Kërko

Giovani Paolo II in visita al WCC Consiglio Mondiale delle Chiese a Ginevra il 12 giugno 1984 Giovani Paolo II in visita al WCC Consiglio Mondiale delle Chiese a Ginevra il 12 giugno 1984 

Në Zvicër filloi Java e 14-të e feve

Një variant i ri, nga shkaku i pandemisë, për ngjarjen, që do të vijojë deri më 15 nëntor, organizuar nga Bashkësia ndërfetare e punës në Zvicër (Iras-Cotis), rrjet i lindur më 1992. Synimi është të nxisë njohjen reciproke përmes çasteve të takimit, për të kapërcyer çdo formë të përçarjes në gjirin e bashkësive.

R.SH. - Vatikan

Do të jetë më e reduktuar, në krahasim me vitet e kaluara, Java e 14-të kombëtare e feve, që nisi sot e do të vijojë deri më 15 nëntor, në Zvicër. Organizohet nga Bashkësia ndërfetare e punës në vend (Iras-Cotis), një rrjet i lindur më 1992 për të favorizuar shkëmbimin, dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të feve dhe kulturave të ndryshme, në të cilin marrin pjesë rreth shtatëdhjetë shoqata fetare helvetike. Qëllimi i nismës është të japë ndihmesën e vet për njohjen reciproke, përmes çasteve  të takimit, për t’i reduktuar, kështu, paragjykimet dhe frikën, që shkaktojnë përçarje në gjirin e bashkësive.

Kalendari i ngjarjeve 

Në fillim parashikohej një kalendar tejet i pasur me ngjarje lokale: kremtime ndërfetare për paqen, dreka me temën e fesë dhe të ushqimit, biblioteka “të gjalla”, në të cilat pjesëmarrësit do të tregonin historitë e tyre personale, takime në shkolla, ndeshje futbolli, ekspozita, biseda me refugjatët dhe projektime filmash me temë fetare.

Për shkak të emergjencës së Covid 19 organizatorëve vendas iu desh t’i anulonin shumë nga këto takime në minutin e fundit. Disa do të mbahen on line, ndërsa, nëse kushtet do ta lejojnë, të tjerët do të mund të mbahen edhe me praninë e pjesëmarrësve. Si alternativë për ngjarjete parashikuara, Iras propozon dy mundësi, që do të krijojnë kushtet për pjesëmarrjen e  personave, duke respektuar distancimin e nevojshëm: njëra është shëtitja në natyrë, në të cilën pjesëmarrësit, që duhet të regjistrohen, mund të bisedojnë për lidhjen e feve të ndryshme me Krijimin, duke u ndaluar mbi disa elemente të natyrës, si uji e zjarri. Ndërsa propozimi tjetër është një kremtim në natyrë, rreth zjarrit, nën qiellin e stolisur me yje ose rreth ndonjë druri, gjatë të cilit çdo bashkësi mund të sjellë kontributin e traditës së vet (reflektime, meditime, valle, muzikë…).

Ndërmjet atyre, që ndihmuan për organizimin e Javës së feve, sivjet duhet kujtuar Konferenca qendrore katolike romake e Zvicrës(Rkz), Kisha ungjillore e reformuar e Zvicrës si dhe Federata e Kishave Protestante  helvetike.

09 nëntor 2020, 14:11