Kërko

Ndërroi jetë Maradona, poeti i futbollit. Papa e kujton në lutje

Bota e sportit në zi për vdekjen e futbollistit argjentinas, Diego Armando Maradona, konsideruar nga shumë njerëz si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Papa Françesku i kujton "me dashuri" takimet e vitit 2014, me rastin e "Ndeshjes për Paqen" dhe të vitit 2015, në kuadrin e nismave dhe tё projekteve të "Scholas Occurentes”

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku, i informuar për vdekjen e legjendës së futbollit Diego Maradona, "i kujton me dashuri rastet e takimeve tё pёrzemёrta tё kёtyre viteve dhe e kujton në lutje, siç ka bërë ditët e fundit, që kur mori vesh për gjendjen e tij shëndetësore". Kёshtu, Matteo Bruni, drejtori i Sallës sё Shtypit tё Vatikanit, në komunikimin për gazetarët, sot në mbrëmje.

Nga Buenos Aires në Napoli, Kupa e Botës 1986 e dy Kupa të Italisë

Nga periferia plot pluhur e Buenos Airesit, në rrugicat e Napolit. Epopea sportive e Maradonës, i cili u lartua në majat e botës me ekipin argjentinas në kampionatin botëror 1986, është histori e futbollit. E është histori edhe goli i tij ndaj Anglisë me një zig-zag të paharrueshëm ndërmjet kundërshtarëve, që erdhi pas golit me grusht, të cilin arbitri nuk e pa, por që i dha emrin “Mano de Dios” (dora e Zotit). Histori janë edhe triumfet e tij në Napoli, skuadër, me të cilën fitoi dy kampionate, më 1987 dhe më 1990, përveç Kupës Uefa. Golat e tij, bij të një teknike tejet të hollë dhe të një këmbe të majtë pa të dytë, janë trashëgimi për brezat e ardhshëm të sportistëve. Loja e tij është shprehja më e lartë e futbollit, ajo që ndërthur frymëzimin me shkathtësinë, intuitën vendimtare me një vizion të jashtëzakonshëm.

Futbollist i jashtëzakonshëm, njeri i brishtë

          Futbollist i madh, por edhe njeri i brishtë, Maradona pati një jetë që, herë pas here, u shënua nga plaga e drogës. Një jetë që, nga lindja, në lagjen popullore të Villa Fiorito e deri në çastet e fundit, në shtëpinë e tij në Tigre, në moshën 60 vjeçare, nuk u nda kurrë nga dashuria për atdheun, Argjentinën e tij. I njëjti vend i Papës Françesku, i cili e do futbollin dhe është tifoz i San Lorenzo de Almagro. Ati i Shenjtë ka pasur rastin edhe t’i admirojë bëmat e fantazistit më të madh të të gjitha kohërave. E njohu dhe u takua me të disa herë.

Ishte viti 1986 ...

Vetëm disa ditë më parë, duke folur për veten në librin “T’u kthehemi ëndrrave”, Papa Françesku përmend qëndrimin e tij në Gjermani dhe vetminë me të cilën e pati jetuar fitoren e Argjentinës në Kampionatin Botëror të Futbollit 1986. Ajo fitore mban shenjën e Diego Armando Maradonës, i cili i dha kombit të vet Kupën e Botës për herë të dytë në historinë e tij. E fanellën me numër 10, “El pibe de oro” e solli në Vatikan vite më vonë, më 1 shtator 2014. Në Sallën Pali VI, Papa Françesku falënderoi kampionët e futbollit, që merrnin pjesë në ndeshjen ndërfetare për paqen, e cila do të luhej në mbrëmje në Stadiumin Olimpik të Romës. Një sfidë në emër të solidaritetit, organizuar nga “Scholas occurrentes”, promovuar nga Papa, dhe nga shoqata e Xavier Zanetti-t - një tjetër kampion i rëndësishëm argjentinas - “Fondacioni P.u.p.i Onlus”.

