Kërko

Kardinali Christoph Schönborn, Kryeipeshkёv i Vjenës Kardinali Christoph Schönborn, Kryeipeshkёv i Vjenës 

Austri: Kardinali i Vjenës, ‘tё mos i përgjigjemi urrejtjes me urrejtje’

Një Meshë në përkujtim të viktimave do të kremtohet në Katedralen e Shёn Shtjefnit nё Vjenë.

R.SH. - Vatikan

Një thirrje popullsisë që të mos i përgjigjet urrejtjes me urrejtje bёri sot nё mëngjes Kardinali Christoph Schönborn, Kryeipeshkёv i Vjenës. "Urrejtja nuk ka duhet të jetë përgjigjja ndaj kësaj urrejtjeje të verbër", tha Schönborn pёr televizionin Orf. "Urrejtja krijon vetëm urrejtje të re" e kjo është mënyra e gabuar për të reaguar ndaj ngjarjeve të tmerrshme të natës së kaluar". Ndërkohë, numri i civilëve të vrarë gjatë sulmeve të armatosura mbrëmë në Vjenë është rritur në pesë: njofton gazeta austriake Kleine Zeitung. Tё plagosurit deri më tani thuhet se janё 22 vetё, prej të cilëve të paktën gjashtë janë në gjendje të rënd. 

Në këtë sulm ka marrë pjesë edhe një i ri shqiptar, me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer. Kujtim Fejzullai, 20 vjeç, sipas Nehammer ishte një mbështetës i grupit terrorist. Ai qe dënuar me 22 muaj burg më 25 prill 2019, pasi kishte tentuar të udhëtonte drejt Sirisë për t’iu bashkuar ISIS-it. Më 5 dhjetor u lirua me kusht. Autoritetet austriake janë vënë tani në kërkim të autorëve të tjerë të dyshuar të sulmit, që sipas tyre mund të kenë qenë deri në katër. E në mesin e pjesëtareve të policisë austriake që u konfrontuan me sulmuesit, mbrëmë në Vjenë, ishin edhe tre zyrtarë policor që janë me prejardhje nga Kosova.

"Urrejtja nuk mund të jetë përgjigjja. Urrejtja sjell më shumë urrejtje". Kёshtu pohoi kryeipeshkvi i Vjenës, Kardinali Christoph Schönborn, për televizionin Orf duke përdorur fjalët e njërit prej të mbijetuarve të Bataclan për të dënuar sulmet e mbrëmshme terroriste në Vjenë. ''Ju kurrë nuk do ta keni urrejtjen tonë, ne nuk do të përgjigjemi me urrejtje'', pati thёnё i mbijetuari i sulmit terrorist nё Bataclan.

Kryeipeshkvi Schönborn më pas njoftoi për kremtimin e një Meshe sotnë Katedralen e Shën Shtjefnit në pёrkujtim të viktimave, duke nënvizuar se masat anti Covid që hynë në fuqi mbrëmë në Austri do të respektohen. Kremtimi i Meshёs nё Katedralen e Vjenёs do të transmetohet nё streaming.

Feja e vërtetë është burim paqeje e jo dhune! Askush s’mund ta përdorë emrin e Zotit për dhunë! Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh! Të diskriminosh në emër të Zotit është çnjerëzore. Prandaj, "është e nevojshme të gjejmë paqen e brendshme për të komunikuar me besimtarët pa kaluar nё panik", vazhdoi Kardinali Schoenborn, duke thënë se "natën e kaluar kam marrë shumë mesazhe nga besimtarët që kërkojnë të lutemi për Vjenën e për Austrinë. Këto janë format pozitive të solidaritetit që na duhen". '' Prej kohësh duhet t’i respektojmë distancat, por kjo nuk vlen për zemrat tona'', përfundoi kryeipeshkvi i Vjenës, Kardinali Christoph Schoenborn duke ftuar nё solidaritet në mesin e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.

03 nëntor 2020, 09:49