Kërko

Vatican News
Avvento, Natale Avvento, Natale 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Marta e Javës III të Kohës së Ardhjes!

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Marta e Javës III të Kohës së Ardhjes!

R.SH. - Vatikan

Për t’u treguar të gjithëve se po afrohet gjithnjë e më shumë dita e Lindjes së  Krishtit, 25 dhjetori, bashkësia e krishterë e Evropës veriore përgatit Kurorën e Ardhjes.

Në vendet e gjuhës gjermane, Kurora, simbol i festës, quhet “Adventskranz”. Mbi kurorën, thurur me degë gjithnjë të blerta, vendosen katër dritëza, katër qirinj, që ndizen të dielë pas së dieleje, deri në solemnitetin e Krishtlindjes, për të kujtuar  etapat e ndryshme të historisë së shëlbimit para Krishtit. Janë edhe simbol i dritës  profetike, që dalëngdalë ndriçon natën, në pritje që të lindë në horizont Dielli i drejtësisë.

Zanafilla e këtij zakoni duhet kërkuar tek Luteranët e Gjermanisë lindore. Kurora e Ardhjes mund të shikohet si vazhdimësi e riteve të lashta pagane, që kremtoheshin në muajin yule(dhjetor), duke e ndriçuar errësirën me mijëra pishtarë, që mbaheshin ndezur gjithë natën. Zakonin e lashtë e vazhduan edhe protestantët e katolikët. Më pas u përhap edhe në Amerikë. Kunora e Ardhjes u zëvendësua me një unazë,  krijuar me degë bredhi (që mund të zevendësohet edhe me degë pishe e lari). Zakonisht Kurora varet në tavan, e stolisur me katër kordele të kuqe, por mund të vendoset edhe mbi tryezë.

Sipas traditës, duhet të ketë formë të rrumbullakët, sepse pikërisht rrethi është, qysh në lashtësi, simbol i amshimit e i unitetit.  Nuk ka fillim as fund e interpretohet  si simbol i dashurisë së Zotit, që është i amshuar e nuk ka fillim as mbarim. Rrethi  të kujton edhe “unazën” e besëlidhjes së Zotit me njeriun. E është edhe simbol  i   pushtetit mbretëror e i fitores së Foshnjes Hyjnore, Mbretit, që e mund errësirën me dritën e vet.

Degët e blerta, simbol i shpresës e i jetës së amshuar, të kujtojnë edhe hyrjen e Jezusit në Jeruzalem, ku pritet si Mbret e Mesi e përshëndetet me tundjen e rremave të blertë.

Kurora stoliset me kordele të kuqe ose bojë vjollcë; e kuqja - simbol i dashurisë së Jezusit që bëhet njeri; ngjyra vjollcë - shenjë pendese  e kthese,  që i paraprin ardhjes së Zotit.

 Që nga zanafilla, funksioni i Kurorës të Kohës së Ardhjes ka qenë, e është, kryesisht fetar: u kumton  afrimin e Krishtlindjes të gjithë atyre, që dëshirojnë të përgatiten për ardhjen e Zotit!  

15 dhjetor 2020, 08:48