Një top vlen më shumë se një mijë armë

Përqafimi i përzemërt i Maradonës me Papën daton në atë kohë, ashtu si edhe dorëzimi i bluzës me fjalën “Francisco” dhe me dedikimin: “Papës Françesku, me gjithë dashurinë time dhe me shumë paqe për gjithë botën”. Në mikrofonin e gazetarëve, Diego Armando thoshte se ndërmjet të dyve “kampioni i vërtetë” ishte Papa. Rrëfente se ishte larguar nga Kisha, por se e ndjente thellë afërsinë me Françeskun, për vëmendjen e tij ndaj të varfërve. “Çfarë më tha Papa? Se po më priste”. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, Diego Armando Maradona jep një mesazh paqeje:

Creo que todos tenemos ...

Unë besoj se të gjithë ndiejmë diçka në zemër, kur shohim luftë, kur shohim të vdekur ... Ne duhet të lëmë mënjanë shumë gjëra dhe të kërkojmë paqen. Mendoj se kjo lojë e ndryshon pak idenë se ne lojtarët nuk bëjmë asgjë për paqen: është krejt e kundërta! Duam që njerëzit të bëhen të vetëdijshëm se paqja është gjëja më e mirë për të gjithë!

Pra, besoni se sporti mund të kontribuojë për paqen?

          Es fundamental! Es fundamental! Creo que una pelota vale más che 100 fusiles....

Është themelore! Është themelore! Unë mendoj se një top vlen më shumë se 100 armë. Kjo është shumë e qartë për mua! Sporti është ai, që të bën të mendosh se nuk duhet të dëmtosh të tjerët.

Françesku, fenomenal

Impenjimi i Maradonës me “Scholas Occurentes” nuk përfundon me ndeshjen e Romës, në vitin 2014. Kur kthehet në Itali, kampioni merr pjesë në një konferencë për shtyp në selinë e Radio Vatikanit, ku paraqiten projekte dhe nisma për edukimin dhe solidaritetin. E kjo është korniza e takimit të ri me Papën, për të cilin Maradona përdor fjalë të bukura, plot admirim dhe vlerësim:

Dëgjo fjalët e Maradonës...

Querría realmente agradecir a Francisco...

Dua vërtet ta falënderoj Françeskun për gjithë dashurinë që më shpreh. Sot, besoj se të gjithë e pranojmë se ai është fenomen, se do të bëjë diçka për fëmijët dhe se kemi një Papë fantastik. Biseduam për shumë gjëra, për impenjimin që lojtarët të bashkohen dhe të bëjnë diçka për fëmijët, që nuk kanë të hanë në shumë anë të botës. E ishim plotësisht dakord, por do të duhet shumë kohë. Sot, mund të them se jam një mbështetës i Papës. Përkrahësi i parë i Françeskut jam unë.

El Santo Padre...

Ati i Shenjtë më trajton si vëlla dhe i trajton të gjithë në të njëjtën mënyrë. I trajton të gjithë njësoj: puth të gjithë, përqafon të gjithë. Ka pak kohë në dispozicion, punon shumë, por gjithmonë gjen kohë për të gjithë.

Esto es un sueño...

Po përjetoj një ëndërr. Këtë kam dashur të bëj prej kohësh. Kam luajtur futboll dhe sot ka fëmijë që vazhdojnë të luajnë futboll, të cilëve duhet t’u blejmë këpucë, të cilët nuk kanë fushë ku të luajnë. Ne duam t’i ndihmojmë me Scholas Occurrentes. Dhe të gjithë lojtarët, të gjithë futbollistët janë me Françeskun.

Në vitin 2016, një telefonatë me Papën

Në vitin 2016 - edicioni i tretë i Ndeshjes së Paqes, më 12 tetor - mblidhen fonde edhe për Amatrice-n, dëmtuar rëndë nga tërmeti. Maradona merr pjesë në të e tregon se Papa i ka telefonuar. “Kur më thanë se do të luanim edhe për njerëzit e goditur nga tërmeti, mendova se nuk mund të mungoja në një nismë si kjo. Ne do të bëjmë diçka shumë të madhe, do të mbledhim fonde për të ushqyer fëmijët, për të thënë fjalën tonë mbi paqen dhe për t’i dhënë një dorë Papës Françesku”.

25 nëntor 2020, 21:05