t’ia ndërrojnë krejt mendjen... Prandej gazetat, në se duen me e përdorue përnjimend këtë armë të fortë, që e kanë në dorë, për të mirë të njerëzimit, për me davaritë  terrin e mizorinë e me përhapë të drejtën e qytetninë, duhet ta bajnë gazetën enciklopedi të moteve tona, domethanë që të ketë mbrendë gjithfarë njohunish të nevojshme për shoqninë e jetën e njerëzve e për t’i pajisë me dije fetare, filozofike, ekonomike, gjeografike, politike etj etj. Përndryshe

tue kenë se nuk i del  koha me i peshue hollë e gjatë shkrimet, gazetarët nuk munden me e krye detyrën e vet, ashtu si pret njerëzimi prej tyne. Arsyeja, pra, për të cilën disa prej gazetave të sotme nuk i gjegjen kësaj detyre të naltë, asht se nuk kanë tjetër literaturë, veç fletoreve e shkarravinave të veta. E këta njerz, sa ma të padijshëm që të jenë, aq ma shumë vehen me shkrue ndër gazeta e ngrihen mbi të tjerë si  gjyqtarë e mësues e mbahen si prijësa kombi e atdhetarë të flakët. 

Këta, mandej, me rrena, me të shpifuna e me trillime gjithfarësh, pa turp e pa njerëzi u marrin nepër fletore nderën burrave ma të kenun të shoqnive ma të zgjedhuna e herë ballafaqe, por ma të shumtën, të fshehun nën emna  të rrêjshem, i marrin nëpër gojë e i lnurin, pa u lanë as vend me i dalë zot së drejtës! Këta, pa dyshim, janë murtaja e njerëzimit, qelbsina e kombit e shkandulli i gjithkujt. E kësi njerëzish gjinden sot me shumicë në Shqipni… Njerëz të përmendun shpesh për shnjerëzime, të njohun për vese, të rrjepun e të shkelveshun prej mbrapshtinash, porsi çakaj të terbuem bërtasin, për mos me thanë, lehin, nëpër gazeta të poshtnueme, e nuk kanë marre me shkrue artikuj të çoroditun për të Parë të Fesë, për Zotni të ndershëm, pa tjetër dobi, veç pse gjejnë do ma të shnjerëzuem se vedin që me i këndue e me i levdue….

30 dhjetor 2020, 10:38