Kërko

Dita Botërore e Njerëzve me aftësi të kufizuar: askush të mos lihet mbrapa

Më 3 dhjetor, që nga viti 1981, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kremton Ditën për të promovuar përfshirjen e njerëzve me aftësi të kufizuara në shoqëri dhe për të luftuar të gjitha format e diskriminimit ndaj tyre. Tema e këtij viti është “Të rindërtojmë më mirë: drejt një bote pas Covid-19, që përfshin njerëzit me aftësi të kufizuara, që është e arritshme dhe e qëndrueshme”.

R.SH. - Vatikan

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 15% e popullsisë së globit është me aftësi të kufizuara. Nga numri i përgjithshëm i njerëzve në këtë situatë - mbi një miliard - rreth 450 milionë jetojnë me problematika, që kanë të bëjnë me aftësitë mendore ose neurologjike. Dy të tretat e njerëzve me aftësi të kufizuara nuk kërkojnë ndihmë mjekësore profesionale nga frika se mos i nënshtrohen paragjykimeve, diskriminimit dhe braktisjes. Vlerësohet se 69 milion individë në të gjithë botën vuajnë nga dëmtime traumatike të trurit çdo vit, ndërsa një ndër 160 fëmijë ka çrregullim të spektrit autik.

Të kapërcehet mendësia e aftësive të kufizuara

 Këtë vit, Dita - me temë “Të rindërtojmë më mirë: drejt një bote pas Covid-19, që përfshin njerëzit me aftësi të kufizuara, që është e arritshme dhe e qëndrueshme” – u kushton vëmendje të veçantë atyre njerëzve, që kanë forma të aftësisë së kufizuar, të cilat nuk shihen menjëherë, si çrregullimet mendore, dhimbja kronike ose lodhja, shikimi ose dëgjimi i dëmtuar, diabeti, dëmtimi i trurit, çrregullime neurologjike, probleme me aftësitë kognitive.

Në fakt, emergjenca shëndetësore e muajve të fundit i ka izoluar edhe më shumë ata, që vuajnë nga këto sëmundje. Në ndihmë të tyre vjen sporti, sidomos kalërimi, pasi natyra dhe marrëdhëniet me kalin i zhduk ndryshimet ndërmjet njerëzve me aftësi normale dhe atyre me aftësi të kufizuara, sidomos kur është fjala për fëmijë. Pa përjashtuar impenjimin e të gjithëve për t’u siguruar që shoqëria të mbajë qëndrime etikisht të drejta ndaj këtyre njerëzve, duke sinjaluar çdo formë abuzimi, fizik a moral.

03 dhjetor 2020, 14:41