Kërko

27 tetor 1986, Dita botërore e lutjes për paqen në Asizi, intuitë profetike e Gjon Palit II

34 vjet pas takimit historik për paqen, më 27 tetor 1986, dashur nga shën Gjon Pali II, me fetë e ndryshme pёr tё shkëmbyer përvojën e fesё dhe tё lutjes, tё vazhdojmё t’i lutemi Zotit e të punojmë së bashku për paqen e vёllazёrimin e mbarё njerёzimit.

R.SH. - Vatikan

Fetë në shërbim të paqes: më 27 tetor 1986, tridhjetekatër vjet më parë, Papa Shёn Gjon Pali II bënte një nga gjestet më domethënëse të papnisë së tij. Papa Wojtila mblidhte në Asizi udhëheqësit e feve të mëdha të botës për t’iu lutur së bashku Zotit që t’i dhuronte njerëzimit pasurinë e madhe të paqes. Profeci e dëshmi korale për paqen, që shërbeu për të sqaruar pa kurrfarë dyshimi se feja nё Zotin nuk mund të jetë tjetër, veçse vazo në të cilën mbin, rritet e lulëzon gonxhja e paqes, pa harruar se paqja ka nevojë për dashuri të pasionuar, që lind nga kthesa e zemrës.

E kjo dashuri lulëzoi në Asizi, në një ditë dimërore të 27 tetorit 1986, kur frynte erë e ftohtë, si lufta që e ndante botën në dy blloqe kundërshtare. E në sa bota asokohe tmerrohej nga rreziku i mundshëm i luftës bërthamore e kërkonte me ankth një profet, e gjeti atë në Papën Wojtila, polak, njeriun që njohu tmerret e Luftës II Botërore dhe dhunën çnjerëzore të regjimeve lirivrasëse. Papa Shёn Gjon Pali II bëri thirrje - e në Asizi u mblodhën 12 delegacione, përfaqësues të kristianëve, hebrenjve, myslimanëve, budistëve, sikhve, induistëve e shintoistëve, të cilët i lartuan në kor Zotit lutjen e pasionuar për paqe, aq aktuale edhe për ditët tona!

34 vjet pas takimit tё Asizit për paqen, dashur nga shën Gjon Pali II, me fetë e ndryshme pёr tё shkëmbyer përvojën e fesё dhe tё lutjes, së bashku, për një botё vëllazërore e nё paqe, në botën aktuale, ku dhuna, persekutimet, terrorizmi e kërcënimet e ndryshme shtohen, si koronavirusi, dëshmia e lutjes së përbashkët është mesazh për njerëzit vullnetmirë.

Në dekadat e fundit - duke nisur nga Dita e lutjes për paqe, kremtuar në Asizi më 27 tetor 1986 nga Papa Wojtyla - kanë qenë të shumta takimet ndërfetare mbledhur sipas dëshirës së Papëve, për të kërkuar, së bashku me përfaqësuesit e krishterë dhe liderët e feve të ndryshme, dhuratën e paqes. Kisha dëshiron, që Takimi Asizit më 27 tetor 1986 të kujtohet jo vetëm si ditë lutjeje, por edhe shtegtimi. Në qendër të saj është kërkimi i së vërtetës. Shtegtarë të së vërtetës, shtegtarë të paqes. Kërkimi i së vërtetës është kusht për të mundur fanatizmin dhe fondamentalizmin, për të cilët paqja arrihet vetëm duke ua imponuar bindjet të tjerëve.

Edhe sot, si 34 vjet më parë, bota ka nevojë për paqe e për këtë shërben impenjimi i njerëzve të fesë. Prandaj, besojmë se paqja dhe shёndeti pёr njerizimin mund të arrihen, pasi e dimë se asgjë s’është e pamundur për Zotin, prandaj i lutemi. Këtë ide, e pati shprehur edhe Papa Françesku më 20 shtator 2016 në Takimin ndërfetar të Asizit, nisur nga shën Gjon Pali II 34 vjet më parë, me Ditën Botërore të lutjes për paqen, po në Asizi, më 27 tetor tё vitit 1986. Prandaj, tё vazhdojmё t’i lutemi Zotit e të punojmë së bashku për paqen: ky është impenjim i përhershëm për fetë, por më i rëndësishëm se kurrë në zonat, ku akoma mbretëron lufta e terrorizmi, po edhe pёrt mbarё botёn.

27 tetor 2020, 10:39