Kërko

Shtëpia e Bardhë Shtëpia e Bardhë 

Shtetet e Bashkuara, pas votës, para sfidës së unitetit

SHBA-të - para provës së pajtimit, pas zgjedhjeve presidenciale, që e gjetën vendin më të përçarë se kurrë në historinë e tij të kohëve të fundit. Nga Lincoln-i - tek Papa Françesku, jehon thirrja për vlerën e unitetit në larmi, kusht i domosdoshëm për të mirën e përbashkët dhe progresin e shoqërisë

R. SH. - Vatikan

“Një shtëpi që çon krye kundër vetvetes, nuk mund të mbahet në këmbë!” Më 16 qershor të vitit 1858 Abraham Lincoln, asokohe kandidat për Senatin, e shqiptonte këtë frazë, të frymëzuar nga Ungjilli i Markut (3,25) në një fjalim, që synonte të nënvizonte se demokracia amerikane nuk do të  kishte mundur të qëndronte në këmbë, me gjysmën shteteve, që kërkonin të vijonte skllavëria. Ky fjalim i presidentit të ardhshëm të SHBA-ve, i cituar mijëra herë gjatë një shekulli e gjysëm, mbetet qortim gjithnjë aktual për popullin amerikan i cili, që nga stema e tij, e zgjedhur prej Etërve themelues, të kujton menjëherë parimin e unitetit: E pluribus unum.

Pikërisht uniteti, “shumë më i lartë se konflikti”- siç na e kujton Evangelii Gaudium, kujtohet fuqimisht në këtë çast pas zgjedhjeve presidenciale amerikane më të përçara e polarizuese të historisë së kohëve të fundit në Vend. “Tani është çasti që liderët tanë të bashkohen me frymën e unitetit kombëtar e të jenë gati për të dialoguar e për t’u angazhuar për të mirën e përbashkët - pohoi kryetari i ipeshkvijve  të SHBA-ve, kryipeshkvi  i Los Angeles, Josè H. Gomez, në mesazhin e urimit drejtuar presidentit të sapozgjedhur Joe Biden dhe zëvendës - presidentes, Kamala Harris. E edhe mediat amerikane theksojnë pothuajse njëzëri temën e pajtimit kombëtar, parë si sfida më e ngutshme (njëherësh me Covid-19 e me krizën ekonomike, që e pason), të cilën qysh nga 20 janari i ardhshëm, duhet ta përballojë banuesi i Shtëpisë së Bardhë.

Jo rastësisht, më 30 qershorin e kaluar, Papa Françesku ndalej pikërisht tek çështja e unitetit, në një Mesazh në Catholic Press Association, shoqatë  e mediave katolike amerikane. “E pluribus unum”, ideali i unitetit në mes të larmive, në moton e SHBA-ve - vërente Papa - duhet të frymëzojë edhe shërbimin që ofroni për të mirën e përbashkët.  Kjo nevojë është akoma më e ngutshme sot, në një epokë karakterizuar nga konflikte të polarizuara, nga të cilat nuk është e mbrojtur as bashkësia katolike. “Ndjehet nevoja e mediave të afta  për të ndërtuar ura, për të mbrojtur jetën  e për të shembur muret, të dukshme të padukshme, që e pengojnë dialogun e sinqertë dhe komunikimin e vërtetë ndërmjet njerëzve dhe bashkësive”. Fjalë, këto, kushtuar mjeteve të komunikimit, por që i përkasin edhe mjediseve të tjera të shoqërisë amerikane.

Natyrisht unitet për Papën nuk do të thotë uniformitet. Edhe në këtë kontekst të veçantë, “na vjen në ndihmë figura e poliedrit që, në vizionin e Françeskut, “pasqyron shkrirjen e të gjitha pjesëve, por duke ruajtur origjinalitetin e tyre”. Model me vlerë për një komb i cili, qysh në lindjen e tij, paraqitet  shumëetnik, shumëkulturor, shumëfetar. “Fratelli tutti” – nuk është qëllim në vetvete - po që synon të promovojë të mirën e njeriut e të bashkësisë. Një binom, ky i fundit, që ishte bërthama e fjalimit të Françeskut në Kongresin e SHBA-ve ( hera e parë e pranisë së një Pape në Capitol Hill), më 24 shtator 2025.

“Nëse politikani do të jetë me të vërtetë në shërbim të njeriut - pati kujtuar me këtë rast - domethënë se nuk mund t’i nënshtrohet shërbimit të ekonomisë e të financës. Ndërsa politika është shprehje e nevojës sonë të domosdoshme për të jetuar së bashku në unitet e për ta ndërtuar së bashku të mirën e përgjithshme: atë të një bashkësie, që duhet t’i flijojë interesat e veçanta, për t’i ndarë bashkë, me drejtësi e paqe, përfitimet, interesat, jetën  shoqërore”.

Duke iu drejtuar, më pas, drejpërdrejt deputetëve dhe senatorëve amerikanë, Papa pati pohuar: “Nuk i nënvleftësoj vështirësitë, që duhen kapërcyer, por ju inkurajoj në këtë përpjekje”. Nxitje e cila sot, në një kalim kaq delikat për historinë e SHBA-ve, rijehon edhe më me forcë!

09 nëntor 2020, 15:32