Kërko

HUNGARY ALL SAINTS DAY,HUNGARY ALL SAINTS' DAY,HUNGARY ALL SAINTS DAY HUNGARY ALL SAINTS DAY,HUNGARY ALL SAINTS' DAY,HUNGARY ALL SAINTS DAY 

2 nёntor: ç’kuptim ka jeta e aq më tepër, vdekja?

Vdekja bëhet gjithnjë më anonime, formë e shpersonalizimit të njeriut që ka jetuar e ka vdekur. Tepër aktuale lutja-poetike e poetit të famshëm gjerman, Rilke:Jepi, o Zot, secilit, vdekjen e vet, /vdekjen që nga jeta lulëzoi;/nga jeta në të cilën çdo njeri,/gëzimin e vuajtjen provoi.

R.SH. - Vatikan

Kisha, sot mё 2 nёntor, na fton t’i përkujtojmë besimtarët e vdekur me meshë, lutje, lëmoshë e ndjesë, në mënyrë që plotësisht të pastruar, të pranohen në jetën e amshuar. Por ç’ është kjo jetë e amshuar?

Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjesht një jetë pa fund, por sidomos, një cilësi e re e jetës, shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, që na çliron nga e keqja e nga vdekja e na bashkon pa fund me të gjithë vëllezërit e motrat, të cilët marrin pjesë në të njëjtën Dashuri.

Para enigmës së vdekjes, shumëkush dëshiron e shpreson t’i gjejë përsëri të dashurit e vet në jetën e përtejme. E duke folur për kujtimin e të vdekurve, Kisha e quan vdekjen paralajmërim për jetën e pasosur, duke na ftuar të mos harrojmë se Zoti-dashuri e flijoi jetën pikërisht për ne. Prandaj nuk na braktis kurrë, sepse na do pafund.

U ngjalla e tani jam gjithnjë me ty – na thotë Jezusi Zot – e dora ime të mban. Kudo që të rrëzohesh, do të biesh në duart e mia e do të jem i pranishëm edhe në portën e vdekjes. Atje ku nuk mund të të shoqërojë më askush e ku ti nuk mund të marrësh me vete asgjë, atje do të të pres, që ta shndërroj, për ty, errësirën në dritë.

2 nëntori është, pra, një ditë përkujtimi që na nxit të reflektojmë thellë e sidomos, na shtyn t’i bëjmë vetes pyetjen më të rëndësishme, të përjetshme: prej nga vijmë e ku shkojmë? Ç’kuptim ka jeta e aq më tepër, vdekja?

Vdekja sot është bërë fjala më e padëshirueshme, është bërë tabu. Nuk duhet folur për të, e as nuk duhet menduar. Njeriu i sotëm nuk dëshiron ta pranojë vdekjen: prandaj përpiqet të krijojë mitin e shëndetit e të formës së përkryer fizike, një lloj rinie të përjetshme, që e përjashton plakjen e vdekjen. Ndeshemi me prirjen për t’ia fshehur vdekjen njeriut që i afrohet cakut të fundit, duke i mohuar kështu mundësinë të përgatitet për këtë shtegtim të mbram, tepër të vështirë, drejt amshimit. Njeriu i sotëm rrallë herë vdes në shtëpi të vet, i rrethuar nga fytyrat e dashura të të afërmve: sot vdiset ndër strukturat shëndetësore, në vetmi të plotë!

Vdekja bëhet gjithnjë më anonime, formë e shpersonalizimit të njeriut që ka jetuar e ka vdekur. Tepër aktuale lutja-poetike e poetit të famshëm gjerman, Rilke:
Jepi, o Zot, secilit, vdekjen e vet,
vdekjen që nga jeta lulëzoi;
nga jeta në të cilën çdo njeri,
gëzimin e vuajtjen provoi.

Por ka edhe më: është edhe vdekja sipas dëshirës, pasojë e kulturës së vdekjes e cila vijon të përhapet për shkak të jetës së papërgjegjshme, që i kundërvihet vetë jetës, në të cilën mbretëron droga, shpejtësia e çmendur, netët me dehje ndër diskoteka…Vjen pastaj vdekja e dëshpëruar e njeriut që jeton pa shpresë. Vetëm vdekja e krishterë përshkohet nga vetëdija e kalimit në jetën e pasosur, është plot me shpresën e njeriut që e lëshon plotësisht e përfundimisht veten në duart e Atit Hyjnor, i sigurt se do të ringjallet.

02 nëntor 2020, 11:50