Kërko

 Cimitero polacco in Ucraina Cimitero polacco in Ucraina 

2 nëntor, vdekja na kujton se jemi në shtegtim drejt amshimit

Pasi kremtuam dje Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve Kisha na fton sot të kujtojmë gjithë besimtarët e vdekur, gjithë fytyrat e atyre, që na paraprinë e që e përfunduan shtegtimin mbi këtë tokë. Të kujtosh të vdekurit e dashur, është njëlloj si të bësh një shtegtim në amshim. Vdekja duhet përjetuar në dritën e Krishtit të Ngjallur e të dashurisë së amshuar të Zotit.

R.SH. - Vatikan

Pasi kremtuam dje Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve Kisha na fton sot të kujtojmë gjithë besimtarët e vdekur, gjithë fytyrat e atyre, që na paraprinë e që e përfunduan shtegtimin mbi këtë tokë.

Dita e përkujtimit të të vdekurve, mё 2 nëntor, na kujton se Vdekja është një gjë tejet e rëndësishme: se të gjithë, pa dallim e pa përjashtim, jemi kalimtarë në këtë botë, të paracaktuar për lumturinë e amshuar hyjnore në atë masë, me të cilën hyjmë në misterin e Hyjit.

Kisha mё 2 nëntor i kujton me dashuri të madhe të gjithë besimtarët dhe njerëzit që vdiqën, duke i përkujtuar një për një emrat e tyre me dashuri, nderim, mirënjohje dhe fe e shpresë në Zotin e Gjallë.

Vdekja ftesë të jetojmë me dashuri

Në këtë ditë kushtuar të vdekurve, duhet të mendojmë se në se Zoti e thërret parakohe pranë vetes një të drejtë, domethënë se ka për të planin e vet hyjnor të parapëlqyer, i cili për ne është i panjohur dhe i mistershëm: vdekja e parakohshme e njeriut që duam është ftesë, e cila na kujton se nuk duhet të jetojmë si njerëz të rëndomtë, por duhet të shpejtojmë e ta jetojmë shenjtërisht jetën tonë me dashuri e për dashuri… Bota i quan me fat ata që jetojnë gjatë, por Zoti, më shumë se jetëgjatësinë, e shikon pastërtinë, sinqeritetin e zemrës dhe dashurinë e çdonjërit. Bota i vlerëson njerëzit e mësuar, të ditur, po Zotit i pëlqejnë më shumë të vegjlit e ata që dashurojnë.

Kemi, pra, një kontrast ndërmjet asaj që duket sikur shikojnë sytë e njerëzve, e asaj që shikojnë sytë e Zotit. Por këto dy përmasa të realitetit: ajo e përkohshmërisë dhe e dukjes, e ajo ‘e thella, e vërteta dhe e amshuara’, nuk vihen në një vazhdimësi të thjeshtë kohore njëra pas tjetrës, sikur jeta e vërtetë të fillonte vetëm pas vdekjes.

 Jeta e amshuar fillon që në këtë botë

Në realitet jeta e vërtetë, jeta e amshuar, fillon që në këtë botë, ndonëse në pasigurinë e ngjarjeve të historisë njerëzore; jeta e amshuar nis në atë masë, që ne ia hapim zemrën misterit të Zotit dhe e pranojmë mes nesh. Është Hyji Zot i jetës e në Të jetojmë, lëvizim e ekzistojmë. (krh Vap 17,28). Nga ana tjetër në perspektivën e urtisë ungjillore edhe vetë vdekja na jep një mësim të mirë, sepse na detyron ta shikojmë sy në sy realitetin. Na shtyn ta pranojmë kotësinë e të gjitha gjërave njerëzore e tokësore që duken të mëdha e të fuqishme në sytë e botës. Përballë vdekjes humbet kuptimin gjithçka që e shtyn njeriun të mburret, ndërsa del në pah ajo që vlen seriozisht e përjetësisht. Gjithçka mbaron, të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë. Vetëm Zoti e ka jetën në vetvete: Ai është vetë Jeta!.

Në logjikën e dhurimit e të dashurisë

Prandaj, përkujtimi e kremtimi i kësaj dite na kujton se njeriu mund të arrijë në jetën e pasosur, vetëm duke hyrë në logjikën e dhurimit e të dashurisë: ashtu si Zoti na u dhurua ne në Krishtin, kështu edhe ne jemi të thirrur t’ia dhurojmë vetveten të tjerëve: është logjika e dashurisë, që na bën të kalojmë nga vdekja në jetë, pavarësisht nga ligështitë tona njerëzore. Kjo fjalë jete e shprese na ngushëllon pa masë përballë misterit të vdekjes, posaçërisht kur na i merr njerëzit që i duam më shumë.

 Vdekja nuk e këput lidhjen me Zotin

Të kujtosh të vdekurit e dashur, është njëlloj si të bësh një shtegtim në amshim. Vdekja, për ne, të krishterët, ndriçohet nga Ngjallja e Krishtit, prej nga buron besimi i patundur në jetën e pasosur. Ndarja nga jeta tokësore është, pa asnjë dyshim, e dhimbshme, por kjo nuk duhet të na trembë, sepse në sa i këput të gjitha lidhjet me tokën, nuk mund ta këpusë lidhjen e thellë, që na bashkon me Zotin. Kjo siguri e të krishterit, hedh dritë mbi paradoksin e njeriut bashkëkohor, i cili nga njëra anë ka hequr dorë nga përshpirtëria e krishterë, nga ana tjetër, përballë vdekjes, kërkon shtigje paralele, që i hapin udhën e jetës së amshuar. Sepse njeriu ka gjithnjë etje për jetë.

Vdekja në dritën e Krishtit të Ngjallur

Vdekja, na kujton Kisha, duhet përjetuar në dritën e Krishtit të Ngjallur e të dashurisë së amshuar të Zotit. Në se na trishtoi ndarja prej njerëzve të dashur e vijon ende të na hidhërojë thellë mungesa e tyre, feja na mbush me ngushëllim, duke na kujtuar se ashtu si për Zotin Jezus, e gjithnjë për hir të Tij, vdekja nuk ka më pushtet mbi ta (cfr Rom 6,9). Duke kaluar, në këtë jetë njerëzore e tokësore, përmes zemrës së mëshirshme të Krishtit, të vdekurit kanë hyrë në ‘një vend pushimi’’ (Ur 4,7): E tani dëshirojmë me gjithë zemër t’i mendojmë në shoqërinë e shenjtorëve, të lehtësuar më në fund nga hidhërimet e mundimet e kësaj jete, e ndjejmë edhe ne dëshirën të bashkohemi një ditë me këtë shoqëri kaq të lumtur.

01 nëntor 2020, 15:52