Kërko

Vatican News

Gëzuar e Bekuar 28 nëntorin, Festën e Flamurit

28 nëntori nuk është një përvjetor i thjeshtë. Është kremtimi i demokracisë dhe vlerave themelore të jetës sonë të përditshme, i identitetit dhe kulturës sonë. Është kremtimi i të qenit tonë shqiptarë. Prandaj, të gjithëve, Gëzuar e për Shumë Vjet Festën e Flamurit.

R.SH. - Vatikan

Gëzuar e për Shumë Vjet Festën e Flamurit

28 nëntori është ditë patriotësh për shqiptarët. Më 28 nëntor, kudo ndodhen e nga çdo trevë ta kenë prejardhjen, shqiptarët kremtojnë Festën e Pavarësisë, Festën e Flamurit. Dita e 28 nëntorit është dy herë e kremte e madhe. Më 28 nëntor 1912, siç u mësohet të gjithë vogëlushëve shqiptarë në shkollë, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, duke e bërë Shqipërinë “të pavarme dhe të mëvetme” nga perandoria otomane, e cila e mbajti popullin nën zgjedhë për 500 vite me radhë. Pavarësi, që u deshën të tjera vite, shumë sakrifica e shumë gjak , për t’u njohur nga Fuqitë e Mëdha të kohës. E po më 28 nëntor, por në vitin më të largët 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës.

Për shkak të koronavirusit, si asnjë herë tjetër, 28 nëntori i sivjetëm kremtohet nё mёnyrё tё thjeshtё, nëpër shtëpi. Edhe nismat tjera solemne si koncerti, që zakonisht mbush sheshet e Tiranës, do të transmetohet në rrjetet shoqërore e të gjitha veprimtaritë tjera do të jenë disi nën tonin e zakonshëm. E megjithatë, për çdo shqiptar, pavarësisht se në kushte të veçanta, rreth vatrës së vet familjare, data e 28 nëntorit 1912 mbetet ditë patriotësh e lirie.

28 nëntori nuk është një përvjetor i thjeshtë. Është kremtimi i demokracisë dhe vlerave themelore të jetës sonë të përditshme, i identitetit dhe kulturës sonë. Është kremtimi i të qenit tonë shqiptarë. Prandaj, të gjithëve, Gëzuar e për Shumë Vjet Festën e Flamurit.

Atë Gjergj Fishta : Himni i Flamurit Kombtàr

1 Porsi fleta e Êjllit t’ Zotit

Po rreh Flamuri i Shqypnís

E thrret t’bijt e Kastrijotit

Me u mbledhë tok nder çetë t’ushtrís.

2 Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnyesë a t’gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

3 Për mbas Flamurit t’vet Shqyptari,

Kúr rrokë armët per t’drejta t’veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vêhet m’t’leta.

Bini, Toskë! etj.

4 Mbi njatë Flamur Perendija

Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:

“Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija:

Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”

Bini, Toskë! etj.

5 Shka? a thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,

Qi vetë Zoti na ka dhânun,

Sod me e shkelë kamba e poshtnueme

E nji t’huej’t na kem’ m’ia lânun?

Bini, Toskë! etj.

6 Ah; jo, kurr. Njiqind herë para

Kem’ me u shkrî me grá, me fmi!

Kem’ me mbetë kortar nder ara,

Se me shkelë lâmë t’ huej’n n’ Shqypní.

Bini, Toskë! etj.

7 M’kambë , Sokola të Shqypnís!

Flamri i ynë, qe, n’ajr po shtiellet

Si pol veshet t’Perendís,

Kah na bân hije prej qiellet.

Bini, Toskë! etj.

8 Mâ mirë dekë me u shue nen hije

T’Flamrit t’onë në fushë t’mejdanit,

Se me rrnue nji jetë robnije

Për nen sukuj t’huejë t’Balkanit.

Bini, Toskë! etj.

9 Armët e besën na i njeh bota;

Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,

Luften né na e msoj Kastrjota:

Kê, theu, frigë, do t’ kén Shqyptarët?

Bini, Toskë! etj.

10 Urra! djelm, eh ’u dhashtë e mbara!

Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!

Flamri i ynë, qe, u nis përpara:

Ndihmo, Zot, për Atme e Fé!

Bini, Toskë! etj.

27 nëntor 2020, 13:04