Kërko

Shën Adelajdja, perandoreshë Shën Adelajdja, perandoreshë 

Më 16 dhjetor kalendari kujton Shën Adelajdën, perandoreshë

Grua me aftësi të rralla intelektuale, Adelaidja mori pjesë gjallërisht në drejtimin e shtetit. Mbretëroi me urti të jashtëzakonshme, duke i kushtuar vëmendje të dorës së parë nevojtarëve. U lidh me lëvizjen e reformës së Clunit. Ndërtoi kisha e kuvende, ndihmoi me të dyja duart të gjithë njerëzit që i drejtoheshin për të kërkuar mbështetje. U tërhoq në kuvendin benediktin të Selct në Strasburg, ku u përgatit për një vdekje të shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar me 16 dhjetor përkujton Shën Adelaidjen, perandoreshë. Emri Adelaide, shumë i përhapur ndër shqiptarё, ku ka marrë trajtën e shkurtuar Lajde e Adela, vjen nga gjermanishtja e lashtë dhe do të thotë “bijë bujare”.

Adelaidja lindi në vitin 931. I ati, Rudolfi, ishte mbreti i Burgonjës, e ëma, Berta, e bija e Lotarios, mbretit të Italisë. Si mbeti e vejë mbas tri vjet martese të lumtur, Adelaidja u persekutua e u burgos nga Berengari II i Friulit, që kishte shtënë në dorë mbretërinë e Italisë, vetëm sepse nuk pranoi të martohej me të birin. U lirua nga Ottoni I, me të cilin u martua e pati tre fëmijë. Ndërmjet tyre, Ottonin II.

Grua me aftësi të rralla intelektuale, Adelaidja mori pjesë gjallërisht në drejtimin e shtetit. Në vitin 962 Papa Gjoni XII e kurorëzoi së bashku me të shoqin, Otonin I. Pas vdekjes së Otonit, kaloi përsëri një periudhë tepër të vështirë, për shkak të të birit, Otonit II dhe së resë, Teofanisë. Nga viti 983 i mori në dorë frenat e shtetit si kujdestare e nipit të mitur, Otonit III.

Mbretëroi me urti të jashtëzakonshme, duke i kushtuar vëmendje të dorës së parë nevojtarëve. U lidh kështu me lëvizjen e reformës së Clunit, posaçërisht me abatët Maiolo e Odilone. Ndërtoi kisha e kuvende, ndihmoi me të dyja duart të gjithë njerëzit e kishës, që i drejtoheshin për të kërkuar mbështetje, derisa u tërhoq në kuvendin benediktin të Selct në Strasburg, që e kishte themeluar vetë, ku u përgatit për një vdekje të shenjtë.

Mbylli sytë më 16 dhjetor të vitit 999. Nisi të nderohej si shenjte në Alsasë shumë më parë se të shpallej shenjtore nga Urbani II në vitin 1097. Megjithatë emri i saj nuk përfshihet në Martiriologun Romak.  Jetën e Shën Adelaides e shkroi Abati Odilone, i cili e njohu nga afër Shenjtoren.

16 dhjetor 2020, 09:09