Kërko

Natë terrori në Vjenë, të vdekur e të plagosur në kryeqytet

Austria, në shënjestër të terrorizmit. Një grup i armatosur prej së paku 4 vetësh goditi mbrëmë qendrën e Vjenës. Bilanci i përkohshëm flet për 4 të vdekur e 17 të plagosur. U vra atentatori i lidhur me terroristët e Shtetit Islamik. Ishte me origjine shqiptare nga Maqedonia e Veriut. “Kësaj urrejtjeje të verbër nuk duhet t’i përgjigjemi me urrjetje”, shkruan në Twitter, kardinali Christoph Schönborn. Vendi në zi për tri ditë.

R.SH. - Vatikan

Natën para se të fillonte mbyllja në shtëpi, për shkak të koronavirusit, Vjena u vu në shënjestër të terroristëve, që derdhën gjak në rrugët e qendrës së kryeqytetit austriak. Rreth orës 20, të shtënat e para afër sinagogës, pastaj, edhe në pesë zona të tjera. Videot e para në mediat shoqërore dëshmonin për skena të përgjakshme, që të kujtonin atentatin e Parisit, në vitin 2015, kundër selisë së revistës “Charlie Hebdo”. Bilanci flet për katër viktima, tre civilë dhe një polic. Ndër 17 të plagosurit, 7 janë në gjendje të rëndë. U vra edhe një nga atentatorët, të cilin ministri i brendshëm austriak, Karl Nehammer, e përshkroi si simpatizant të Shtetit Islamik. Ishte me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Edhe sot paradite, qeveria austriake i ftoi vjenezët të mos dalin nga shtëpitë dhe të mos shkojnë në qendër të qytetit. Shkollat ​​dhe disa stacione të metrosë u mbyllën. Sinagogat i kanë mbyllur dyert në gjithë Austrinë, e cila ka shpallur tri ditë zi. Sot në mesditë, mbahet një minut heshtje për viktimat.

Kardinali Schönborn: Austria nuk duhet të ketë frikë

“Kësaj urrejtjeje të verbër nuk duhet t’i përgjigjemi me urrjetje”, shkruan në Twitter, kryeipeshkvi i Vjenës, kardinali Christoph Schönborn. “Le të vijojmë udhën e bashkimit, të solidaritetit e të kujdesit. Këto janë vlerat, që e kanë plazmuar Austrinë” . Sot pasdite, do të kremtohet një meshë në kujtim të viktimave, në katedralen e Shën Shtjefnit, duke respektuar masat kundër koronavirusit. Ajo do të transmetohet edhe në internet, për ata, që s’mund ta ndjekin drejtpërdrejt. “Austria – theksoi prelati në një intervistë televizive - nuk duhet të bëhet shoqëri, që mbyllet në frikën e vet, por duhet të vazhdojë të jetë e hapur për të tjerët. Megjithëse tani duhet të mbajmë distancë, për shkak të pandemisë, me zemër nuk duhet të mbajmë distancë”.

Kronika

 Por, le t’u kthehemi fakteve. Në orën 20, të mbrëmjes së djeshme, u dëgjuan të shtënat e para pranë sinagogës Stadttempel. Më vonë, policia foli për “gjashtë skena krimi”, të gjitha në qendër të qytetit. Njëri nga atentatorët u vra, por të tjerët janë ende të lirë, “të armatosur” dhe “të rrezikshëm”. Sot paradite, ministri i brendshëm, Karl Nehammer, njoftoi se së paku njëri prej atentatorëve është ende i lirë. Nuk është akoma e qartë dinamika e këtij sulmi, por dukej se ishte i organizuar, në mos tjetër, nga fakti se atentatorët ishin me uniformë e personi i vrarë kishte një rrip, që dukej i mbushur me eksploziv, por më vonë rezultoi i rremë. Ndërkohë, Republika Çeke ka filluar kontrollet kufitare, ndërsa të gjitha ndërtesat publike janë nën vëzhgim.

Solidariteti

Kancelari austriak Sebastian Kurz foli për “një sulm të neveritshëm terrorist”. “Austria - tha ai - nuk do të lejojë ta frikësojnë”. Edhe bashkësia ndërkombëtare dënoi ashpër sulmin dhe i shprehu solidaritetin Austrisë. “I tronditur dhe i prekur”, shkruan Përfaqësuesi i Lartë për politikën e jashtme të BE-së, Josep Borrell: “Një akt i poshtër dhune dhe urrejtje”, komenton ai më tej, me mendjen tek viktimat dhe familjet e tyre. Reagime të ngjashme edhe nga krerët e tjerë të Bashkimit Evropian dhe nga krerët e qeverive të vendeve anëtare. Presidenti francez Emmanuel Macron, shkruan në një tweet: “Ne francezët ndiejmë tronditjen dhe dhimbjen e popullit austriak të goditur sonte nga një sulm në zemër të kryeqytetit të tij, Vjenës. Pas Francës, sulmohet një vend mik. Sulmohet Evropa jonë. Armiqtë tanë duhet ta dinë me kë kanë të bëjnë. Ne nuk do të dorëzohemi”. Reagime, edhe nga kandidatët për Shtëpinë e Bardhë: “Duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër urrejtjes dhe dhunës” shkruan në Twitter Joe Biden, ndërsa Donald Trump thekson se “këto sulme të mbrapshta kundër njerëzve të pafajshëm duhet të ndalen. Shtetet e Bashkuara janë përkrah Austrisë, Francës dhe gjithë Evropës në luftën kundër terroristëve”.

03 nëntor 2020, 11:34