Kërko

Liderët e Konferencës Botërore të Feve Liderët e Konferencës Botërore të Feve 

Jo dhunës: mesazh i Konferencës Botërore të Feve

Plagët, që iu hapën mbarë njerëzimit në Nicë e në Vjenë, i nxitën prijësit e feve të ndryshme të bënin një deklaratë, për të favorizuar respektin dhe lidhjen ndërmjet feve, në emër të paqes.

R. SH. - Vatikan

Pas akteve të tmerrshme të terrorit e të dhunës në emër të fesë, në Francë, Vjenë e vise të tjera të botës, Konferenca Botërore e Feve për Paqen, në një deklaratë, që mban datën 4 nëntor, botuar në faqene saj të internetit, i nxit të gjithë të përdorin fjalë, që favorizojnë bashkimin e jo përçarjen, duke kujtuar se liria e fjalës është vlerë, të cilën të gjithë duhet ta përdorin  për t’i bërë nder dinjitetit të mbarë qenieve njerëzore.

Të ndërtohen ura dashurie

Deklarata e liderëve fetarë botërorë i drejtohet mbarë njerëzimit menjëherë pas sulmit, që gjakosi Nicën më 30 tetor e Vjenën, më 2 nëntor. “E kemi për detyrë, si prijës të feve - lexohet në komunikatë - të japim përgjigje  njerëzore, të mëshirshme, jo hakmarrëse, “sepse të jesh hakmarrës do të thotë të shkatërrosh veten e edhe të tjerët”. Të gjithë e kemi për detyrë  t’i kundërvihemi çdo lloj fjalimi politik, “që përjashton a nëpërkëmb besimtarët e cilësdo fe”. Duhet të ngulim këmbë në përpjekjen për të ndërtuar ura dashurie - nënvizojnë krerët e feve të ndryshme në deklaratë. Me që liderët myslimanë të mbarë botës e përgënjeshtruan kategorikisht  se aktet e fundit të dhunës u kryen në emër të Islamit, në Konferencën Botërore të Feve për Paqen u theksua se myslimanët “ndjejnë dhimbje të thellë kur Profeti i tyre vihet haptazi në lojë”, por pa harruar se kjo nuk e justifikon shkeljen e parimeve të vetë Islamit a të çdo feje tjetër”. Në dritën e ngjarjeve, që ndodhën, pasi shprehën solidaritetin e tyre të thellë , duke lartuar lutje për familjet e viktimave të akteve terroriste, liderët fetarë ripohuan angazhimin e tyre “për të folur e për të vepruar me frymë ndërfetare, respektuese, për t’i shëruar plagët e për të punuar me drejtësi për paqen”. 

07 nëntor 2020, 12:11